Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 6

Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

PERËNDIA e krijoi tokën që të ishte shtëpia e përsosur e njerëzimit. Fjala e tij thotë: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.»​—Psalmi 115:16.

Para se të krijonte njeriun e parë, Adamin, Perëndia zgjodhi një pjesë të vogël të tokës, të quajtur Eden, dhe atje mbolli një kopsht të bukur. Shkrimet thonë se lumenjtë Eufrat dhe Tigër (Hidekel) buronin në Eden. a Mendohet se kopshti i Edenit ndodhej në atë që sot është zona lindore e Turqisë. Po, kopshti i Edenit ekzistonte vërtet në tokë!

Perëndia e krijoi Adamin dhe e vendosi në kopshtin e Edenit «që ta punonte e të kujdesej për të». (Zanafilla 2:15) Më vonë, ai krijoi një grua për Adamin​—Evën. Perëndia e urdhëroi çiftin: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zanafilla 1:28) Sigurisht, Perëndia «nuk e krijoi më kot [tokën], por e formoi që të banohej».​—Isaia 45:18.

Mirëpo, Adami dhe Eva u rebeluan kundër Perëndisë duke shkelur me dashje ligjin e tij. Si rrjedhim, Perëndia i dëboi nga kopshti i Edenit. Njerëzit e humbën Parajsën. Dëmi i shkaktuar nga mëkati i Adamit solli pasoja të mëtejshme. Shkrimet thonë: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»​—Romakëve 5:12.

A hoqi dorë Jehovai nga qëllimi i tij fillestar, pra që toka të bëhej një parajsë ku të banonin njerëz të lumtur? Jo! Perëndia thotë: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:11) Parajsa do të rivendoset në tokë!

Si do të jetë jeta në Parajsë? Shqyrto disa premtime nga Shkrimet, që tregohen në dy faqet vijuese.

a Zanafilla 2:​10-14 thotë: «Nga Edeni dilte një lumë që ujiste kopshtin, dhe nga atje ai ndahej në katër degë. Emri i së parës është Pishon. . . . Emri i lumit të dytë është Gihon. . . . Emri i lumit të tretë është Hidekel [ose Tigër]. Ky shkon në lindje të Asirisë. Ndërsa lumi i katërt është Eufrati.» Vendndodhja dhe identiteti i dy lumenjve të parë nuk dihet.