Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i shohësh shoqëritë në Internet?

Si t’i shohësh shoqëritë në Internet?

KAPITULLI 11

Si t’i shohësh shoqëritë në Internet?

Cilën formë komunikimi parapëlqen?

□ Ballë për ballë

□ Me telefon

□ Me kompjuter

Me cilët e ke më të lehtë të bisedosh?

□ Me shokët e klasës

□ Me familjarët

□ Me të bashkëkrishterët

Ku të duket se komunikon më lirshëm?

□ Në shkollë

□ Në shtëpi

□ Në mbledhjet e kongregacionit

TË NDALEMI fillimisht te pyetja e parë. Cila ishte përgjigjja jote? Që komunikimi nëpërmjet kompjuterit të pëlqen më shumë se ballë për ballë? Atëherë nuk je i vetmi. Shumë të rinj e përdorin Internetin për të zënë shokë e për të mbajtur shoqërinë me ta. «Joshesh nga ideja që ke mundësi të njihesh me njerëz nga të katër anët e botës, që përndryshe s’do t’i njihje kurrë»,—thotë Elina. Temi 19-vjeçare, flet për diçka tjetër që e tërheq shumë. «Mund ta paraqitësh veten si do ti,—thotë ajo.—Kurse në bisedat ballë për ballë, s’di si të bësh nëse nuk je tipi i tyre.»

Tani, të hidhemi te përgjigjet e pyetjes së dytë dhe të tretë. Mos u habit nëse sheh se e ke më të lehtë të bisedosh me shokët e klasës sesa me vëllezërit dhe motrat në mbledhje. «Në shkollë, ke më shumë mundësi të lidhesh me njerëz që po kalojnë të njëjtat gjëra si ti,—thotë Jasmina, një vajzë 18-vjeçare.—Ja pse duket më e lehtë të lidhesh me ta.»

Kur merr parasysh këto, dëshira për të biseduar në Internet me shokët e klasës të duket më se normale. Temi pranon se e bënte për njëfarë kohe. «Të gjithë shokët e klasës komunikonin në Internet dhe unë s’doja të mbetesha mënjanë»,—thotë ajo. * Natalja, një vajzë 20-vjeçare, hapi një faqe në Internet për të mbajtur lidhje me shoqërinë. «Teknologjia ecën përpara dhe komunikimi po merr forma të reja. Kjo është njëra nga format dhe më pëlqen»,—thotë ajo.

Merr në sy rreziqet

S’ka pikë dyshimi se disa e kanë më të lehtë të zënë shoqëri dhe ta mbajnë nëpërmjet Internetit. «Interneti të jep një ndjenjë sigurie që ndryshe s’do ta kishe»,—thotë Natalja. Temi është në një mendje. «Nëse je e turpshme, komunikimi në Internet të jep mundësi t’i zgjedhësh mirë fjalët.»

Por komunikimi me anë të Internetit ka rreziqet e veta dhe do të ishte marrëzi t’i shpërfillje. Sa për një shembull: a do të ecje me sy të lidhur rrugëve të një lagjeje të rrezikshme? Njësoj është edhe me Internetin. Pse të sorollatesh nëpër faqet e tij pa marrë parasysh rreziqet?

Të shohim rreziqet që vijnë kur përpiqesh të zësh shokë me anë të Internetit. «Fare lehtë mund të njihesh me njerëz të paskrupull,—thotë Elina, që më parë bisedonte ndonjëherë në Internet me të panjohur.—Kishte raste që vetëm pas pak minutash bisedë, dikush hidhte ndonjë fjalë të pistë ose bënte pyetje të tilla: ‘A je e virgjër? A bën seks oral?’ Disa madje ofroheshin për të bërë kiberseks *

Po në rastet kur flet me një mik të besuar? Edhe atëherë duhet të bësh kujdes. «Mund të harxhosh tepër kohë duke folur me dikë të seksit tjetër, ndonëse mund ta quash ‘vetëm shok’,—thotë Joana.—Sa më shumë kohë të harxhosh duke i dërguar mesazhe, aq më shumë lidhesh, dhe biseda mund të bëhet më intime.»

«Njerëz që e fshehin se ç’janë»

Mbreti David e dinte mirë sa e rëndësishme ishte që të ruhej nga shokët e këqij. Ai shkroi: «Nuk rri me njerëz që nuk ecin në të vërtetën, dhe nuk përzihem me njerëz që e fshehin se ç’janë.»​—Psalmi 26:4.

A ke ndeshur njerëz të tillë gjatë kohës që bisedon në Internet? Kur e «fshehin se ç’janë» ata që bisedojnë në Internet? ․․․․․

Nga ana tjetër, mos je ti që e fsheh se ç’je kur komunikon në Internet? «Nisja të bisedoja dhe pastaj hiqesha si tjetër njeri që t’i përshtatesha bisedës»,—thotë Abigaila, që hynte në chat rooms.

Një vajzë me emrin Liana përdorte një tjetër formë mashtrimi. Ja çfarë thotë ajo: «Komunikoja rregullisht në Internet me një djalë nga kongregacioni fqinj. S’vonoi shumë dhe ne po i shprehnim ‘dashurinë’ njëri-tjetrit. Sa herë që aty afër kalonin prindërit, unë e minimizoja faqen në ekran, kështu ata as që ia kishin idenë ç’po ndodhte. Për mendimin tim, nuk u shkonte ndër mend kurrë se vajza e tyre 13-vjeçare i shkruante letra dashurie një djali 14-vjeçar. As që e mendonin një gjë të tillë.»

Trego kujdes

Kuptohet që komunikimi në Internet nganjëherë është me vend. Për shembull, shumë njerëz, ku përfshihen edhe të rriturit, e përdorin Internetin për të mbajtur lidhje me miqtë. Nëse e bën edhe ti, çfarë masash mund të marrësh? Le të shohim pikat e mëposhtme.

Vëzhgo sa rri para Internetit dhe mos e lejo të të vjedhë kohën që do t’ua kushtoje gjërave më të rëndësishme, ku përfshihet edhe gjumi. «Disa nga klasa ime thanë se kishin qëndruar zgjuar deri në tre të mëngjesit duke biseduar në Internet»,—thotë një djalë me emrin Brian.​—Efesianëve 5:15, 16.

Komuniko vetëm me ata që njeh ose që mund të verifikosh se cilët janë. Njerëz me qëllime të mbrapshta gjuajnë rregullisht në Internet për të rinj mosdyshues që t’i shfrytëzojnë.​—Romakëve 16:18.

Trego kujdes kur bën një veprim tregtar. Bëj shumë kujdes kur jep të dhëna personale. Përndryshe, do të bije pre e mashtrimit ose do ta pësoje më keq akoma.​—Mateu 10:16.

Kur u dërgon një fotografi tënden shokëve, pyet veten: «A do të vërë në dyshim që jam shërbëtor i Perëndisë?»​—Titit 2:7, 8.

Njësoj si me komunikimin ballë për ballë, nëse biseda në Internet merr për nga gjëra që «nuk kanë hije», jepi fund.​—Efesianëve 5:3, 4.

Trego hapur çfarë po bën në Internet. Nëse të duhet të fshehësh nga prindërit ‘se cili je’, diçka nuk shkon. «Flas hapur me mamin,—thotë një adoleshente me emrin Keri.—I tregoj vetë çfarë po bëj në Internet.»​—Hebrenjve 13:18.

‘Ia vlen të presësh!’

Kush është ai që s’do të ketë shokë?! Kjo është gjëja më normale. Njerëzit u krijuan për t’u kënaqur në shoqërinë e njëri-tjetrit. (Zanafilla 2:18) Ndaj dëshira që ndien për të pasur shokë, është në përputhje me mënyrën si je krijuar. Vetëm kujdes si i zgjedh.

Të jesh i sigurt se shokët më të mirë mund t’i gjesh nëse i zgjedh sipas normave të Fjalës së Perëndisë. Ja si u shpreh një 15-vjeçare: «S’është e lehtë të gjesh shokë që duan Jehovain dhe të duan ty. Ama, kur i gjen, ia vlen që ke pritur!»

NË KAPITULLIN TJETËR:

Kush thotë se fjalët s’lëndojnë?! Thashethemet mund të shpojnë si shpatë. Si t’u japësh fund?

[Shënimet]

^ par. 17 Shoqëria në shkollë do të trajtohet më me hollësi në kapitullin 17.

^ par. 21 Biseda në Internet rreth seksit që provokojnë kënaqësi seksuale.

SHKRIMI KYÇ

«Nuk rri me njerëz që nuk ecin në të vërtetën, dhe nuk përzihem me njerëz që e fshehin se ç’janë.»​—Psalmi 26:4.

KËSHILLË

Kur je në Internet, koha fluturon. Ndaj cakto që më parë sa do të rrish dhe përmbaju asaj që ke vendosur. Nëse është e nevojshme, vër zilen që të të lajmërojë se koha ka mbaruar.

A E DIJE . . . ?

Mjaftojnë pak të dhëna në Internet​—ndoshta mbiemri, emri i shkollës dhe numri i telefonit​—që dikush me qëllime të këqija të të gjejë.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Dua ta kufizoj kohën që kaloj në Internet në ․․․․․ orë në javë. Për t’ia arritur, do të ․․․․․

Nëse kuptoj që po flas me një të panjohur në Internet, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Cilat janë të mirat dhe të këqijat e komunikimit në Internet në krahasim me bisedat ballë për ballë?

● Pse është e lehtë të hiqesh ai që s’je kur bisedon në Internet?

● Çfarë të bësh që të mos e teprosh me kohën që kalon në Internet?

● Për ç’gjëra mund të jetë i dobishëm komunikimi në Internet?

[Diçitura në faqen 103]

«Nuk mbaj lidhje në Internet me ata që s’i njoh ose që s’do t’i bëja shokë në realitet.»​—Joana

[Figura në faqet 100, 101]

A do të ecje me sy të lidhur rrugëve të një lagjeje të rrezikshme? Atëherë, pse të komunikosh në Internet pa marrë parasysh rreziqet?