Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet
Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet
«Më shumë progres për të pakësuar varfërinë në shkallë botërore është bërë gjatë pesë dekadave të fundit, sesa gjatë pesë shekujve të kaluar»,—thuhet në UNDP Today, një botim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara. «Qysh prej vitit 1960, në vendet në zhvillim përqindja e vdekshmërisë te fëmijët është përgjysmuar, të ushqyerit e keq është pakësuar me një të tretën dhe përqindja [e regjistrimit] në shkollë është rritur me një të katërtën.» Gjithsesi, i njëjti burim pranon se pavarësisht nga ky progres, varfëria në shkallë botërore «mbetet mjaft e përhapur».
Ç’është më e keqja, padrejtësia brendapërbrenda dhe midis shoqërive po shtohet. «Në krahasim me një vit më parë,—thotë Katerin Bertini, drejtuese e Programit Botëror të OKB-së për Ushqimin,—shumë më tepër njerëz anembanë botës po vuajnë nga të ushqyerit e keq dhe uria.» Në fakt, sot rreth 840 milionë njerëz në vendet në zhvillim vuajnë vazhdimisht nga uria, më shumë se një miliard njerëz nuk kanë ujë të sigurt për të pirë dhe afro 1,5 miliardë njerëz mezi sa mbahen gjallë me më pak se një dollar në ditë. Meri Robinson, Përfaqësuese e Lartë e OKB-së për Të Drejtat e Njeriut, paralajmëron se «ka rrezik që të arrijmë në një pikë ku bota të jetë e ndarë jo në vende në zhvillim dhe vende të zhvilluara, por në [vende] të mbizhvilluara dhe [vende] që s’do të zhvillohen kurrë».
Sa do t’i kushtonte komunitetit të sotëm botëror prej gjashtë miliardë njerëzish ngushtimi i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve? Më pak nga ç’mund të mendojmë. OKB-ja llogarit se do të duhej një shtesë prej 9 miliardë dollarësh (1,50 dollarë për person) në vit për të pasur kanalizime dhe ujë të pastër në të gjithë botën dhe se do të nevojitej një shtesë prej 13 miliardë dollarësh (rreth 2,00 dollarë për person) në vit për të siguruar kujdesin shëndetësor dhe ushqimin bazë për çdo njeri në tokë. Ndonëse këto janë shuma të konsiderueshme, ato duken të parëndësishme kur krahasohen me atë çka shpenzon bota për shërbime të tjera. Për ta ilustruar, në një nga vitet e fundit, bota shpenzoi 435 miliardë dollarë (më se 70 dollarë për person) për reklama dhe 780 miliardë dollarë (130 dollarë për person) për çështjet ushtarake. Është e qartë, pra, se ngushtimi i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve të botës nuk është edhe aq një çështje e gjetjes së fondeve të mjaftueshme, sesa një çështje e vendosjes siç duhet të përparësive.