Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 65

Mëson të tjerët rrugës për në Jerusalem

Mëson të tjerët rrugës për në Jerusalem

MATEU 8:19-22 LUKA 9:51-62 GJONI 7:2-10

  • ÇFARË MENDOJNË VËLLEZËRIT E JEZUIT PËR TË?

  • SA RËNDËSI KA VEPRA E MBRETËRISË?

Për njëfarë kohe, Jezui ka predikuar kryesisht në Galile, ku njerëzit e kanë mirëpritur mesazhin e tij më shumë se në Jude. Për më tepër, kur shëroi një burrë në Jerusalem ditën e Sabatit, ‘judenjtë kërkuan akoma më shumë ta vritnin’.—Gjoni 5:18; 7:1.

Është vjeshta e vitit 32 të e.s., dhe po afron Festa judeje e Tabernakujve (ose Festa e Kasolleve). Ajo festohet për shtatë ditë, dhe ditën e tetë mbahet një asamble solemne. Festa shënon fundin e vitit bujqësor dhe është një kohë e hareshme kur njerëzit falënderojnë Perëndinë.

Gjysmëvëllezërit e Jezuit—Jakovi, Simoni, Jozefi dhe Juda—e nxitin: «Ik që këtej e shko në Jude.» Jerusalemi është qendra fetare e vendit dhe, gjatë tri festave vjetore, gëlon me njerëz. Vëllezërit e Jezuit arsyetojnë: «Askush nuk bën gjë në fshehtësi kur kërkon të njihet botërisht. Nëse i bën këto gjëra, bëji në sytë e gjithë botës.»—Gjoni 7:3, 4.

Faktikisht, këta katër vëllezër ‘nuk tregojnë besim tek ai’ si Mesia. Megjithatë kanë qejf që njerëzit e mbledhur për festën të shohin disa vepra të fuqishme nga Jezui. Por, i vetëdijshëm për rrezikun, Jezui u thotë: «Bota nuk ka arsye t’ju urrejë ju, por më urren mua, sepse dëshmoj hapur që veprat e saj janë të liga. Shkoni ju në festë; unë nuk po shkoj tani, sepse koha ime nuk ka ardhur ende.»—Gjoni 7:5-8.

Fillimisht nisen vëllezërit e Jezuit bashkë me grupin e udhëtarëve dhe disa ditë më vonë shkojnë fshehtas edhe Jezui me dishepujt e tij, që të mos vërehen nga të tjerët. I bien shkurt përmes Samarisë, në vend që të marrin rrugën e zakonshme afër lumit Jordan. Në Samari, Jezui dhe dishepujt kanë nevojë për strehim, kështu ai dërgon lajmëtarë atje që të bëjnë përgatitje. Banorët e një fshati mbyllin dyert dhe nuk i mirëpresin siç e kanë zakon, ngaqë Jezui është rrugës për në Jerusalem që të marrë pjesë në festën judeje. Tërë nerva, Jakovi dhe Gjoni pyesin: «Zotëri, a dëshiron të kërkojmë që të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i shfarosë?» (Luka 9:54) Jezui i qorton edhe vetëm se u ka shkuar ndër mend kjo gjë. Pastaj vazhdojnë udhëtimin.

Rrugës, një skrib i thotë Jezuit: «Mësues, unë do të vij pas teje kudo që të shkosh.» Jezui ia kthen: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.» (Mateu 8:19, 20) Me këto fjalë po thekson se skribi do të hasë vështirësi nëse bëhet dishepull i Jezuit dhe, me sa duket, ky skrib është tepër krenar për ta pranuar këtë lloj jete. Bëjmë mirë të pyesim veten: «Deri ku jam gati të sakrifikoj që të jem dishepull i Jezuit?»

Jezui i thotë një tjetri: «Bëhu dishepulli im.» Burri i përgjigjet: «Zotëri, më lejo më parë të iki e të varros tim atë.» Duke i ditur rrethanat e tij, Jezui thotë: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit, kurse ti shko dhe shpall kudo Mbretërinë e Perëndisë.» (Luka 9:59, 60) Është e qartë se babai i këtij burri s’ka vdekur ende, përndryshe s’do të ishte atje duke biseduar me Jezuin. Ai nuk është gati ta vërë Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë në jetë.

Teksa vazhdojnë rrugën për në Jerusalem, një burrë tjetër i thotë Jezuit: «Unë do të të ndjek, Zotëri, por më lejo më parë t’u them lamtumirë njerëzve të shtëpisë.» Jezui ia kthen: «Kush e ka vënë dorën në parmendë dhe shikon gjërat që ka lënë prapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Perëndisë.»—Luka 9:61, 62.

Ata që duan të jenë dishepuj të vërtetë të Jezuit duhet t’i kenë sytë të përqendruar te vepra e Mbretërisë. Nëse ai që punon tokën me parmendë nuk e mban shikimin drejt përpara, brazda do të dalë e shtrembër. Nëse e mbështet parmendën në tokë për të parë prapa, puna në arë nuk do të përfundojë në kohë. Po njësoj, kushdo që kthen kokën pas për të parë gjërat në këtë sistem të vjetër, mund të pengohet e të devijojë nga rruga që çon në jetën e përhershme.