Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi sukses në jetën familjare

Si të kemi sukses në jetën familjare

Kapitulli 29

Si të kemi sukses në jetën familjare

1. (a) Si u krijua familja? (b) Cili ishte qëllimi i Perëndisë për familjen?

KUR Perëndia Jehova krijoi burrin dhe gruan e parë, i bashkoi për të formuar një familje. (Zanafilla 2:21-24; Mateu 19:4-6) Qëllimi i Perëndisë ishte që ky çift bashkëshortor të shtohej duke lindur fëmijë. Kur të rriteshin, këta fëmijë do të martoheshin duke formuar secili familjen e tij. Qëllimi i Perëndisë ishte, që me kalimin e kohës, e gjithë toka të popullohej nga familje të lumtura, të cilat do të bënin një parajsë shumë të bukur.​—Zanafilla 1:28.

2, 3. (a) Përse nuk mund t’i vëmë fajin Perëndisë nëse në familje gjërat shkojnë keq? (b) Ç’është e nevojshme për të pasur sukses në jetën familjare?

2 Megjithatë, sot ekzistojnë familje të ndara e shumë prej tyre megjithëse janë të bashkuara, nuk janë të lumtura. Prandaj dikush mund të pyesë: «Nëse familja është krijuar me të vërtetë nga Perëndia, atëherë a nuk do të ishin më të mira rezultatet?» Megjithatë, nuk mund t’i vëmë faj Perëndisë nëse shumë martesa dështojnë. Një fabrikant mund të na japë bashkë me produktin edhe udhëzimet mbi përdorimin. Nëse blerësi nuk i ndjek udhëzimet dhe produkti nuk shkon mirë, a mos është vallë faji i fabrikantit? Sigurisht që jo. Produkti edhe pse është i përsosur, nuk shkon mirë sepse nuk është përdorur si duhet. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për familjen.

3 Perëndia Jehova na ka dhënë me anë të Biblës udhëzimet mbi jetën familjare. Por çfarë ndodh nëse nuk i marrim parasysh ato udhëzime? Megjithëse ndërtimi familjar është i përsosur, familja mund të ndahet. Familjarët nuk janë të lumtur. Ndërsa, nëse ndiqen udhëzimet biblike familja do të ketë sukses dhe do të jetë e lumtur. Pra, është e rëndësishme të kuptojmë, se si i ka formuar Perëndia pjesëtarët e ndryshëm të familjes dhe rolin që i ka vënë secilit prej tyre.

SI I KRIJOI PERËNDIA BURRIN DHE GRUAN

4. (a) Cilat dallime ekzistojnë në mes të burrit dhe gruas (b) Përse Perëndia i krijoi me këto dallime?

4 Është e dukshme që Jehovai nuk i bëri të njëjtë burrin dhe gruan. Është e vërtetë që në shumë aspekte janë të ngjashëm. Por kanë diferenca të dukshme si në pamjen fizike ashtu edhe në ndërtimin seksual. Ndryshojnë gjithashtu edhe nga ndjenjat. Përse këto ndryshime? Perëndia i bëri kështu për t’i lehtësuar në zgjidhjen e roleve përkatëse. Pasi krijoi burrin Perëndia tha: «Nuk është mirë që burri të jetë vetëm. Do t’i bëj një ndihmëse, si plotësuese të tij.»​—Zanafilla 2:18.

5. (a) Në ç’mënyrë gruaja qe bërë si «plotësuese» e burrit? (b) Ku u lidh martesa e parë? (c) Përse martesa mund të jetë me të vërtetë burim i lumturisë?

5 Një plotësuese është diçka që shkon mirë së bashku me diçka tjetër, duke e plotësuar atë. Perëndia e bëri gruan si një plotësuese të përshtatshme të burrit për ta ndihmuar në përmbushjen e udhëzimeve të dhëna nga Perëndia, popullimin dhe kujdesin ndaj tokës. Kështu, pasi e krijoi gruan nga një pjesë e burrit, Perëndia lidhi në kopshtin e Edenit martesën e parë «duke ia dhënë burrit». (Zanafilla 2:22; 1. Korintasve 11:8, 9) Martesa mund të jetë burim lumturie, sepse si burri ashtu edhe gruaja u bënë në mënyrë të tillë që të jenë në gjendje të plotësojnë nevojën e njëri-tjetrit. Cilësitë e tyre të ndryshme drejtëpeshohen anasjelltas. Kur burri dhe gruaja kuptohen, e vlerësojnë njëri-tjetrin dhe bashkëpunojnë në harmoni me rolet përkatëse, që të dy bëjnë punën e tyre për të ndërtuar një familje të lumtur.

ROLI I BURRIT

6. (a) Kush është vendosur si krye i familjes? (b) Përse kjo është e përshtatshme dhe praktike?

6 Martesa apo familja ka nevojë për një udhëheqje. Burri është pajisur në një masë më të madhe me veti dhe fuqi të nevojshme për të udhëhequr. Për këtë Bibla thotë: «Burri është kreu i gruas, ashtu si Krishti është kreu i kongregacionit.» (Efesianëve 5:22, 23) Ky është një parim praktik, sepse kur mungon udhëheqja lindin vështirësi dhe ngatërresa. Një familje pa një kryefamiljar do të ishte si një makinë pa timon. Dhe nëse gruaja do të kërkonte të konkurronte me autoritetin e burrit, do të ishte si një makinë me dy shoferë, secili me një timon të lidhur me njërën nga rrotat e përparme.

7. (a) Përse disa grave nuk u pëlqen idea që burri të jetë kryefamiljar? (b) A kanë të gjithë një mbi krye? Përse rregulli i Perëndisë në lidhje me autoritetin është i mençur?

7 Megjithatë, shumë grave nuk u pëlqen ideja, se burri duhet të jetë kryefamiljari. Një nga arsyet kryesore është se shumë burra nuk i kanë ndjekur udhëzimet e Perëndisë mbi ushtrimin e një autoriteti të drejtë. Krahas kësaj, është i pranueshëm fakti se një organizatë mund të funksionojë mirë vetëm nëse ekziston ndokush që e udhëheq dhe merr vendime përfundimtare. Për këtë, me të drejtë Bibla thotë: «Kreu i çdo burri është Krishti; në radhë të tij kreu i gruas është burri; e me radhë kreu i Krishtit është Perëndia.» (1. Korintasve 11:3) Sipas rregullit të Perëndisë, i vetmi që nuk ka ndonjë mbi krye është Perëndia. Të gjithë të tjerët, përfshirë edhe Jezu Krishtin, si edhe burrat e gratë, duhet të pranojnë udhëheqjen e dikujt dhe t’i nënshtrohen vendimeve të tij.

8. (a) Cilin shembull duhet të ndjekin burrat në ushtrimin e autoritetit? (b) Ç’mësim duhet të nxjerrin burrat nga ky shembull?

8 Kjo do të thotë se për të përmbushur rolin e tyre burrat duhet të pranojnë autoritetin e Krishtit. Gjithashtu, duhet të ndjekin shembullin e tij duke ushtruar autoritet mbi gratë e tyre ashtu si Krishti e ushtron mbi kongregacionin e ithtarëve të tij. Si i trajtonte Jezui ithtarët e tij tokësor? Gjithmonë me mirësjellje dhe konsideratë. Nuk ishte asnjëherë i ashpër apo i padurueshëm, edhe kur ishin të ngathët në ndjekjen e udhëzimeve të tij. (Marku 9:33-37; 10:35-45; Luka 22:24-27; Gjoni 13:4-15) Qe i gatshëm të japë edhe jetën për ta. (1. Gjonit 3:16) Burri i krishterë duhet të studiojë me kujdes shembullin e Krishtit dhe në mënyrën më të mirë ta imitojë në marrëdhëniet e tij me familjen. Kështu do të evitojë të jetë një kryefamiljar diktator, egoist dhe i pakujdesshëm i familjes.

9. (a) Për çfarë ankohen shumë gra? (b) Ç’gjë të mençur duhet të marrin parasysh burrat në ushtrimin e autoritetit?

9 Megjithatë, nga ana tjetër, burri duhet të marrë parasysh këtë: Gruaja ime, a ankohet sepse në të vërtetë nuk veproj si kryefamiljar? Apo ndoshta thotë se nuk marr iniciativën në shtëpi, në programimin e aktiviteteve familjare apo në marrjen e përgjegjësisë mbi vendimet përfundimtare? Por kjo është tamam ajo që kërkon Perëndia nga burri. Sigurisht, është mirë të dëgjohen propozimet dhe dëshirat e anëtarëve të tjerë të familjes dhe të merren parasysh në ushtrimin e autoritetit. Patjetër, si burrë të është besuar roli më i vështirë në familje. Por nëse bën një përpjekje të sinqertë për ta kryer, gruaja jote sigurisht do të shtyhet për të të ndihmuar e për të të përkrahur.​—Proverbat 13:10; 15:22.

PLOTËSIMI I ROLIT TË GRUAS

10. (a) Mbi çfarë i porosit Bibla gratë? (b) Çfarë ndodh kur gratë nuk e ndjekin këtë këshillë biblike?

10 Ashtu siç thotë edhe Bibla, gruaja është bërë si ndihmë për burrin. (Zanafilla 2:18) Në përputhshmëri me këtë rol, Bibla na nxit: «Gratë le t’u nënshtrohen burrave të tyre.» (Efesianëve 5:22) Sot është bërë e zakonshme që gratë të jenë agresive dhe t’u bëjnë konkurrencë burrave të tyre. Por kur gratë shtyhen përpara, duke kërkuar të marrin autoritetin, është pothuajse e sigurt që do të lindin probleme. Në fakt, shumë burra thonë: «Do të komandojë ajo? Le t’ia dalë mbanë atëherë!»

11. (a) Si mund ta ndihmojë gruaja burrin që të marrë iniciativën? (b) Nëse gruaja do ta kryejë rolin e saj të vënë nga Perëndia, çfarë ndikimi do të ketë sigurisht mbi burrin?

11 Nga ana tjetër, gruaja mund të ndihet e detyruar të marrë iniciativën sepse burri nuk e bën. Nëse është rasti yt, a mund ta ndihmosh më shumë në kryerjen e përgjegjësive të tij si kryefamiljar? A po tregon se e pret nga ai ushtrimin e autoritetit? A i kërkon sugjerime dhe udhëheqje? A eviton me çfarëdolloj mënyre që të mos ia zvogëlosh rëndësinë e asaj që bën? Nëse përpiqesh me të vërtetë të kryesh rolin që të ka vënë Perëndia në familje, ka mundësi që edhe burri yt të fillojë ta kryejë të vetin.​—Kolosianëve 3:18, 19.

12. Çfarë tregon se gruaja me të drejtë mund të shprehë mendimet e saj, edhe nëse ato nuk përshtaten me të burrit?

12 Kjo nuk do të thotë se gruaja nuk mund ta shprehë mendimin e saj vetëm pse ndryshon nga ai i burrit. Pikëpamja e saj mund të jetë e saktë dhe familja mund të përfitojë nëse burri e dëgjon. Sara, gruaja e Abrahamit, mbahet si shembull për gratë e krishtera për nënshtrimin ndaj burrit të saj. (1. Pjetrit 3:1, 5, 6) Megjithatë, një herë propozoi të zgjidhte në një mënyrë të caktuar një problem të familjes dhe duke mos qenë dakort Abrahami, Perëndia i tha: «Dëgjoje». (Zanafilla 21:9-12) Natyrisht, kur burri merr vendimin përfundimtar, gruaja duhet ta përkrahë, nëse nuk shkelet ligji i Perëndisë.​—Veprat 5:29.

13. Çfarë do të bëjë një grua e mirë dhe si do të ndikojë në familjen e saj?

13 Në përmbushjen e duhur të rolit të saj, gruaja mund të bëjë shumë për kujdesin ndaj familjes. Për shembull, mund të përgatisë gjellëra të ushqyeshme, ta mbajë shtëpinë të pastër dhe të rregullt dhe të ndihmojë në edukimin e fëmijëve. Bibla i nxit gratë e martuara «të duan burrat e tyre, të duan fëmijët e tyre, të jenë me mendje të shëndoshë, të dëlira, amvisa, të mira, të nënshtruara burrave të tyre, me qëllim që të mos flitet padrejtësisht mbi Fjalën e Perëndisë.» (Titi 2:4) Gruaja dhe nëna që plotëson këto detyra do të fitojë gjithmonë dashurinë dhe respektin e familjes.​—Proverbat 31:10, 11, 26-28.

VENDI I FËMIJËVE NË FAMILJE

14. (a) Cili është vendi i duhur i fëmijëve në familje? (b) Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga shembulli i Jezuit?

14 Jehovai e urdhëroi çiftin e parë njerëzor të shtohej e të ishte i frytshëm. (Zanafilla 1:28) Po, Perëndia u tha atyre të kenë fëmijë, të cilët duhet të ishin një bekim për familjen. (Psalmi 127:3-5) Fëmijët, duke qenë objekt i ligjit dhe urdhrit të prindërve, Bibla i krahason me pozicionin e skllevërve. (Proverbat 1:8; 6:20-23; Galatasve 4:1) Vetë Jezui, kur ishte fëmijë, iu nënshtrua prindërve të tij. (Luka 2:51) Kjo do të thotë se bindej, duke bërë atë që i thoshin. Sikur të gjithë fëmijët të vepronin në atë mënyrë, me siguri do t’i kontribuonin lumturisë së familjes.

15. Përse fëmijët shpeshherë janë burim pakënaqësish për prindërit?

15 Por, fëmijët sot, në vend që të jenë një bekim për familjen, shpesh janë burim dhimbjeje për prindërit. Përse? Sepse si fëmijët ashtu edhe prindërit nuk i zbatojnë udhëzimet biblike në lidhje me jetën familjare. Cilat janë disa nga ligjet dhe parimet e Perëndisë në lidhje me këtë? Le të shqyrtojmë disa në faqet që vijojnë. Gjatë shqyrtimit shiko nëse nuk je dakort që, duke i zbatuar, mund të kontribuosh në lumturinë e familjes tënde.

Duaje dhe nderoje gruan tënde

16. Cilat urdhra u janë dhënë burrave dhe si mund t’i kryejnë si duhet?

16 Duke pasqyruar diturinë hyjnore, Bibla thotë: «Burrat duhet t’i duan gratë si trupin e tyre.» (Efesianëve 5:28-30) Përvoja ka treguar vazhdimisht që gruaja për të qenë e lumtur duhet të ndihet e dashuruar. Kjo do të thotë se burri duhet të tregojë kujdes të veçantë për të, të jetë i butë, ta kuptojë dhe ta sigurojë. Si thotë edhe Bibla, duhet t’i «caktojë nderim». Këtë mund ta bëjë duke konsideruar gjithçka që ajo bën. Në këtë mënyrë do të fitojë respektin e saj.​—1. Pjetrit 3:7.

Respektoje burrin tënd

17. Cili urdhër u është dhënë grave dhe si mund ta kryejnë atë?

17 Ç’mund të themi për gruan? Bibla thotë: «Gruaja të ketë respekt të thellë për burrin.» (Efesianëve 5:33) Mungesa e zbatimit të kësaj këshille është një nga arsyet kryesore, që disa burra zemërohen me gratë. Gruaja tregon respekt për burrin duke ia mbështetur vendimet dhe duke bashkëpunuar në një shkallë të mirë me të, për të arritur pikësynimet familjare. Duke kryer rolin e caktuar nga Bibla si «ndihmëse dhe plotësuese» e burrit, gruaja do të bëjë që ai ta dojë.​—Zanafilla 2:18.

I qëndroni besnikë njëri-tjetrit

18. Përse shokët bashkëshortorë duhet të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit?

18 Bibla thotë: «Burri dhe gruaja duhet të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit.» (Hebrenjve 13:4) Burrit i thotë: «Gëzohu me gruan e rinisë tënde . . . përse, biri im, do të krenoheshe me kurorëshkelësen dhe do t’i puthje krahërorin gruas së huaj?» (Proverbat 5:18-20, St) Po, kurorëthyerja është kundër ligjit të Perëndisë; ajo shkakton probleme në martesë. «Shumë njerëz mendojnë se një akt kurorëthyerjeje e gjallëron martesën»,​—tha një studiuese e martesave, por shtoi gjithashtu, se marrëdhënie të tilla shkaktojnë gjithmonë «probleme konkrete».​—Proverbat 6:27-29, 32.

Mendoni për kënaqësinë e shokut bashkëshortor

19. Si mund të gjejnë shokët bashkëshortorë kënaqësinë më të madhe në marrëdhëniet seksuale?

19 Lumturia nuk arrihet vetëm me synimin e kënaqësisë personale seksuale. Ajo arrihet kur mendojmë edhe mbi kënaqësinë e shokut bashkëshortor. Bibla thotë: «Burri t’i japë gruas atë që duhet; por edhe gruaja të bëjë të njëjtën gjë ndaj burrit.» (1. Korintasve 7:3) Këtu është theksuar dhënia. Dhe ai që jep provon një kënaqësi të vërtetë. Si tha Jezu Krishti: «Ka më shumë lumturi në të dhënë, se në të marrë».​—Veprat 20:35.

Qëndroni së bashku me fëmijët tuaj

20. Përse është aq i rëndësishëm qëndrimi së bashku me fëmijët?

20 Një fëmijë rreth tetë vjeç ka thënë: «Babai im punon gjithë kohën. Kurrë nuk është në shtëpi. Më jep para dhe një thes me lodra, por nuk e shoh pothuajse asnjëherë. E dua shumë dhe nuk dëshiroj që ai të punojë gjatë gjithë kohës, kështu mund ta shoh më shumë. Sa e kënaqshme është jeta familjare nëse prindërit ndjekin urdhrin biblik mbi edukimin e fëmijëve «kur ulen në shtëpi dhe kur ecin nëpër rrugë dhe kur shtrihen dhe kur ngrihen!» Duke ndenjur së bashku me fëmijët, duke kaluar kohë me ta në mënyrë të dobishme, sigurisht që kontribuojmë në lumturinë familjare.​—Ligji i përtërirë 11:19; Proverbat 22:6.

Jepuni disiplinën e nevojshme

21. Çfarë thotë Bibla në lidhje me disiplinimin e fëmijëve?

21 Ati ynë qiellor u jep prindërve shembull të mirë duke i dhënë popullit të tij udhëzime korrigjuese, apo disiplinë. Fëmijët kanë nevojë për disiplinë. (Hebrenjve 12:6; Proverbat 29:15) Duke njohur këtë fakt Bibla këshillon: «Ju, baballarë, vazhdoni t’i edukoni fëmijët tuaj në disiplinë dhe në normën mendore të Jehovait.» Disiplina, edhe nëse mund të përmbledhë një pëllëmbë vitheve apo ndalimin e disa privilegjeve, është një provë se prindërit i duan fëmijët. Bibla thotë: «Kush e do birin e tij është në fakt ai që e disiplinon.»​—Efesianëve 6:4; Proverbat 13:24; 23:13, 14.

Të rinj​—kundërshtoni shprehitë e botës

22. Çfarë detyre kanë të rinjtë dhe çfarë do të thotë kryerja e saj?

22 Bota kërkon t’i shtyjë të rinjtë të shkelin ligjet e Perëndisë. Përveç kësaj, ashtu si thotë Bibla: «Çmenduria është e lidhur për zemrën e fëmijes.» (Proverbat 22:15, St) Prandaj duhet të luftojmë për të bërë atë që është e drejtë. Bibla thotë: «Ju djemtë, binduni prindërvet t’uaj mbë Zotinë; Sepse këjo ësht’ e-drejtë.» Kjo do të sjellë shpërblime të mëdha. Prandaj, fëmijë jini të mençur. Dëgjojeni këtë këshillë: «Kujtoje Krijuesin tënd ndërsa je akoma i ri.» Kundërshtoni tundimet nga përdorimi i drogës, dehja, kurvëria dhe gjëra të tjera që janë në kundërshtim me ligjet e Perëndisë.​—Efesianëve 6:1-4, BK; Eklisiastiu 12:1; Proverbat 1:10-19.

Studioni së bashku Biblën

23. Çfarë dobie sjell për familjen studimi i Biblës së bashku?

23 Nëse një nga familja studion Biblën dhe e vë në praktikë, kjo do të kontribuojë në lumturinë familjare. Por nëse e bëjnë të gjithë​—burrë, grua dhe fëmijë​—çfarë familje e lumtur do të jetë! Pjesëtarët e familjes do të jenë të fortë, atmosfera e ngrohtë, do të flitet lirshëm dhe secili do të kërkojë të ndihmojë të tjerët për t’i shërbyer Perëndisë Jehova. E bëni pra shprehi studimin së bashku të Biblës si familje!​—Eklisiastiu 6:4-9; Gjoni 17:3.

ZGJIDHJA ME SUKSES E PROBLEMEVE FAMILJARE

24. Përse secili bashkëshort nuk duhet t’ua vër veshin gabimeve të tjetrit?

24 Bile edhe në familje normalisht të lumtura, kohë pas kohe lindin probleme. Kjo sepse të gjithë jemi të papërsosur dhe gabojmë. Bibla thotë: «Të gjithë shpesh gabojmë». (Jakovit 3:2, St) Prandaj, bashkëshortët nuk duhet të pretendojnë përsosmërinë nga njëri-tjetri. Ndërsa secili nuk duhet t’i vër re gabimet e tjetrit. Pra, asnjëri nga të dy nuk duhet të presë një martesë përsosmërisht të lumtur, sepse kjo është përtej mundësive të njerëzve të papërsosur.

25. Si mund të zgjidhen me dashuri problemet bashkëshortore?

25 Natyrisht, si burri ashtu edhe gruaja do të shmangin gjërat që e mërzisin shokun bashkëshortor. Por me të gjitha përpjekjet, ndonjëherë do të bëjnë gjëra që e zemërojnë tjetrin. Si duhet të përballohet kjo vështirësi? Ja, çfarë këshillon Bibla: «Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.» (1. Pjetrit 4:8) Kjo do të thotë se bashkëshortët që duhen nuk vazhdojnë të rrëmojnë gabimet reciproke. Dashuria në fakt thotë: «Është e vërtetë, ke bërë një gabim. Por ndonjëherë bëj edhe unë. Prandaj unë nuk po ua vë veshin të tuave dhe ti mos ua vër të miave.»​—Proverbat 10:12; 19:11.

26. Kur lind ndonjë problem, çfarë e lehtëson zgjidhjen e tij?

26 Nëse bashkëshortët janë gati që të pranojnë gabimet dhe kërkojnë të përmirësohen, mund të shmangen shumë pakënaqësi dhe diskutime. Edhe nëse shoku yt bashkëshortor nuk ka të drejtë, me mirësjelljen tënde mund ta lehtësosh zgjidhjen e problemeve. Nëse je në gabim, me përulësi kërko falje. Mos e shty për më vonë; zgjidhe problemin pa ngurruar. «Djelli letë mos perëndonjë mbë zemërimt t’uaj.»​—Efesianëve 4:26, BK.

27. Cilat këshilla biblike do t’i ndihmojnë bashkëshortët për zgjidhjen e problemeve të tyre?

27 Kush është i martuar ka veçanërisht nevojë të ndjekë normën: «Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve.» (Filipianëve 2:4, DSF) Duhet t’i bindemi këtij urdhri biblik: «Vishuni . . . me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtni, me butësi, me duresë. Duroni njëri-tjetrin dhe falni njëri-tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti [Jehovai, NW] u fali ju, po ashtu bëni edhe ju! E mandej, përmbi të gjitha vishuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet.»​—Kolosianëve 3:12-14, DSF.

28. (a) A është ndarja mënyra që zgjidh problemet bashkëshortore? (b) Sipas Biblës, cili është i vetmi motiv për ndarje që të lë të lirë të martohesh sërish?

28 Sot, shumë çifte nuk e pranojnë ndihmën e këshillave që jep Fjala e Perëndisë për zgjidhjen e problemeve dhe shkojnë drejt ndarjes. A e aprovon Perëndia zgjidhjen e problemeve me anë të ndarjes? Jo. (Malakia 2:15, 16) Pikësynimi i tij ishte që martesa të zgjasë për gjithë jetën. (Romakëve 7:2) Bibla pranon një arsye të vetme për ndarje që i lejon personit të martohet përsëri: kurvëria (greqisht, pornéia, imoralitet i rëndë seksual). Në rast kurvërie, shoku i pafajshëm bashkëshortor mund të vendosë të ndahet apo jo.​—Mateu 5:32.

29. (a) Çfarë duhet të bësh nëse shoku yt bashkëshortor nuk dëshiron të marrë pjesë me ty në adhurimin e krishterë? (b) Cili mund të jetë rezultati?

29 Ç’mund të themi nëse shoku yt bashkëshortor nuk dëshiron të studiojë bashkë me ty Fjalën e Perëndisë apo arrin deri aty sa të kundërshtojë veprimtarinë tënde të krishterë? Bibla na inkurajon që të qëndrojmë njëlloj me shokun bashkëshortor dhe mos ta konsiderojmë ndarjen një rrugëdalje të lehtë. Personalisht bëj gjithçka që është e mundur për të përmirësuar situatën në familje, duke vënë në praktikë këshillat biblike në lidhje me sjelljen tënd. Me kohë, në saje të sjelljes tënde të krishterë, mund t’ia dalësh mbanë të fitosh shokun tënd bashkëshortor. (1. Korintasve 7:10-16; 1. Pjetrit 3:1, 2) Dhe çfarë bekimi do të jetë të shohësh në këtë mënyrë të shpërblehet durimi yt i dashur!

30. Përse është aq e rëndësishme që prindërit t’u japin fëmijëve shembull të mirë?

30 Sot, në shumë familje problemet janë të lidhura me fëmijët. Çfarë mund të bësh nëse ky rast i përket familjes tënde? Së pari, si prindër duhet të jepni shembull të mirë. Në të vërtetë, fëmijët janë të prirë më shumë të ndjekin shembullin tuaj, sesa atë që thoni. Dhe kur veprimet tuaja bien në kundërshtim me atë që thoni, fëmijët e kuptojnë shpejt. Pra, nëse doni që fëmijët tuaj të jenë të krishterë të mirë, ju së pari duhet të jepni shembullin tuaj.​—Romakëve 2:21, 22.

31. (a) Cila është arsyeja më e rëndësishme që duhet të njohin fëmijët për t’iu bindur këshillave të prindërve? (b) Si mund t’ia shpjegoni fëmijës suaj, që është e mençur t’i bindemi ligjit të Perëndisë mbi ndalimin e kurvërisë?

31 Gjithashtu duhet të arsyetoni me fëmijët. Nuk mjafton t’u thuhet: «Nuk dua që të bësh kurvëri, sepse është e gabuar.» Është e nevojshme t’i shpjegohet fëmijëve që është Perëndia Jehova, Krijuesi i tyre që thotë, se kurvëria dhe gjëra të tjera të ngjashme janë të gabuara. (Efesianëve 5:3-5; 1. Selanikasve 4:3-7) Por edhe kjo nuk mjafton. Fëmijët duhet t’i ndihmoni të kuptojnë, se përse duhet t’u binden ligjeve të Perëndisë dhe çfarë dobie nxjerrin prej tyre. Për shembull, mund t’i tërhiqni vëmendjen birit tuaj, se si në një mënyrë të mrekullueshme bashkimi i një spermatozoidi mashkull me një vezë femër jep formimin e një fëmije dhe ta pyesni: «A nuk mendon, se Ai që e ka bërë të mundur mrekullinë e lindjes e di se cila është mënyra më e mirë e përdorimit të aftësisë prodhuese me të cilën i ka pajisur?» (Psalmi 139:13-17) Apo, mund ta pyesësh: «A mendon se Krijuesi ynë i madh do të bënte një ligj, për të na ndaluar gëzimin e jetës? A nuk beson se po t’u bindeshim ligjeve të tij do të ishim më të lumtur?»

32. (a) Si duhet të veprosh, nëse mendimet e fëmijës tënd nuk janë në përputhje me ato të Perëndisë? (b) Çfarë mund ta ndihmojë birin tënd për të kuptuar mençurinë e asaj që thotë Bibla?

32 Pyetje të tilla mund ta ndihmojnë fëmijën të fillojë të arsyetojë mbi ligjin e Perëndisë që rregullon përdorimin e organeve të riprodhimit. Inkurajoje të shprehë mendimet e tij. Nëse nuk mendon si duhet, mos u zemëro. Përpiqu të kuptosh, se brezi të cilit i përket biri yt është larguar shumë nga mësimet e drejta të Biblës; mundohu t’i shpjegosh, se praktikat seksuale të brezit të tij nuk janë të mençura. Ndoshta mund të tërheqësh vëmendjen e tij me ndonjë shembull të veçantë në të cilën imoraliteti seksual ka shkaktuar lindje të paligjshme, sëmundje veneriane apo shqetësime të tjera. Në këtë mënyrë e ndihmon të kuptojë logjikën dhe drejtësinë e asaj që thotë Bibla.

33. Si mund të na ndihmojë shpresa biblike e të jetuarit përgjithmonë në parajsë mbi tokë që të kemi sukses në jetën familjare?

33 Kryesisht, shpresa biblike e të jetuarit përgjithmonë në parajsë mbi tokë mund të na ndihmojë që të kemi sukses në jetën familjare. Përse? Sepse, nëse duam me të vërtetë të jetojmë në sistemin e ri të Perëndisë do të përpiqemi sinqerisht që tani të jetojmë në atë mënyrë që shpresojmë të jetojmë atëherë. Kjo do të thotë që do të ndjekim me përpikmëri udhëzimet dhe udhëheqjen e Perëndisë Jehova. Si rezultat, Perëndia Jehova do ta kurorëzojë lumturinë tonë aktuale me gëzimet e jetës së përhershme dhe të lumurisë së pafund në përjetësinë që presim.—Proverbat 3:11-13 Proverbat 3:11-18.

[Pyetjet]