Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Nën stres
«Thuajse gjysma e kanadezëve ankohen se po përjetojnë stres të nivelit të mesëm ose të lartë në përpjekje për të ekuilibruar punën me jetën familjare»,—raportohet në gazetën Vancouver Sun. «Këto nivele janë dy herë më të larta se një dekadë më parë.» Përse kjo rritje? Të dhënat e një sondazhi të botuara nga një shoqatë kanadeze (Conference Board of Canada) treguan një shtim të numrit të punonjësve kanadezë që u duhet të kujdesen për pjesëtarët e familjes. Gjithnjë e më shumë persona bëjnë fëmijë vonë dhe kështu përballen shpesh me sfidën «për t’u kujdesur njëkohësisht si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit». Edhe pse 84 për qind e të anketuarve ndiheshin ende të kënaqur me punën e tyre, raporti vëren se kur lind problemi për të ekuilibruar kërkesat e familjes me ato të punës, «shumica pakësojnë të parën kohën që kanë në dispozicion për veten e tyre, duke përfshirë këtu orët e gjumit». Conference Board vëren: «Për pasojë lind stresi dhe problemet shëndetësore.»
Mësimi i respektit për autoritetet
«Prindërit e sotëm kërkojnë kaq pak respekt për autoritetin e tyre si prindër, saqë në të vërtetë mund të jenë duke ulur vlerësimin që kanë fëmijët për veten»,—thuhet në një raport në The Toronto Star. «Njohja e kufizimeve faktikisht plotëson nevojën që kanë fëmijët për të ditur se çfarë të presin e për t’u ndjerë të sigurt, dhe kjo nga ana e saj i ndihmon të kenë më shumë vlerësim për veten,—vëren specialisti në fushën e sjelljeve Ronald Morrish.—Ata fëmijë që nuk dinë ç’janë rregullat dhe përgjegjësia rriten më pak të sigurt dhe kanë më pak besim te vetja.» Ai shton: «Njoh fëmijë 6-vjeçarë që e caktojnë vetë orarin për të shkuar në krevat. Njoh trevjeçarë, të cilëve mamatë mundohen t’u mbushin mendjen që të mos sillen keq, duke u shpjeguar se si do të ndihet pastaj mami.» Siç thotë Morrish, fëmijët duhet të mësojnë t’u binden rregullave të familjes dhe mendimi se ata e kanë në natyrë që të bëhen më pak bashkëpunues dora-dorës që rriten është i gabuar. «Ne presim që fëmijët ta shtojnë çdo vit e më shumë njohurinë që marrin në shkollë. Atëherë, përse nuk presim edhe që sjellja e fëmijëve të përmirësohet nga viti në vit?—pyet ai.—Nëse nuk bëni përpjekje për ta bërë fëmijën që po hedh hapat e parë të ngrejë nga toka një lodër, nuk do të keni një adoleshent që u bindet orareve.»
Incizime për oreksin e kafshëve
Siç raportohet në revistën New Scientist, shkencëtarët kanadezë kanë zbuluar se të vegjlit e kafshëve të fermës mund të nxiten të hanë kur dëgjojnë pjesë të incizuara. «Ne regjistruam zërin e pulës nënë kur ajo gjen diçka që dëshiron ta hanë zogjtë e saj»,—thotë Luis Beit i Universitetit të Ishullit Princ Eduard. Kur dëgjonin incizimet nga altoparlantë të vendosur pranë ushqimit, zogjtë hanin, edhe pse nëna nuk ishte e pranishme. Por tingujt duhet të jenë tamam ata të duhurit. Beit vëren: «Kur u vinim të dëgjonin tingujt që lëshon pula nënë pas çeljes së zogjve, të cilat për veshin tim janë njësoj si thirrja e ushqimit, zogjtë qëndronin të palëvizur.» Synimi i shkencëtarëve është të përshpejtojnë rritjen e kafshëve, dhe në eksperimentet e para zogjtë e pulës u rritën të paktën 20 për qind më shpejt se normalisht gjatë tri javëve të para. Me anë të eksperimenteve të ngjashme, edhe zogjtë e pulës së detit dhe gicat u nxitën që të hanin më shpesh.
Receta të rrezikshme
«Vitin e kaluar në Gjermani, ilaçet morën më shumë jetë njerëzish, sesa aksidentet automobilistike»,—vërehet në gazetën Stuttgarter Nachrichten. Siç thuhet në raport, në vitin 1998 vdiqën rreth 25.000 njerëz prej ilaçeve të dhëna gabim në recetë. Ky numër është tri herë më i madh se numri i atyre që mbetën të vrarë në aksidente automobilistike gjatë së njëjtës periudhë. Vetëmjekimi thuhet se luan vetëm një rol dytësor. Problemi kryesor duket se është mungesa e njohurisë dhe e përvojës së mjekëve në lidhje me ilaçet dhe me efektet e tyre. Farmakologu Ingolf Kaskorbi tha se sipas një përllogaritjeje, «në Gjermani mund të ishin shmangur çdo vit 10.000 vdekje dhe 250.000 raste të personave që vuajnë nga efekte anësore të rënda, nëse puna kërkimore dhe kualifikimi do të ishin bërë ashtu si duhet», siç vërehet në raport.
Ngjashëm, në revistën franceze Sciences et avenir flitet për një studim të kohëve të fundit të kryer në Francë, i cili zbuloi se nga 150.000 ilaçe që u ishin dhënë me recetë personave të moshës mbi 70 vjeç, 10.700 ishin ose të gabuara, ose të paefektshme. Afro 1 në 50 mund të ishin të rrezikshme, për shkak të reaksionit të mundshëm me ilaçet e tjera të dhëna në recetë ose për shkak të rreziqeve të tjera. Në Francë, personat e moshuar kalojnë afërsisht një milion ditë në vit në spitale, si pasojë e reaksioneve negative ndaj ilaçeve.