Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI I NËNTË

A po jetojmë në «ditët e fundit»?

A po jetojmë në «ditët e fundit»?
  • Cilat ngjarje që po ndodhin në kohën tonë ishin parathënë në Bibël?

  • Si do të ishin njerëzit në «ditët e fundit», sipas Fjalës së Perëndisë?

  • Çfarë gjërash të mira parathotë Bibla për sa u përket ‘ditëve të fundit’?

1. Ku mund të mësojmë për të ardhmen tonë?

A TË ka ndodhur ndonjëherë që, pasi ke parë lajmet në televizor, ke thënë: ‘Po si do t’i vejë halli kësaj bote?’ Ngjarjet tragjike ndodhin kaq papritur e papandehur, saqë asnjë njeri s’e parashikon dot se ç’do të sjellë e nesërmja. (Jakovi 4:14) Por Jehovai e di si do të jetë e ardhmja. (Isaia 46:10) Shumë kohë më parë, në Fjalën e tij, në Bibël, ishin parathënë jo vetëm gjërat e këqija që po ndodhin sot, por edhe gjërat e mrekullueshme që do të ndodhin në të ardhmen e afërt.

2, 3. Cilën pyetje i bënë dishepujt Jezuit dhe si u përgjigj ai?

2 Jezu Krishti foli për Mbretërinë e Perëndisë, e cila do t’u japë fund ligësive dhe do ta kthejë tokën në parajsë. (Luka 4:43) Natyrisht, njerëzit donin të dinin kur do të vinte kjo Mbretëri. Madje, dishepujt e pyetën Jezuin: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mateu 24:3) Ai u përgjigj duke thënë se vetëm Perëndia Jehova e dinte me saktësi se kur do të vinte fundi i këtij sistemi. (Mateu 24:36) Po megjithatë, Jezui paratha disa gjëra që do të ndodhnin në tokë pikërisht para se Mbretëria të ndërhynte për të sjellë paqe e siguri të vërtetë për njerëzimin. Sot po ndodhin pikërisht ato gjëra që paratha ai.

3 Para se të shqyrtojmë provat se po jetojmë në ‘përfundimin e sistemit’, do të mësojmë shkurtimisht për një luftë që asnjë njeri s’ka pasur mundësi ta vëzhgojë. Kjo luftë u bë në qiejt e padukshëm, por përfundimi i saj ndikon te ne.

NJË LUFTË NË QIELL

4, 5. (a) Çfarë ndodhi në qiell pak pasi Jezui u bë Mbret? (b) Cila do të ishte pasoja e luftës në qiell, sipas Zbulesës 12:12?

4 Në kapitullin e mëparshëm të këtij libri, u shpjegua se Jezu Krishti u bë Mbret në qiell në vitin 1914. (Danieli 7:13, 14) Menjëherë më pas, Jezui hyri në veprim. Bibla thotë: «Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli [një emër tjetër i Jezuit] dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit [Satana Djallit]. Edhe dragoi bashkë me engjëjt e tij luftoi.» * Satanai dhe engjëjt e tij të ligj, demonët, e humbën këtë luftë dhe u hodhën nga qielli poshtë në tokë. Engjëjt besnikë të Perëndisë u gëzuan që Satanai dhe demonët ishin dëbuar prej andej. Kurse njerëzit në tokë nuk do ta kishin këtë gëzim. Bibla paratha: «Mjerë ti tokë . . ., sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!»Zbulesa 12:7, 9, 12.

5 Shqyrto me kujdes se cila do të ishte pasoja e luftës në qiell. Nga zemërimi i madh, Satanai do të sillte mjerime ose trazira për njerëzit në tokë. Siç do ta kuptosh nga ky kapitull, tani ne po jetojmë në këtë kohë mjerimesh. Por nuk do të zgjatë shumë, do të jetë ‘një periudhë kohe e shkurtër’. Një gjë të tillë e di edhe vetë Satanai. Këtë periudhë Bibla e quan «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1) Sa të lumtur jemi që, së shpejti, Perëndia do ta zhdukë ndikimin e Djallit nga toka! Le të shqyrtojmë disa gjëra që ishin parathënë në Bibël e që po ndodhin tani. Këto janë prova se po jetojmë në ditët e fundit dhe se, së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë bekime të përhershme për ata që e duan Jehovain. Së pari, të shqyrtojmë katër aspekte të shenjës që Jezui tha se do të dallonte kohën në të cilën po jetojmë.

NGJARJE KRYESORE TË DITËVE TË FUNDIT

6, 7. Si po përmbushen sot fjalët e Jezuit për luftërat dhe për mungesën e ushqimit?

6 «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Mateu 24:7) Gjatë shekullit të kaluar, miliona njerëz janë vrarë nëpër luftëra. Një historian britanik shkroi: «Shekulli i 20-të ishte shekulli më gjakatar në histori. . . . Ishte një shekull që pati pothuajse vazhdimisht luftëra, vetëm tek-tuk mund të ketë pasur periudha të shkurtra pa konflikte të armatosura në ndonjë vend.» Në një raport nga një organizatë që studion ngjarjet botërore, thuhet: «Në shekullin [e 20-të] pati tri herë më shumë viktima nga lufta, se në gjithë luftërat që nga shekulli i parë i e.s. deri në vitin 1899.» (Worldwatch Institute) Që nga viti 1914, më shumë se 100 milionë njerëz kanë vdekur si pasojë e luftërave. Ndoshta ne e kemi provuar dhembjen që vjen kur humbet një njeri të afërt në luftë, por mendo pak tani qindra milionë veta që e kanë provuar këtë dhembje dhe trishtim.

7 «Do të ketë mungesë ushqimi.» (Mateu 24:7) Studiuesit thonë se gjatë 30 viteve të kaluara, prodhimi i ushqimit është rritur shumë. Megjithatë, vazhdon të ketë mungesë ushqimi, sepse shumë njerëz nuk kanë para për të blerë ushqim, ose nuk kanë tokë ku të mbjellin prodhime. Në vendet në zhvillim, miliona e miliona veta vuajnë nga uria kronike. Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se të ushqyerit e keq është ndër shkaqet kryesore të vdekjes së më shumë se pesë milionë fëmijëve në vit.

8, 9. Cilat fakte tregojnë se profecitë e Jezuit për tërmetet dhe për murtajat janë përmbushur?

8 «Do të ketë tërmete të mëdha.» (Luka 21:11) Sipas një qendre për studime gjeologjike (U.S. Geological Survey), çdo vit pritet të ndodhin mesatarisht 19 tërmete të mëdha. Këto janë aq të fuqishme sa dëmtojnë ndërtesa dhe shkaktojnë çarje të tokës. Dhe mesatarisht, çdo vit ka pasur tërmete aq të forta, sa kanë shembur pallate të tëra. Regjistrime të disponueshme tregojnë se tërmetet kanë marrë mbi dy milionë jetë njerëzish që prej vitit 1900. Një burim thotë: «Përmirësimet në teknologji e kanë ulur fare pak numrin e vdekjeve.»

9 «Do të ketë . . . murtaja.» (Luka 21:11) Edhe pse janë bërë përparime në mjekësi, prapëseprapë sëmundje të reja e të vjetra vazhdojnë të godasin njerëzimin. Në një raport thuhet se dhjetëvjeçarët e fundit, 20 sëmundje të njohura, ku përfshihet tuberkulozi, malarja dhe kolera, janë bërë më të zakonshme. Kurse, për disa lloj sëmundjesh, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kurohen me ilaçe. Jo vetëm kaq, por janë shfaqur të paktën 30 sëmundje të reja. Disa prej tyre nuk dihet si kurohen dhe janë vdekjeprurëse.

SI DO TË JENË NJERËZIT NË DITËT E FUNDIT?

10. Cilat tipare që ishin parathënë te 2 Timoteut 3:1-5 sheh te njerëzit sot?

10 Përveçse tregonte disa ngjarje kryesore botërore, Bibla parathoshte se, në ditët e fundit, shoqëria njerëzore do të ndryshonte shumë. Apostulli Pavël përshkroi se si do të ishin njerëzit në përgjithësi. Te 2 Timoteut 3:1-5 lexojmë: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» Ndër të tjera, Pavli tha se njerëzit do të ishin

  • të dashuruar me veten

  • të dashuruar pas parave

  • të pabindur ndaj prindërve

  • të pabesë

  • pa përzemërsi të natyrshme

  • pa vetëkontroll

  • të egër

  • kënaqësidashës në vend se perëndidashës

  • që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij

11. Si e përshkruan Psalmi 92:7 atë që do t’u ndodhë të ligjve?

11 A janë bërë të tillë njerëzit aty ku banon ti? Me siguri që po. Kudo ka njerëz të ligj. Kjo tregon se, së shpejti, Perëndia do të veprojë, pasi Bibla thotë: «Të ligjtë mbijnë si bari dhe të gjithë ata që merren me të këqija, lulëzojnë, vetëm që të shfarosen përgjithmonë.»Psalmi 92:7.

NGJARJE POZITIVE

12, 13. Si është bërë e bollshme «njohuria e vërtetë» në këtë ‘kohë të fundit’?

12 Ditët e fundit janë mbushur vërtet me mjerime, siç kishte parathënë Bibla. Por, në këtë botë të trazuar, po ndodhin edhe ngjarje pozitive mes adhuruesve të Jehovait.

13 «Njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme»,—ishte parathënë në librin biblik të Danielit. Kur do të ndodhte kjo? Gjatë ‘kohës së fundit’. (Danieli 12:4) Sidomos që nga viti 1914, Jehovai i ka ndihmuar ata që vërtet duan t’i shërbejnë, që ta kuptojnë më shumë Biblën. Gjithnjë e më shumë, ata kanë kuptuar të vërteta të çmuara për emrin dhe qëllimin e Perëndisë, për flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit, për gjendjen e të vdekurve dhe për ringjalljen. Për më tepër, adhuruesit e Jehovait kanë mësuar të jetojnë në një mënyrë që u sjell dobi atyre dhe që i sjell lavdi Perëndisë së tyre. Gjithashtu kanë kuptuar gjithnjë e më qartë rolin e Mbretërisë së Perëndisë, dhe si do t’i rregullojë ajo gjërat në tokë. Për çfarë u shërben kjo njohuri? Kjo pyetje na drejton te një profeci tjetër që po përmbushet në këto ditë të fundit.

«Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.»Mateu 24:14

14. Sa është përhapur sot predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë? Cilët po e predikojnë këtë lajm?

14 «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar»,—tha Jezu Krishti në profecinë e tij për ‘përfundimin e sistemit’. (Mateu 24:3, 14) Lajmi i mirë për Mbretërinë, domethënë çfarë është Mbretëria, çfarë do të bëjë dhe si mund të marrim bekime prej saj, po predikohet në më shumë se 230 vende e në më tepër se 400 gjuhë përreth tokës. Miliona Dëshmitarë të Jehovait e predikojnë me zell lajmin e mirë për Mbretërinë. Këta vijnë nga «të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbulesa 7:9) Dëshmitarët drejtojnë studime biblike pa pagesë me miliona njerëz që duan të dinë se çfarë mëson vërtet Bibla. Përmbushja e kësaj profecie të bën vërtet përshtypje, sidomos ngaqë Jezui paratha se të krishterët e vërtetë ‘do t’i urrenin të gjithë’.Luka 21:17.

ÇFARË DO TË BËSH TI?

15. (a) A e beson se po jetojmë në ditët e fundit? Nëse po, pse? (b) Çfarë do të sjellë «fundi» për ata që i kundërvihen Jehovait dhe për ata që i nënshtrohen sundimit të Mbretërisë së Tij?

15 A nuk je dakord se po jetojmë në ditët e fundit, tani që ke parë se si po përmbushen kaq shumë profeci të Biblës? Pasi lajmi i mirë të jetë predikuar aq sa t’i pëlqejë Jehovait, «fundi» do të vijë me siguri. (Mateu 24:14) «Fundi» do të jetë koha kur Perëndia do të zhdukë ligësinë nga toka. Për të shkatërruar të gjithë ata që i kundërvihen me dashje, Jehovai do të përdorë Jezuin dhe engjëjt e fuqishëm. (2 Selanikasve 1:6-9) Satanai dhe demonët e tij nuk do t’i mashtrojnë më kombet. Pas kësaj, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë bekime të panumërta për të gjithë ata që i nënshtrohen sundimit të saj të drejtë.Zbulesa 20:1-3; 21:3-5.

16. Çfarë është e mençur të bësh?

16 Meqë fundi i sistemit të Satanait është afër, duhet të pyesim veten: ‘Çfarë duhet të bëj unë ndërkohë?’ Është e mençur të vazhdojmë të mësojmë më shumë rreth Jehovait dhe kërkesave të tij. (Gjoni 17:3) Studioje seriozisht Biblën. Bëje zakon të shoqërohesh rregullisht me ata që përpiqen të bëjnë vullnetin e Jehovait. (Hebrenjve 10:24, 25) Merr njohurinë e bollshme që Perëndia Jehova ua ka ofruar gjithë njerëzve në botë, e bëj ndryshimet e duhura në jetë, që të kesh miratimin e Perëndisë.Jakovi 4:8.

17. Pse shkatërrimi i të ligjve do t’i zërë në befasi shumë njerëz?

17 Jezui paratha se shumica e njerëzve do t’i shpërfillte provat që tregojnë se po jetojmë në ditët e fundit. Shkatërrimi i të ligjve do të vijë papritur e papandehur. Si një hajdut që vjen natën, do t’i zërë në befasi shumë njerëz. (1 Selanikasve 5:2) Jezui paralajmëroi: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.»Mateu 24:37-39.

18. Cilin paralajmërim të Jezuit duhet të marrim seriozisht?

18 Prandaj, Jezui u tha dëgjuesve të tij: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak. Sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë sipërfaqen e tokës. Rrini zgjuar dhe bëni përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin dhe të qëndroni [të miratuar] para Birit të njeriut.» (Luka 21:34-36) Duhet t’i marrim seriozisht fjalët e Jezuit. Përse? Sepse ata që kanë miratimin e Perëndisë Jehova dhe të «Birit të njeriut», pra Jezu Krishtit, do të kenë mundësi të mbijetojnë në fundin e sistemit të Satanait dhe të jetojnë përgjithmonë në botën e re të mrekullueshme që tani është kaq afër!Gjoni 3:16; 2 Pjetrit 3:13.

^ par. 4 Për informacione të tjera që tregojnë se emri Mikael është një emër tjetër i Jezu Krishtit, shih Shtojcën «Kush është kryeengjëlli Mikael?».