INDONEZIA
Një pionier sypatrembur
Andrea Eliasi
-
LINDUR: 1915
-
PAGËZUAR: 1940
-
TË DHËNA: Pionier i guximshëm që qëndronte i patundur sa herë e merrnin në pyetje dhe e kërcënonin.
GJATË Luftës II Botërore, vëlla Eliasi me gruan, Jozefinën, u paraqitën para zyrtarëve të Sukabumit, në Javën Perëndimore, në rajonin e Kempeitait tmerrues, policisë ushtarake japoneze. Të parin morën në pyetje Andrean. E bombarduan me një breshëri pyetjesh. «Kush janë Dëshmitarët e Jehovait? A je kundër qeverisë japoneze? A je spiun?»
«Ne i shërbejmë Perëndisë së Plotfuqishëm dhe s’kemi bërë asgjë të keqe»,
«Po sikur të të vras tani?»
Disa muaj më vonë Andrean e denoncuan disa «vëllezër të rremë», dhe u burgos. (2 Kor. 11:26) Për disa muaj mbijetoi duke ngrënë mbeturina ushqimesh që arrinte t’i rrëmonte në kanalin e kullimit të qelisë. Megjithatë, gardianët nuk ia thyen dot integritetin. Kur Jozefina arrinte ta takonte, ai i pëshpëriste përmes hekurave të burgut: «Mos ki merak! Sido që të jetë, më vrasin a më lirojnë, do t’i qëndroj besnik Jehovait. Që këtej mund të dal i vdekur, por jo tradhtar!»
Pas gjashtë muajsh burg, Andrea pati mundësinë të mbrohej para Gjykatës së Lartë të Xhakartës dhe e liruan.
Rreth 30 vjet më vonë, kur qeveria indoneziane i ndaloi prapë Dëshmitarët e Jehovait, prokurori i rrethit në Manado, në Celebesin e Veriut, e thirri Andrean në zyrë. Ai e pyeti: «A e di se Dëshmitarët e Jehovait janë ndaluar?»
«Po»,
«Do të ndryshosh fe tani?»
Andrea u përkul drejt tij dhe goditi gjoksin me forcë. «Mund të ma shkulni zemrën, por kurrë s’ma ndryshoni dot fenë!»
Prokurori e la të lirë Andrean dhe nuk e bezdisi më.
Në vitin 2000 Andrea vdiq në moshën 85-vjeçare, pasi kishte shërbyer me zell si pionier për rreth 60 vjet.