KAPITULLI 4
Maria—Shtatzënë, por e pamartuar
-
JOZEFI MERR VESH SE MARIA ËSHTË SHTATZËNË
-
MARIA DHE JOZEFI MARTOHEN
Maria është katër muajshe shtatzënë. Siç e kemi parë, pjesën e parë të shtatzënisë e kaloi te kushërira e saj Elizabeta, në kodrinat e Judesë, në jug. Por tani është kthyer në shtëpinë e saj në Nazaret dhe shpejt, të gjithë do ta kuptojnë se pret një fëmijë. Imagjino çfarë situate stresuese!
Për më tepër, Maria është e fejuar me Jozefin, një zdrukthëtar vendës. Ajo e di mirë se, sipas ligjit që Perëndia i ka dhënë Izraelit, një grua që me dëshirë kryen marrëdhënie seksuale me një burrë tjetër duhet të vritet me gurë. (Ligji i përtërirë 22:23, 24) Prandaj, edhe pse nuk e ka tradhtuar, ndoshta pyet veten si do t’ia shpjegojë Jozefit situatën dhe se ç’do të ndodhë më pas.
Meqë Maria ka qenë larg për tre muaj, me siguri Jozefi mezi pret ta takojë. Kur takohen, ajo i tregon gjithçka dhe përpiqet t’i shpjegojë se shtatzënia e saj është nga fryma e shenjtë e Perëndisë. Megjithatë, siç mund ta imagjinoni, Jozefi e ka të vështirë t’i kuptojë e t’i besojë gjërat që thotë Maria.
Jozefi e di se Maria është grua e mirë, me reputacion të shkëlqyer dhe e do me gjithë shpirt. Por, pavarësisht nga fjalët e saj, Jozefi mendon se ka vetëm një shpjegim: Maria është shtatzënë me një burrë tjetër. Megjithatë nuk do që ajo të vritet me gurë ose të turpërohet para të gjithëve, ja pse vendos ta divorcojë fshehurazi. Në ato kohë, fejesa konsiderohej si martesë, ndaj që të prishej, nevojitej divorci.
Më pas, ndërsa bluan në mendje këto gjëra, Jozefi shkon të flejë. Engjëlli i Jehovait i shfaqet Mateu 1:20, 21.
në ëndërr dhe i thotë: «Mos ki frikë ta marrësh në shtëpi gruan tënde, Marinë, sepse fëmija që është ngjizur në të, është nga fryma e shenjtë. Ajo do të lindë një djalë, dhe ti do t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet.»—Kushedi sa i lehtësuar ndihet Jozefi kur zgjohet që më në fund situata u sqarua. Ai ndjek menjëherë udhëzimin e engjëllit dhe e merr Marinë në shtëpinë e tij. Ky veprim i bërë hapur shërben si ceremoni martesore, dhe tregon se Jozefi dhe Maria tani janë të martuar. Megjithatë, Jozefi nuk kryen marrëdhënie seksuale me Marinë ndërkohë që ajo pret të lindë Jezuin.
Muaj më vonë, Jozefi dhe Maria, e cila është thuajse në fund të shtatzënisë, duhet të bëhen gati për një udhëtim larg shtëpisë. Ku do të shkojnë pikërisht tani që Maria është gati për të lindur?