Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkallë drejt qiellit

Shkallë drejt qiellit

Shkallë drejt qiellit

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË FILIPINE

GJATËSIA e saj e përgjithshme thuhet se është dhjetë herë më e madhe se ajo e Murit të Madh kinez. Disa thonë se nëse pjesët e saj do të vendoseshin njëra pas tjetrës, gjatësia do të arrinte në 20.000 kilometra, ose sa t’i bije përreth gjysmës së globit. Disa të tjerë e quajnë madje mrekullia e tetë e botës. Megjithatë, shumë njerëz nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë panoramë mbresëlënëse të Filipineve. Çfarë është ajo? Shkalla drejt qiellit​—tarracat e orizit të Kordilierës Qendrore. Të fshehura në lartësitë e Lusonit, tarracat janë një shfaqje befasuese e bukurisë dhe e mjeshtërisë.

Përse u ndërtuan? Malet e thikta Kordiliere janë kaq të rrëpirëta, saqë normalisht nuk mund të përdoreshin për bujqësi. Pjerrësia e disa shpateve është më shumë se 50 për qind. Por fermerët e kohëve të lashta nuk u zmbrapsën nga kjo gjë. Në një lartësi prej 1.200 metrash a më shumë, ata gdhendën mijëra brezare në faqet e maleve të gjelbëruara. Disa herë 25, 30 a më shumë brezare janë stivuar si një shkallë që synon drejt qiellit. Veç kësaj, secila nga brezaret është një fushë e kultivuar e mbuluar me ujë, që kufizohet anash me ledhe dhéu dhe që mbahet nga mure guri. Pjesa dërrmuese e tyre janë mbjellë me oriz dhe ndjekin konturin e maleve; disa shpate janë të lugëta, të tjerat të mysëta.

Sigurisht, nuk mund të thuhet se tarracat bujqësore janë diçka unike e Filipineve. Fushat tarracore gjenden edhe në vende të tjera, veçanërisht në Azinë Juglindore, në Amerikën e Jugut dhe në disa zona të Afrikës. Por, në shumë kuptime, tarracat e orizit në Filipine janë unike. Mario Movilion, i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Orizin, tha për revistën Zgjohuni!: «Tarracat e orizit në Filipine kanë një shtrirje shumë më të madhe se tarracat e vendeve të tjera. Ato mbulojnë një pjesë të madhe të maleve Kordiliere.» Shumë prej tyre gjenden në provincën Ifugao. Nuk mund të mos ngelesh i mahnitur nga numri jashtëzakonisht i madh i brezareve. Ato i shtojnë një bukuri të skalitur konturit natyror të maleve.

Një nga mrekullitë e botës?

A është e ekzagjeruar t’i quash ato mrekullia e tetë e botës? Mirë pra, vëreni këtë fakt: ato mund të jenë projekti i vetëm më i madh bujqësor në historinë e njerëzimit. Në dhjetor 1995, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën vendosi t’i përfshinte tarracat e orizit të Ifugaos në Listën e saj Botërore të Trashëgimisë. Si rezultat, tarracat barazohen tani me vende të tjera që kanë vlera të mëdha historike e kulturore të tilla, si: Taj Mahali në Indi, ishujt Galapagos në Ekuador, Muri i Madh kinez dhe Angkor Uati i Kamboxhias. Por ndryshe nga projektet e tjera të lashta të ndërtimit të tilla, si piramidat e Egjiptit, tarracat duket se u ndërtuan me përpjekjet e njerëzve të thjeshtë, jo nga puna e detyruar e skllevërve. Gjithashtu, ato nuk janë një vend i braktisur, por kultivohen akoma në mënyrë aktive nga banorët e Ifugaos.

Nëse vizitoni brezaret, mund të përjetoni personalisht bukurinë e tyre, që të lë gojëhapur. Do të shihni njerëz që punojnë në brezare, të cilat kanë një sipërfaqe nga disa metra katrorë deri në 10.000 metra katrorë. Disa punëtorë shpojnë dheun me shkopinj, që të hyjë brenda uji dhe, ndërsa punojnë, edhe këndojnë. Të tjerë mbjellin oriz, mbëltojnë filizat ose korrin të mbjellat. Nëse e bëni vizitën në kohën kur del orizi i ri, brezaret formojnë një mozaik të bukur me nuanca të shumëllojta të së gjelbrës.

Disa varietete të orizit nuk mund të mbijetojnë pa sasi të mëdha uji. Prandaj është i nevojshëm një sistem i ndërlikuar ujitës. Shfrytëzohet uji i përrenjve malorë, i cili shkon drejt brezareve nëpërmjet një sistemi të komplikuar kanalesh dhe tubash bambuje. E tërhequr nga forca e rëndesës, një sasi e mjaftueshme uji kalon nga një brezare në tjetrën. Brezaret në të vërtetë nuk janë aspak një monument i vdekur, por një mrekulli e gjallë.

Kush i ndërtoi?

S’është nevoja ta themi se këto mijëra brezare nuk mund të jenë ndërtuar sa hap e mbyll sytë, e madje as brenda disa viteve. Të mos harrojmë se ky ndërtim u bë pa mjetet ose makineritë moderne. Prandaj, mendohet se ndërtimi i tarracave filloi, të paktën, disa qindra vjet më parë.

Disa arkeologë mendojnë, madje, se puna filloi afro 2.000 vjet më parë. Antropologët hedhin idenë se ndërtuesit migruan nga Indokina Veriore ose nga Indonezia dhe u vendosën në Luson, duke sjellë me vete traditën e rritjes së orizit në brezare të mbuluara nga uji. Pas ndërtimit të tarracave, u shtuan gradualisht shkallë të reja.

Si të kënaqemi me to?

Le të bëjmë tani një udhëtim imagjinar në brezare. Në fillim marrim një autobus me ajër të kondicionuar nga Manila për në qytetin Banaue, në Ifugao. Udhëtimi zgjat rreth nëntë orë. Tani na duhet të zgjedhim. Mund të vendosim të ecim në këmbë, të marrim një triçikël (motoçikletë me kosh anash) ose të udhëtojmë me jeepney, për të shkuar në disa vende interesante. E nëse kemi dëshirë e rezistencë, mund të preferojmë të bashkohemi me një prej varganeve që shkojnë në zonat malore, ku arrihet vetëm më këmbë. Këto vende ofrojnë disa nga pamjet më madhështore të tarracave dhe të bëjnë më të vetëdijshëm për pafundësinë e kësaj mrekullie të bërë nga dora e njeriut.

Ne vendosim të marrim një jeepney për në fshatin Batad. Na duhet të udhëtojmë më shumë se një orë në rrugën e ashpër malore, për të arritur në një vend 12 kilometra larg. Prej këtu, ecim më këmbë në një shteg kalimtarësh. Shtegu na fut në mes të një bimësie të shumëllojtë malore, ndëkohë që ngjitemi dalëngadalë në një kreshtë midis dy pikave më të larta. (Ekziston një rrugë më e shkurtër, por është tepër e rrëpirët dhe nuk rekomandohet për ata që s’janë mësuar të bëjnë ngjitje të mundimshme.) Nga kreshta zbresim ngadalë drejt Batadit, duke ecur në një shteg të ngushtë.

Pasi kemi ecur për nja dy orë duke u kënaqur gjatë rrugës me ajrin e pastër të malit, ja ku jemi më në fund në vendmbërritjen tonë. Këtu pamja e tarracave të kënaq syrin. Duke qenë se Batadi ndodhet përballë një shpati malor të lugët, tarracat kanë formën e një amfiteatri të stërmadh. Ato krijojnë një disenjo interesante rreshtash, njëra mbi tjetrën, si një shkallë drejt qiellit. Ndërsa i afrohemi fshatit, shohim shtëpitë e stilit të vjetër të Ifugaos, të cilat shpërndahen andej-këtej nëpër fshat si kërpudha gjigante të mbuluara me bar.

Njerëzit janë miqësorë dhe na përshëndetin kur u kalojmë pranë, ndërsa punojnë në tarraca. Mund të habiteni kur të shihni vendasit që ecin me zhdërvjelltësi përgjatë buzës së një muri shkëmbor të brezareve, duke e përdorur atë si shteg për të shkuar nga një vend në tjetrin. Të tjerë ngjiten nga një shkallë në tjetrën me sigurinë e një dhije të egër, duke përdorur si shkallë gurë të vendosur në mënyrë strategjike. Po të vështrosh më me kujdes, zbulon se ata janë këmbëzbathur. Dhe kudo përreth tyre shpaloset një tablo madhështore brezaresh malore​—një rast i rrallë ku puna ndërtuese e njeriut harmonizohet me ambientin dhe e plotëson atë.

A ju duket interesante e gjithë kjo? Atëherë, nëse vizitoni Filipinet, mos lini në asnjë mënyrë t’ju ikë mundësia për të parë shkallët drejt qiellit, një mrekulli e gjallë që nuk do ta harroni kollaj!

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

Ruajtja e brezareve

Me gjithë bukurinë që kanë sot brezaret, ekzistenca e tyre po kërcënohet. Shumë prej atyre të brezit të ri që banojnë në mal nuk u pëlqen të kultivojnë oriz dhe po kërkojnë punë në zona të tjera. Kjo gjë mund të bëjë që të bjerë shumë numri i bujqve të aftë që kujdesen për brezaret.

Aurora Amajao, banore vendase e Ifugaos dhe anëtare e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Orizin, i foli revistës Zgjohuni! edhe për një rrezik tjetër: «Në brezare duhet ruajtur gjithnjë lagështia, por tani ka një krizë uji për shkak të shpyllëzimit.» Shterimi i vijave ujëndarëse do të nënkuptonte shkatërrimin e brezareve.

Edhe katastrofat natyrore shkaktojnë nganjëherë probleme. Më 1990, një tërmet shkatërroi një sërë ngastrash të brezareve, duke shembur shpate të tëra mali.

Gjithsesi, po ndërmerren hapa për të parandaluar zhdukjen e brezareve. Në vitin 1996 doli urdhri për të krijuar Komisionin e Tarracave të Ifugaos. Detyra e tij? Të mirëmbahen tarracat, duke përfshirë edhe sistemin mbështetës ujor e kulturat e zonës, si edhe të rindërtohet çdo zonë e dëmtuar.

Veç kësaj, fakti që tarracat janë përfshirë në Listën Botërore të Trashëgimisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESKO), e shtrëngon qeverinë e Filipineve që ta mbrojë këtë vend. Dhe, siç thotë Xhin Tuasoni, zëvendësdrejtuese e zyrës së UNESKO-s në Manila, «UNESKO mund të sigurojë, gjithashtu, si ndihmë teknike, ashtu edhe ndihmë financiare për mbrojtjen dhe ruajtjen e tarracave të orizit».

[Harta në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Kordiliera Qendrore

[Figura që zë gjithë faqen 17]