Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për botën e Satanait apo për sistemin e ri të Perëndisë?

Për botën e Satanait apo për sistemin e ri të Perëndisë?

Kapitulli 25

Për botën e Satanait apo për sistemin e ri të Perëndisë?

1. Çfarë tregon se je në të vërtetë për sistemin e ri të Perëndisë?

A JE PËR sistemin e ri të Perëndisë dhe a dëshiron që ai të vijë? A je kundër Satanait dhe a dëshiron që bota e tij të marrë fund? Ndoshta për të dy pyetjet përgjigjesh, po. Por, a mjafton kjo? Një proverb i vjetër thotë se veprat flasin më tepër, sesa fjalët. Nëse beson në sistemin e ri të Perëndisë, këtë do ta tregojë mënyra jote e të jetuarit.​—Mateu 7:21-23; 15:7, 8.

2. (a) Cilët janë dy pronarët që mund të shërbehen? (b) Çfarë tregon se skllevër apo shërbëtorë të kujt jemi?

2 Mënyra jote e jetës mund t’i pëlqejë vetëm njërit nga të dy pronarët. Ose i shërben Perëndisë Jehova ose Satana Djallit. Kjo gjë kuptohet edhe nga ky parim biblik: «A nuk e dini se: nëse jeni robër të ndokujt atij duhet edhe t’i nënshtroheni, robër jeni të atij që i nënshtroheni.» (Romakëve 6:16, St) Kujt i nënshtrohesh? Vullnetin e kujt kryen? Pavarësisht nga përgjigjja, nëse ti ndjek rrugët e padrejta të botës, nuk je duke i shërbyer Perëndisë së vërtetë Jehova.

BOTA E SATANAIT: ÇFARË ËSHTË AJO?

3. (a) Sipas Biblës, kush është qeveritari i botës? (b) Si e bëri Jezui në lutje dallimin mes botës dhe dishepujve të tij?

3 Jezui e quajti Satanain «sundimtari i kësaj bote». Dhe aspostulli Gjon tha: «Mbarë bota është nën pushtetin e Satanait.» (Gjoni 12:31; 1. Gjonit 5:19, Dhiata e Re dhe Psalmet) Vër re, se duke iu drejtuar Perëndisë në lutje, Jezui nuk i përfshiu dishepujt e tij me botën e Satanait. Ai tha: «Unë lutem për ta [për dishepujt]; nuk lutem për botën . . . Ata nuk bëjnë pjesë në botë, ashtu si edhe unë nuk bëj pjesë në botë.» (Gjoni 17:9, 16; 15:18, 19) Nga kjo është qartësisht e dukshme, se të krishterët e vërtetë duhet të mbahen të ndarë nga bota.

4. (a) Kujt i referohet shprehja «bota» tek Gjoni 3:16? (b) Ç’është «bota» prej së cilës ithtarët e Krishtit duhet të ndahen?

4 Por kujt i referohej Jezui me shprehjen «bota»? Në Bibël «bota» tregon ndonjëherë vetëm njerëzimin në përgjithësi. Perëndia dërgoi Birin e tij që të jepte jetën si shpërblim për botën e njerëzimit. (Gjoni 3:16) Por, Satanai e ka organizuar pjesën më të madhe të njerëzve në mënyrë që t’i kundërvihen Perëndisë. Pra, bota e Satanait është shoqëria e organizuar njerëzore, jashtë organizatës së dukshme të Perëndisë apo e ndarë prej saj. Të krishterët e vërtetë duhet të mbahen të ndarë nga kjo botë.​—Jakovit 1:27.

5. Cili është njëri prej elementeve të rëndësishëm të botës dhe me ç’gjë e krahason Bibla?

5 Bota e Satanait​shoqëria njerëzore e organizuar prej tij​formohet nga përbërës të ndryshëm të lidhur ngushtë në mes tyre. Një element i rëndësishëm është feja e rreme. Në Bibël ajo përshkruhet si «lavirja e madhe», e quajtur «Babilonia e Madhe». Është një perandori e përbotshme, siç duket edhe nga fakti që «mbretëron mbi mbretërit e tokës.» (Zbulesa 17:1, 5, 18) Por, cila është prova që «Babilonia e Madhe» është një perandori botërore fetare?

6, 7. (a) Ç’tregon se Babilonia e Madhe është një perandori fetare? (b) Ç’lidhje ka mes fesë së rreme dhe qeverive politike?

6 Pasi thuhet, se «mbretërit e tokës» ‘kryejnë kurvëri’ me të, Babilonia e Madhe nuk mund të jetë një perandori botërore politike. Dhe pasi «tregtarët udhëtues» të tokës nga larg qajnë me pikëllim për shkatërrimin e saj, ajo nuk mund të jetë një perandori botërore tregtare. (Zbulesa 17:2; 18:15) Deklarata biblike, sipas së cilës me anë të «praktikave të saj spiritiste u mashtruan gjithë kombet», tregon se me të vërtetë bëhet fjalë për një perandori fetare.​—Zbulesa 18:23.

7 Një provë tjetër se Babilonia e Madhe është një perandori fetare, përbën lidhja e saj me një «egërsirë të egër». Në Bibël këto egërsira të egra përfaqësojnë qeveritë politike. (Danieli 8:20, 21) Babilonia e Madhe përshkruhet ndërsa «rri ulur mbi një egërsirë me ngjyrë të kuqe të ndezur, që ka shtatë kokë dhe dhjetë brirë». Pra, ajo kërkon të japë urdhra e të ushtrojë ndikim mbi këtë «egërsirë të egër» apo qeveri botërore. (Zbulesa 17:3) Dhe dihet se gjatë historisë feja është përzier në politikë, duke u thënë shpesh qeverive se ç’duhet të bëjnë. Me të vërtetë «ka mbretëruar . . . mbi mbretërit e tokës.»​—Zbulesa 17:18, St.

8. Cili është një tjetër element i rëndësishëm i botës së Satanait dhe si janë simbolizuar në Bibël?

8 Këto qeveri politike përbëjnë një tjetër element të rëndësishëm të botës së Satanait. Siç e kemi parë tashmë, në Bibël këto paraqiten si egërsira. (Danieli 7:1-8, 17, 23) Se këto qeveri, të krahasuara me egërsira e marrin pushtetin nga Satanai, tregohet nga një vizion i shkruar nga apostulli Gjon: «Pashë të ngjitej nga deti një bishë e egër, me dhjetë brirë e shtatë kokë . . . Dhe dragoi ia dha bishës fuqinë e vet.» (Zbulesa 13:1, 2; 12:9) Një provë e mëtejshme se këto mbretëri apo qeveri bëjnë pjesë në botën e Satanait, është fakti që Satanai e tundoi Jezuin duke ia ofruar këto mbretëri. Satanai nuk do të mund ta bënte këtë, sikur të mos ishte qeveritari i tyre.​—Mateu 4:8, 9.

9. (a) Si e përshkruan Zbulesa 18:11 një tjetër përbërës të botës së Satanait? (b) Çfarë bën dhe nxit ai, duke pohuar se manovrohet prej Satanait?

9 Sistemi egoist dhe tiranik tregtar, i paraqitur në Zbulesë me shprehjen «tregtarët udhëtues», është një tjetër element i rëndësishëm i botës së Satanait. Ky sistem tregtar nxit tek njerëzit dëshirën egoiste për arritjen e prodhimeve të tij edhe pse nuk u janë të nevojshme, madje edhe atëherë kur pa to, ndoshta do të ishin më mirë. Sistemi egoist tregtar grumbullon ushqime nëpër depo, duke lënë njëkohësisht të vdesin urie me miliona njerëz që nuk kanë para për t’i blerë këto ushqime. Nga ana tjetër, me qëllim fitimi, prodhohen dhe shiten armë që mund të shkatërrojnë gjithë racën njerëzore. Në këtë mënyrë, sistemi tregtar i Satanait, së bashku me fenë e rreme dhe qeveritë politike, nxit egoizmin, kriminalitetin dhe luftërat e tmerrshme.

10, 11. (a) Cila është një shenjë tjetër e botës së Satanait? (b) Çfarë paralajmërimesh jep Bibla mbi të?

10 Shoqëria e organizuar njerëzore, nën pushtetin e Satana Djallit është me të vërtetë e ligë dhe e korruptuar. U kundërvihet ligjeve të drejta të Perëndisë dhe është e mbushur me çdo lloj praktike imorale. Mund të themi, pra, se mënyra e shthurur dhe imorale e të jetuarit, është një tjetër aspekt i botës së Satanait. Për këtë arsye apostujt Pavël dhe Pjetër i paralajmëruan të krishterët që të shmangeshin prej sjelljes së ligë të njerëzve nga kombet.​—Efesianëve 2:1-3; 4:17-19; 1. Pjetrit 4:3, 4.

11 Edhe apostulli Gjon theksoi nevojën që të krishterët të ruheshin nga dëshirat e gabuara dhe sjellja imorale e botës. Ai shkroi: «Mos e doni botën as sendet që i përkasin botës. Nëse ndokush e do botën, në të nuk është dashuria e Atit. Sepse çdo gjë që është e botës: lakmia e mishit dhe e gjakut, lakmia e syve dhe krenaria e jetës​—nuk është prej Atit, por vjen prej botës.» (1. Gjonit 2:15, 16, DSF) Dishepulli Jakov tha: «Kushdo, prandaj, do të jetë mik me botën, shndërrohet në armik me Hyun [Perëndinë, NW].»​—Jakovit 4:4, DSF.

SI TË EVITOHET PJESËMARRJA NË BOTË?

12, 13. (a) Si tregoi Jezui se të krishterët duhet të jetojnë në botë? (b) Si është e mundur të jetohet në botë pa qenë pjesë e saj?

12 Derisa ekziston bota e Satanait, të krishterët janë të detyruar të jetojnë në të. Jezui e tregoi këtë, kur në një lutje drejtuar Atit të tij, tha: «Unë të lutem, jo që t’i heqësh nga bota.» Mandej, duke folur gjithnjë për ithtarët e tij, shtoi: «Ata nuk bëjnë pjesë në botë.» (Gjoni 17:15, 16) Por, si mund të jetohet në botën e Satanait dhe njëkohësisht të mos jesh pjesë e saj?

13 Pra, ne jetojmë mes njerëzish që përbëjnë shoqërinë e sotme të organizuar njerëzore. Mes tyre ka imoralë, lakmitarë e të tjerë që bëjnë gjëra të gabuara. Ndoshta punojmë me ta, shkojmë në shkollë me ta apo kryejmë punë të tjera bashkë me ta. (1. Korintasve 5:9, 10) Duhet edhe t’i duam, siç bën Perëndia. (Gjoni 3:16) Por, i krishteri i vërtetë nuk do veprimet e tyre të liga. Ai nuk pajtohet me qëndrimin e tyre, me mënyrën e tyre të jetës apo aspiratat e tyre. Ai nuk ka kurrfarë lidhje me fenë dhe politikën e tyre të korruptuar. Madje, edhe pse i duhet të punojë në botën tregtare, për të siguruar jetesën e vet, nuk u drejtohet praktikave të pandershme, dhe as që e shndërron fitimin e të mirave materiale në qëllim kryesor të jetës së tij. Pasi është për sistemin e ri të Perëndisë, ai shmanget nga shoqëria e ligë e përkrahësve të botës së Satanait. (1. Korintasve 15:33; Psalmet 1:1; 26:3-6, 9, 10) Si rrjedhojë, ai jeton në botën e Satanait, por nuk është pjesë e saj.

14. Cilin urdhër biblik do të ndjekësh nëse je për sistemin e ri të Perëndisë?

14 Ç’mund të themi për ty? A dëshiron të bësh pjesë në botën e Satanait? Apo je për sistemin e ri të Perëndisë? Nëse je për sistemin e ri të Perëndisë, duhet të qëndrosh i ndarë nga bota, duke përfshirë edhe fenë e saj të rreme. Do t’i kushtosh vëmendje urdhrit biblik: «Dilni nga ajo [Babilonia e madhe], populli im.» (Zbulesa 18:4) Për të dalë nga Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, nuk mjafton vetëm prerja e çdo lloj marrëdhënieje me fetë e rreme. Duhet që të mos kemi të bëjmë fare me festat fetare të botës.​—2. Korintasve 6:14-18.

15. (a) Cilën ngjarje duhet të kujtojnë të krishterët, në vend të lindjes së Jezuit? (b) Përse Jezui nuk mund të ketë lindur gjatë dimrit të ftohtë? (c) Përse 25 dhjetori u zgjodh si datë e festimit të lindjes së Jezuit?

15 Sot, Krishtlindjet janë një festë e rëndësishme fetare. Por, historia tregon se të krishterët e parë nuk e festonin. Jezui u tha ithtarëve të tij që të mbanin një përkujtim të vdekjes së tij e jo të lindjes. (1. Korintasve 11:24-26) Në fakt, Jezui nuk lindi më 25 dhjetor. Nuk qe e mundur, sepse Bibla tregon se në kohën e lindjes së tij barinjtë ishin ende fushave natën. Nuk do të kishin qenë aty gjatë stinës së ftohtë e me shi të dimrit. (Luka 2:8-12) Siç lexojmë në The World Book Encyclopedia, dita e 25 dhjetorit u zgjodh në fakt, për të festuar ditëlindjen e Jezuit, sepse «populli i Romës e mbante tashmë atë si Festën e Saturnit, duke festuar ditëlindjen e diellit.».

16. (a) Cila festë tjetër e rëndësishme fetare nuk ka origjinë të krishterë? (b) Për cilat shkaqe të arsyeshme të krishterët nuk i festojnë Krishtlindjet dhe Pashkët?

16 Pashkët janë një tjetër festë e rëndësishme fetare e krishterimit. Me to lidhen festimet e javës së shenjtë. Por as kjo festë nuk festohej nga të krishterët e parë dhe e ka origjinën nga tradita pagane. Encyclopœdia Britannica thotë: «Asgjë në Besëlidhjen e Re nuk na tregon se mbahej festa e Pashkëve» të krishterimit. Por, ç’rëndësi ka që Krishtlindjet dhe Pashkët nuk janë festa të krishtere dhe se e kanë origjinën nga adhurues të perëndive të rreme? Apostulli Pavël paralajmëroi që të mos përzihej e drejta me gënjeshtrën, duke thënë: «Pak tharm e mbrun të gjithë brumin.» (Galatasve 5:9, DSF) Disa të krishterëve të parë u tha se ishte e gabuar të mbaheshin disa ditë të respektuara nën ligjin e Moisiut, por që Perëndia i kishte shfuqizuar për të krishterët. (Galatasve 4:10, 11) Sa më e rëndësishme është që sot të krishterët e vërtetë të qëndrojnë larg nga festa që Perëndia kurrë nuk ka thënë se duhen festuar dhe që rrjedhin nga feja e rreme!

17. (a) Ç’të keqe kanë festat për nder të njerëzve të famshëm apo kombeve? (b) Si duhet të veprojnë të krishterët në përputhshmëri me Biblën?

17 Të tjera festa në botë mbahen për nder të njerëzve të famshëm. Të tjera nderojnë dhe lartësojnë kombe apo organizata botërore. Por Bibla paralajmëron që të mos u bëjmë nderime idhujtarie njerëzve dhe të mos besojmë se organizatat njerëzore mund të bëjnë atë që vetëm Perëndia do ta bëjë. (Veprat 10:25, 26; 12:21-23; Zbulesa 19:10; Jeremia 17:5-7) Prandaj, festat që nderojnë një njeri apo një organizatë njerëzore nuk janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë dhe të krishterët e vërtetë nuk marrin pjesë në to.​—Romakëve 12:2.

18. (a) Çfarë sendesh kanë bërë njerëzit me qëllim adhurimi apo nderimi? (b) Çfarë thotë ligji i Perëndisë mbi nderimin në shenjë idhujtarie ndaj ndonjë sendi?

18 Njerëzit kanë bërë shumë sende për të cilat i thuhet popullit se duhen nderuar apo adhuruar. Disa janë prej metali apo prej druri. Disa të tjera prej pëlhure, mbi të cilat mund të jetë qepur apo pikturuar një figurë e diçkaje që është në qiell ose mbi tokë. Një komb mund të nxjerrë një ligj që u imponon të gjithëve nderime idhujtarie ndaj një sendi të tillë. Por ligji i Perëndisë thotë se shërbëtorët e tij nuk duhet të bëjnë një gjë të tillë. (Dalja 20:4, 5; Mateu 4:10) Çfarë kanë bërë në situata të tilla shërbëtorët e Perëndisë?

19. (a) Çfarë urdhëroi për të gjithë mbreti babilonas? (b) Cilin shembull bëjnë mirë të ndjekin të krishterët?

19 Në Babiloninë e lashtë, mbreti Nabukodonosor ndërtoi një statujë të madhe ari dhe urdhëroi që të gjithë të përkuleshin para saj. «Kushdo që nuk do të përkulet,​—tha ai,​—do të hidhet në furrën e zjarrtë.» Bibla thotë se tre të rinj hebrenj, Sadraku, Mesaku dhe Abednegu, refuzuan t’i bindeshin urdhrit të mbretit. Përse? Sepse në atë mes ishte adhurimi dhe ky i takonte vetëm Jehovait. Perëndia e miratoi sjelljen e tyre dhe i shpëtoi nga zemërimi i mbretit. Madje, mbreti Nabukodonosor, pasi e kuptoi se këta shërbëtorë të Jehovait nuk përbënin rrezik për shtetin, nxori një ligj për të mbrojtur lirinë e tyre. (Danieli 3:1-30) A nuk është e admirueshme besnikëria e atyre tre të rinjve? A do të tregosh se je me të vërtetë për sistemin e ri të Perëndisë, duke iu bindur të gjitha ligjeve të Perëndisë?​—Veprat 5:29.

20. Cilat janë mjetet e ndryshme që shfrytëzon Satanai për të na nxitur në thyerjen e ligjeve të Perëndisë mbi moralin seksual?

20 Satanai, natyrisht, nuk do që t’i shërbejmë Jehovait. Do që t’i shërbejmë atij. Prandaj përpiqet të na shtyjë për të bërë atë që ai do, sepse e di se bëhesh skllav apo shërbëtor i atij, të cilit i bindesh. (Romakëve 6:16) Me mjete të ndryshme, mes të cilave televizioni, kinemaja, publikimet imorale e disa lloj vallëzimesh, Satanai nxit marrëdhëniet seksuale në mes të pamartuarve, si edhe kurorëthyerjen. Një sjellje e tillë tregohet si e pranueshme, madje e rregullt. Por, ajo është në kundërshtim me ligjet e Perëndisë. (Hebrenjve 13:4; Efesianëve 5:3-5) Dhe kush ndjek një sjellje të tillë, tregon në realitet, se mbështet botën e Satanait.

21. Cilat vepra të tjera do të zbulonin se jemi për botën e Satanait?

21 Ka edhe gjëra të tjera të popullarizuara në botën e Satanait, por që janë në kundërshtim me ligjet e Perëndisë. Një prej tyre është dehja. (1. Korintasve 6:9, 10) Një tjetër është përdorimi i tepërt i drogërave të tilla si marihuana dhe heroina, mandej edhe pirja e duhanit. Këto gjëra i bëjnë keq trupit dhe janë të papastra. Ai që i përdor ato dhunon hapur urdhrin e Perëndisë që «të pastrohemi . . . nga çdo ndyrësi e trupit dhe e frymës.» (2. Korintasve 7:1) Duhani dëmton edhe shëndetin e të tjerëve, sepse kush është afër detyrohet të thithë atë ajër; prandaj duhanxhiu dhunon edhe ligjin e Perëndisë që i urdhëron të krishterët të duan të afërmin.​—Mateu 22:39.

22. (a) Çfarë thotë Bibla mbi gjakun? (b) Përse nuk ka ndryshim në mes të transfuzionit të gjakut dhe «ngrënies» së tij? (c) Ç’tregon se «të përmbahesh nga gjaku» do të thotë që të mos e futësh fare në trupin tënd?

22 Në pjesë të ndryshme të botës është e zakonshme ngrënia e gjakut. Hahen kafshë të papastruara siç duhet nga gjaku, apo gjaku i rrjedhur përdoret për qëllime ushqimi. Por, Fjala e Perëndisë e ndalon ngrënien e gjakut. (Zanafilla 9:3, 4; Levitiku 17:10) Ç’mund të themi për transfuzionin e gjakut? Disa mund të mendojnë se transfuzioni i gjakut nuk është i njëjtë me «ngrënien» e tij. Por, a nuk është e vërtetë, se kur një pacient nuk është në gjendje të hajë nga goja, shpeshherë mjeku porosit ta ushqejnë me të njëjtën metodë që jepet edhe transfuzioni i gjakut? Bibla thotë: «Përmbahuni nga . . . gjaku.» (Veprat 15:20, 29) Ç’do të thotë kjo? Nëse mjeku do të të thoshte që të përmbaheshe nga alkooli, a do të thotë kjo se nuk duhet të marrësh alkool nga goja dhe mund ta futësh drejtpërdrejtë nga venat? Natyrisht, që jo! Pra, «të përmbahesh nga gjaku» do të thotë që të mos e futësh fare në trupin tënd.

23. (a) Ç’vendim duhet marrë? (b) Si do të duket se çfarë vendimi ke marrë?

23 Duhet t’i tregosh Perëndisë Jehova se je për sistemin e ri të tij dhe se nuk je pjesë e botës. Kjo kërkon një vendim. Vendimi që duhet të marrësh është që t’i shërbesh Jehovait dhe të kryesh vullnetin e tij. Nuk mund të tregohesh i pavendosur, siç ishin disa izraelitë në lashtësi. (1. Mbretërve 18:21) Në të vërtetë nuk duhet harruar, se nëse nuk i shërben Jehovait i shërben Satanait. Ti mund të thuash se je për sistemin e ri të Perëndisë, por çfarë tregon sjellja jote? Të jesh për sistemin e ri të Perëndisë, do të thotë të shmangen të gjitha praktikat që Perëndia i gjykon dhe që nuk do të ekzistojnë në sistemin e ri të drejtë.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 209]

Ç’është bota për të cilën Jezui nuk u lut dhe pjesë e së cilës nuk janë dishepujt e tij?

[Figurat në faqen 211]

Bibla e përshkruan fenë e rreme si një prostitutë të dehur dhe qeveritë botërore mbi të cilat ajo qëndron, si një bishë të egër

Mënyra e shfrenuar e jetës është një aspekt i botës së Satanait. Sistemi lakmitar tregtar është një tjetër përbërës i rëndësishëm i saj

[Figura në faqen 213]

Jezui nuk mund të ketë lindur më 25 dhjetor, sepse në kohën e lindjes së tij barinjtë e kalonin akoma natën nëpër fusha me tufat e tyre

[Figura në faqen 214]

Shërbëtorët e Perëndisë refuzuan të adhuronin shëmbëlltyrën e ndërtuar nga një mbret. Ç’do të bëje ti në një situatë të tillë?