REPUBLIKA DOMENIKANE
Shpresa për Mbretërinë nuk është ëndërr
Efrain de la Krusi
-
LINDUR: 1918
-
PAGËZUAR: 1949
-
TË DHËNA: Megjithëse e burgosën dhe e rrahën mizorisht në shtatë burgje, nuk iu lëkund asnjëherë vendosmëria që të predikonte lajmin e mirë për Mbretërinë e Zotit.
MË 1948 bashkë me gruan, Paolën, dhe me vajzën nisëm të ndiqnim mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait në Blanko-Aribë. Edhe pse bënim më këmbë 40 kilometra vajtje-ardhje, nuk humbëm asnjë mbledhje. Më 3 janar 1949 unë dhe Paola u pagëzuam.
Gjashtë muaj më vonë disa nga kongregacioni ynë i arrestuan dhe i dënuan me tre muaj burg. Na u desh të flinim në dysheme dhe të hanim veç një vakt në ditë, banane jeshile e çaj. Kur na nxorën nga burgu, zyrtarët e lartë na kërcënuan dhe menduan se nuk do të predikonim më. Por, kur u kthyem në shtëpi, fshehurazi rifilluam të shkonim në mbledhje e në predikim. Meqë agjentët qeveritarë na vëzhgonin pareshtur, takoheshim në shtëpi private, në plantacione kafeje ose në ferma. Që të mos mblidheshim
gjithmonë në të njëjtin vend, në fund të çdo mbledhjeje njoftonim ku do të bëhej mbledhja tjetër. Predikonim vetëm, vishnim rroba pune dhe nuk përdornim literaturë ose Biblën. Sidoqoftë, nga viti 1949 deri në 1959-n më futën e më nxorën nga shtatë burgje të ndryshme, dhe çdo herë më mbanin në burg nga tre deri në gjashtë muaj.Duhej të isha tejet i kujdesshëm sepse, disa nga ata që më përndiqnin, ishin të afërmit e mi. Edhe pse flija në male ose në ndonjë fermë që të mos më kapnin, ndonjëherë më gjenin. Pas një arrestimi më dërguan në burgun La Viktoria në Sjutat-Truhijo, ku kishte 50 deri në 60 të burgosur në çdo qeli. Na jepnin dy vakte në ditë, qull me miell misri në mëngjes dhe pak oriz me fasule pasdite. Natyrisht, të gjithë Dëshmitarët u predikonin të burgosurve të tjerë, dhe mbanim rregullisht mbledhje, ku thoshim përmendsh vargje biblike e tregonim përvoja nga shërbimi.
Herën e fundit që më burgosën, një ushtar më gjuajti në kokë dhe në brinjë me qytën e armës. Edhe pse i ndiej ende pasojat e këtyre goditjeve e të keqtrajtimeve të tjera, ato vështirësi më forcuan besimin, qëndrueshmërinë e vendosmërinë për t’i shërbyer Jehovait.
Tani në moshën 96-vjeçare jam shërbëtor ndihmës në kongregacion. Ngaqë nuk eci dot aq gjatë, ulem para shtëpisë dhe i predikoj kujtdo që kalon aty afër. Për mua shpresa për Mbretërinë nuk është ëndërr. Është një realitet për të cilin kam predikuar më tepër se 60 vjet. Bota e re është po aq reale për mua sot, sa ishte ditën e parë që dëgjova mesazhin për Mbretërinë. *
^ par. 3 Efrain de la Krusi vdiq ndërsa po përgatitej ky jetëshkrim.