Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 23

Pse sëmuren njerëzit?

Pse sëmuren njerëzit?

A NJEH ndonjë njeri që është sëmurë? . . . Edhe ti mund të sëmuresh nganjëherë. Ndoshta të zë gripi ose të dhemb barku. Disa njerëz janë shumë të sëmurë. Ata as nuk rrinë dot në këmbë pa i ndihmuar dikush tjetër. Shpesh kjo ndodh kur njerëzit janë shumë të plakur.

Të gjithë sëmuren nganjëherë. Përse sëmuren, plaken dhe vdesin njerëzit, a e di? . . . Një ditë, Jezuit i sollën një njeri që nuk ecte dot dhe Jezui shpjegoi pse njerëzit sëmuren dhe vdesin. Tani do të të tregoj si ndodhi.

Jezui po qëndronte në një shtëpi te një qytet afër detit të Galilesë. Një turmë njerëzish erdhën që ta takonin. Ishin kaq shumë njerëz, saqë në shtëpi s’kishte më vend që të hynin të tjerë. S’mund të afrohej njeri as te dera. Megjithatë, ende vazhdonin të vinin njerëz. Një grup njerëzish sollën një njeri të paralizuar, i cili nuk mund të ecte. Duheshin katër veta për ta mbajtur atë në një shtrat të vogël ose vig.

Pse ata njerëz donin ta çonin te Jezui këtë njeri të sëmurë, si thua? . . . Ata kishin besim se Jezui mund ta ndihmonte atë. Besonin se Jezui mund ta shëronte nga ajo sëmundje. Si ia bënë për ta çuar te Jezui njeriun e paralizuar, me gjithë ata njerëz që ishin në shtëpi? . . .

Figura që sheh këtu tregon se si e arritën këtë. Në fillim e ngjitën atë burrë në çati. Ishte një çati e sheshtë. Pastaj hapën një të çarë të madhe në çati. Në fund, e zbritën nëpër atë të çarë njeriun e sëmurë, ashtu në vig siç ishte. Sa shumë besim që kishin!

Të gjithë njerëzit që ishin në shtëpi u habitën kur panë çfarë po ndodhte. Njeriun e paralizuar, të shtrirë në vig, e zbritën tamam në mes të tyre. A u zemërua Jezui kur pa se çfarë kishin bërë ata njerëz? . . . Nuk u zemërua fare! Ai u kënaq kur vuri re se kishin besim. I tha të paralizuarit: «Mëkatet e tua janë falur.»

Çfarë i tha Jezui të bënte njeriut të paralizuar?

Disa njerëz mendonin se Jezui nuk bëri mirë që tha ashtu. Ata mendonin se ai nuk mund t’i falte mëkatet. Prandaj, për të treguar se mund t’i falte vërtet, Jezui i tha njeriut: «Ngrihu, merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde.»

Kur Jezui tha këtë, njeriu u shërua. Ai nuk ishte më i paralizuar. Tani ishte në gjendje të ngrihej vetë dhe të ecte. Njerëzit që panë këtë mrekulli u mahnitën. Ata s’kishin parë kurrë në jetën e tyre një gjë kaq të mrekullueshme! E lavdëruan Jehovain që u kishte dhënë këtë Mësues të Madh, i cili kishte mundësi edhe t’i shëronte njerëzit nga sëmundjet e tyre.Marku 2:1-12.

Çfarë mësojmë nga kjo mrekulli?

Çfarë mësojmë nga kjo mrekulli? . . . Mësojmë se Jezui ka fuqinë për të falur mëkatet dhe për të shëruar njerëzit e sëmurë. Por mësojmë edhe diçka tjetër, shumë të rëndësishme. Mësojmë se njerëzit sëmuren për shkak të mëkatit.

Meqenëse të gjithë sëmuremi nganjëherë, a do të thotë kjo se jemi të gjithë mëkatarë? . . . Po, Bibla thotë se të gjithë ne lindim me mëkat. Çfarë do të thotë që lindim me mëkat, e di? . . . Do të thotë që lindim të papërsosur. Nganjëherë i bëjmë gjërat gabim, edhe pse s’duam t’i bëjmë ashtu. Si thua, pse që të gjithë ne lindim me mëkat? . . .

Lindim kështu sepse njeriu i parë, Adami, nuk iu bind Perëndisë. Ai mëkatoi kur shkeli ligjin e Perëndisë. Të gjithë ne e kemi marrë mëkatin nga Adami. A e di si e morëm mëkatin nga ai? Do të përpiqem të ta shpjegoj në mënyrë që ta kuptosh.

Si ndodhi që të gjithë ne kemi mëkatin?

Ndoshta ke parë ndonjëherë kur pjekin bukë në një tavë. Çfarë do të ndodhë me bukët, në qoftë se në tavë ka një vend të shtypur? Si thua? . . . E njëjta shenjë ose e shtypur do të dalë te të gjitha bukët që piqen në atë tavë, apo jo? . . .

Adami ishte si ajo tava, dhe ne jemi si buka. Ai u bë i papërsosur kur shkeli ligjin e Perëndisë. Ishte sikur t’i ishte bërë një e shtypur ose shenjë papërsosmërie. Prandaj, kur të kishte fëmijë, si do të ishin ata? . . . Të gjithë fëmijët e tij do të kishin të njëjtën shenjë të papërsosmërisë.

Shumica e fëmijëve nuk lindin me ndonjë shenjë të madhe papërsosmërie që bie në sy. Nuk u mungon ndonjë krah ose këmbë. Por papërsosmëria që kanë është mjaft e rëndë, saqë sëmuren dhe herët a vonë vdesin.

E dimë që disa njerëz sëmuren më shpesh se të tjerët. Pse ndodh kjo? A ndodh sepse ata lindin me më shumë mëkat? . . . Jo, të gjithë ne lindim me të njëjtën masë mëkati. Lindim të gjithë të papërsosur. Prandaj, herët a vonë, të gjithë do të kemi ndonjë lloj sëmundjeje. Edhe njerëzit që përpiqen t’u binden të gjitha ligjeve të Perëndisë dhe nuk bëjnë asgjë të keqe, mund të sëmuren.

Si do të jemi nga shëndeti kur të na hiqet mëkati?

Atëherë, pse disa njerëz sëmuren më shpesh se të tjerët? . . . Ka shumë arsye. Ndoshta ata nuk kanë mjaft ushqim për të ngrënë. Ose mund të mos hanë ushqime që u bëjnë mirë për shëndetin. Ndoshta hanë tepër ëmbëlsira dhe karamele. Një arsye tjetër mund të jetë se rrinë zgjuar shumë vonë natën dhe nuk flenë gjumë aq sa duhet. Ose ndoshta nuk vishen mjaft trashë para se të dalin jashtë kur është shumë ftohtë. Disa njerëz e kanë trupin shumë të dobët dhe nuk e luftojnë dot sëmundjen, edhe po të përpiqen që të kujdesen për veten.

A do të vijë ndonjëherë një kohë kur nuk do të sëmuremi? A do të çlirohemi ndonjëherë nga mëkati? . . . Çfarë bëri Jezui për atë njeri të paralizuar? . . . Jezui ia fali mëkatet dhe e shëroi. Në këtë mënyrë, Jezui tregoi se çfarë do të bëjë një ditë për të gjithë ata që përpiqen shumë të bëjnë gjëra të drejta.

Po të tregojmë se nuk duam të mëkatojmë dhe se i urrejmë gjërat e gabuara, Jezui do të na shërojë. Në të ardhmen, ai do të na e heqë papërsosmërinë që kemi tani. Do ta bëjë këtë si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Mëkati nuk do të na hiqet menjëherë. Do të hiqet dalëngadalë, me kalimin e kohës. Pastaj, kur më në fund mëkati të na jetë hequr, nuk do të sëmuremi më kurrë. Do të kemi që të gjithë shëndet të përsosur. Sa të lumtur do të na bëjë kjo!

Për të kuptuar më shumë se si ndikon mëkati te të gjithë njerëzit, lexo Jobin 14:4; Psalmin 51:5; Romakëve 3:23; 5:12 dhe 6:23.