MËSIMI 40
Si të jemi të pastër në sytë e Perëndisë?
Imagjino një nënë të dashur teksa bën gati djalin e vogël për ta çuar në shkollë. Ajo sigurohet që ai të jetë i larë dhe t’i ketë rrobat në rregull e të pastra. Kjo i mbron shëndetin dhe i lë të tjerët të kuptojnë se prindërit kujdesen mirë për të. Po kështu, edhe Ati ynë i dashur, Jehovai, do që ne të jemi të pastër—si fizikisht, edhe moralisht. Kur jemi të pastër, nxjerrim dobi vetë dhe e nderojmë atë.
1. Si të jemi të pastër fizikisht?
Jehovai na thotë: «Duhet të jeni të shenjtë.» (1 Pjetrit 1:16) Shenjtëria përfshin pastërtinë fizike dhe morale. Jemi të pastër fizikisht, kur lahemi shpesh dhe i mbajmë rrobat, shtëpinë dhe makinën të rregullta e të pastra. Gjithashtu ndihmojmë për ta mbajtur pastër Sallën e Mbretërisë. Kur jemi të pastër fizikisht, nderojmë Jehovain.—2 Korintasve 6:3, 4.
2. Cilat vese duhet të shmangim që të jemi të pastër?
Bibla na nxit që ‘të pastrohemi nga çdo gjë që ndot trupin e mendjen’. (2 Korintasve 7:1) Kjo do të thotë se duhet të shmangim çdo gjë që na dëmton fizikisht ose mendërisht. Mendimet tona duhet t’i sjellin kënaqësi Jehovait, ndaj bëjmë çmos të hedhim poshtë mendimet e papastra. (Psalmi 104:34) Gjithashtu nuk përdorim fjalë të pista.—Lexo Kolosianëve 3:8.
Ç’gjë tjetër mund të na ndotë fizikisht ose moralisht? Disa substanca na dëmtojnë organizmin. Për këtë arsye nuk pimë duhan e nuk përdorim drogë. Në këtë mënyrë jemi më të shëndetshëm e tregojmë respekt për dhuratën e jetës. Gjithashtu bëjmë çmos të mbetemi të pastër moralisht, duke luftuar kundër vesit të masturbimit dhe të shikimit të pornografisë. (Psalmi 119:37; Efesianëve 5:5) Ndoshta e kemi të vështirë të heqim dorë nga këto vese, por Jehovai mund të na ndihmojë.—Lexo Isainë 41:13.
SHQYRTO MË TEJ
Shqyrto si e nderojmë Jehovain kur jemi të pastër fizikisht dhe si të heqim dorë nga veset e papastra.
3. Pastërtia fizike e nderon Jehovain
Kur lexojmë ligjet që i dha kombit të Izraelit, kuptojmë sa rëndësi ka për Jehovain që populli i tij të jetë i pastër. Lexoni Eksodin 19:10 dhe 30:17-19 e më pas diskutoni për këto pyetje:
-
Sipas këtyre vargjeve, si e sheh Jehovai pastërtinë fizike?
-
Çfarë zakonesh të mira do të të ndihmojnë që të jesh i pastër fizikisht?
Pastërtia fizike kërkon kohë dhe përpjekje. Por mund të jemi të pastër pavarësisht se ku jetojmë apo sa të pasur a të varfër jemi. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
-
Si i japim dinjitet veprës së predikimit kur i mbajmë gjërat të rregullta e të pastra?
4. Hiq dorë nga veset
Nëse e ke zakon të pish duhan ose të përdorësh drogë, mund ta kesh të vështirë të heqësh dorë prej tyre. Çfarë mund të të ndihmojë? Shiko se si ndikojnë te ti këto vese. Lexoni Mateun 22:37-39 dhe më pas diskutoni për këto pyetje. Nëse dikush përdor duhan ose drogë, si ndikon kjo te . . .
-
miqësia e tij me Jehovain.
-
familja dhe miqtë e tij.
Harto një strategji për të mposhtur një ves. a Shihni VIDEON.
Lexoni Filipianëve 4:13 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
-
Si mund të na japë forcë për të mposhtur një ves një program i mirë për studimin e Biblës, për lutjet dhe për mbledhjet?
5. Lufto kundër mendimeve të papastra dhe veseve
Lexoni Kolosianëve 3:5 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
-
Nga e dimë se pornografia, sexting b dhe masturbimi janë të papastra në sytë e Jehovait?
-
A të duket e arsyeshme që Jehovai pret të jemi të pastër moralisht? Pse?
Shiko si mund të luftosh me mendimet e papastra. Shihni VIDEON.
Jezui përdori një ilustrim për të treguar se duhet të bëjmë çmos që të mbetemi të pastër moralisht. Lexoni Mateun 5:29, 30 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
-
Jezui nuk po thoshte se duhet ta dëmtojmë veten fizikisht, por ama duhet të bëjmë diçka. Si mund të veprojë me vendosmëri dikush që të shmangë mendimet e papastra? c
Nëse po lufton me mendimet e papastra, të jesh i sigurt se Jehovai i vlerëson përpjekjet e tua. Lexoni Psalmin 103:13, 14 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
-
Nëse po lufton me ndonjë ves, si të jep zemër ky shkrim që të mos dorëzohesh?
Mos u dorëzo!
Fare lehtë mund të mendojmë: «Dështova, është e kotë të përpiqem.» Por mendo pak për këtë: thjesht ngaqë një vrapues pengohet dhe bie, s’do të thotë se e ka humbur garën dhe as që duhet ta fillojë nga e para. Po kështu, nëse në ndonjë moment i rikthehesh një vesi, kjo s’do të thotë se e ke humbur luftën për ta mposhtur atë. Dhe as nuk do të thotë që i gjithë mundi yt ka shkuar dëm. Gjatë luftës me një ves, herë-herë mund ta humbësh betejën, dhe kjo është diçka normale. Por mos hiq dorë! Me ndihmën e Jehovait mund ta mposhtësh vesin.
DISA THONË: «Nuk e lë dot, e kam ves.»
-
Çfarë shkrimi do të përdorje për t’u treguar se me ndihmën e Jehovait mund të heqin dorë nga çdo ves?
PËRMBLEDHJE
Ne i sjellim kënaqësi Jehovait kur mbajmë pastër trupin, mendjen dhe sjelljen.
Si do të përgjigjeshe?
-
Pse është e rëndësishme të jemi të pastër?
-
Si mund të jesh i pastër fizikisht?
-
Si mund t’i mbash të pastra mendimet dhe sjelljen?
EKSPLORO
Çfarë gjërash të thjeshta mund të bësh për të qenë i pastër fizikisht, edhe nëse nuk ke kushte të mira ekonomike?
Shiko disa hapa praktikë për të lënë duhanin.
Shiko çfarë pasojash sjell pornografia.
«Pornografia—E padëmshme apo helmuese?» (Kulla e Rojës, 1 gusht 2013)
Zbulo se si një burrë arriti të mposhtte varësinë ndaj pornografisë.
«Dështova shumë herë derisa ia dola mbanë» (Kulla e Rojës nr. 4 2016)
a Seria e artikujve «Si ta lësh duhanin», te pjesa Eksploro e këtij mësimi, tregon disa hapa praktikë për të mposhtur veset.
b Sexting përfshin dërgimin me anë të pajisjeve elektronike të mesazheve, fotove ose videove me përmbajtje imorale.
c Për të parë disa këshilla praktike në lidhje me vesin e masturbimit, shiko «Si ta mposht vesin e masturbimit?», në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1, kapitulli 25.