Si mund ta lini?
Si mund ta lini?
ASHTU si kur mëson t’i japësh biçikletës, edhe lënia e duhanit rrallë arrihet që me përpjekjen e parë. Prandaj, nëse jeni i vendosur për ta lënë, duhet të jeni i përgatitur për të bërë përpjekje të vazhdueshme, derisa të keni sukses. Mos e konsideroni një rikthim si disfatë. Mendoni për të si për një përvojë që ju ka mësuar, si një tërheqje e vogël brenda atij që mund të jetë një program i suksesshëm. Këtu keni disa sugjerime, që kanë funksionuar për të tjerët. Ato mund të funksionojnë edhe në rastin tuaj.
Përgatitni mendjen për ta lënë
■ Së pari, ju duhet t’i mbushni mendjen vetes që ia vlen të përpiqesh për ta lënë duhanin. Bëni një listë të arsyeve që keni për të pasur këtë dëshirë, duke përfshirë të gjitha dobitë. Pasi ta keni lënë, rishikimi i kësaj liste do ta forcojë vendimin tuaj. Motivi më i madh për të lënë duhanin është dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë. Bibla thotë se ne duhet ta duam Perëndinë me gjithë mendjen, zemrën, shpirtin dhe forcën tonë. Këtë nuk mund ta bëjmë, nëse jemi të dhënë pas duhanit.—Marku 12:30.
■ Analizoni zakonet tuaja të pirjes së duhanit, për të përcaktuar kur dhe përse pini duhan. Mund t’ju jetë e dobishme sikur të regjistroni në një copë letër, kur dhe ku e pini çdo cigare gjatë një dite të zakonshme. Kjo do t’ju ndihmojë për të parashikuar situata, që mund t’ju tundojnë për të pirë duhan pasi ta keni lënë.
Planifikoni një datë për ta lënë
■ Zgjidhni një ditë për ta lënë dhe shënojeni atë në kalendarin tuaj. Është më mirë të zgjidhni një ditë, kur nuk do të jeni nën një stres të jashtëm të tepruar. Kur të vijë ajo ditë, lëreni plotësisht, pra, menjëherë dhe tërësisht.
■ Përpara se të vijë dita që ta lini, hiqni tavllat e duhanit, shkrepset dhe çakmakët. Pastroni të gjitha rrobat që ju vijnë era duhan.
■ Siguroni mbështetjen e kolegëve të punës, të miqve dhe të familjes, që do t’ju inkurajojnë në përpjekjet për të lënë duhanin. Mos kini frikë t’u kërkoni të tjerëve që të mos e ndezin në praninë tuaj.
■ Planifikoni aktivitete për ditën kur do ta lini. Mund të shkoni në ndonjë vend, ku është e ndaluar të pish duhan, si muze ose teatër. Mund të
bëni edhe ushtrime: të notoni, të bëni një xhiro me biçikletë ose një shëtitje të gjatë.Përballimi i periudhës së lënies
Nëse jeni një person që pini tepër duhan, ka të ngjarë të përjetoni simptomat e lënies, të cilat fillojnë brenda disa orëve pasi keni pirë cigaren e fundit. Këto mund të përfshijnë: acarim, padurim, armiqësi, ankth, depresion, pagjumësi, trazim, uri në rritje dhe një dëshirë të zjarrtë për cigare. Mbase mjeku mund t’ju japë disa barna, që do të ndihmojnë për lehtësimin e këtyre simptomave. Veç kësaj, ka disa gjëra që mund të bëni, të cilat do t’ju ndihmojnë të fitoni betejën.
■ Gjatë pak javëve të para të vështira, hani ushqime me pak kalori dhe pini ujë me bollëk. Për disa ka qenë e dobishme të hanë midis vakteve nga pak perime të freskëta, si karrota ose selino. Nëse merreni me ushtrime, do t’ju ndihmojë të hiqni peshën e fituar dhe të qetësoni nervat e acaruar.
■ Shmangni vende dhe situata, ku do të tundoheni për të pirë duhan.
■ Luftoni kundër mënyrave të gabuara të të arsyetuarit, që mund t’ju tundojnë për të pirë duhan. Ja disa mendime të zakonshme gjatë periudhës së tërheqjes: ‘Do të pi vetëm sot, që të më ndihmojë për të kaluar këtë periudhë të vështirë.’ ‘Duhani është vesi im i vetëm!’ ‘Duhani s’mund të jetë edhe aq i keq; disa duhanpirës të tmerrshëm jetojnë edhe më shumë se 90 vjeç.’ ‘Në fund të fundit, do të vdes nga diçka.’ ‘Jeta s’ka lezet pa duhanin.’
■ Nëse jeni gati për t’u dorëzuar, vonojeni. Duke pritur vetëm dhjetë minuta, dëshira therëse mund të kalojë. Disa herë, mendimi se s’keni për të pirë më duhan është dërrmues. Nëse ndiheni në këtë mënyrë, përqendrohuni për ta lënë vetëm sa për sot.
■ Nëse dëshironi t’i shërbeni Perëndisë, lutuni për ndihmë. Krijuesi ynë i dashur mund të sigurojë «ndihmë në kohë nevoje [në kohën e duhur, BR]» për ata që po përpiqen ta vënë jetën e tyre në harmoni me vullnetin e tij. (Hebrenjve 4:16) Por mos pritni një mrekulli. Duhet të veproni në përputhje me lutjet tuaja.
Qëndroni një ish-duhanpirës
■ Tre muajt e parë janë më të vështirët, por edhe pas këtyre, kur është e mundur, duhet të shmangni duhanpirësit dhe situatat që mund t’ju tundojnë për të pirë duhan.
■ Mos e mashtroni veten, duke menduar se mund të pini ndonjë cigare herë pas here, edhe pse e keni lënë duhanin nga një a më shumë vite.
■ Rezistojini tundimit për të pirë «vetëm një cigare». Vetëm një mund t’u hapë lehtësisht rrugën të tjerave dhe pas pak do të keni zhbërë gjithë punën e vështirë që ju është dashur për ta lënë. Megjithatë, edhe nëse faktikisht ligështoheni dhe pini një cigare, nuk ka arsye që të pini edhe një tjetër. Nëse i jeni rikthyer, lëreni përsëri.
Miliona duhanpirës kanë pasur sukses në lënien e duhanit. Me vendosmëri dhe ngulmin edhe ju mund ta lini!