Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse kaq shumë rregulla?

Pse kaq shumë rregulla?

KAPITULLI 22

Pse kaq shumë rregulla?

Përmend disa rregulla që ka në familjen tënde. ․․․․․

A mendon se rregullat në familje janë gjithmonë me vend?

□ Po □ Jo

Cilit prej tyre e ke më të vështirë t’i bindesh? ․․․․․

RREGULLAT E SHTËPISË, siç quhen nganjëherë, janë lista që kanë bërë prindërit me bëj këtë, mos bëj atë. Këto rregulla mund të përfshijnë mësimet dhe detyrat, punët e shtëpisë, orarin kur duhet të kthehesh në shtëpi, si dhe sa mund të flasësh në telefon, të shohësh televizor a të rrish para kompjuterit. Disa prej tyre mund të dalin jashtë mureve të shtëpisë, duke përfshirë sjelljen tënde në shkollë dhe zgjedhjen e shokëve.

A të duket vetja si në kafaz nga gjithë këto kufizime? Ndoshta provon të njëjtat ndjenja si këta të rinj:

«Më ikte truri kur mendoja se duhej të kthehesha në shtëpi në një orë të caktuar! Më vinte plasja kur të tjerët i linin të rrinin jashtë më vonë se unë.»​—Aleni.

«Është tmerr të të kontrollojnë edhe celularin. Më duket sikur po më trajtojnë si kalama!»​—Elizabeta.

«Më dukej sikur prindërit s’donin të kënaqesha me shoqërinë, sikur s’donin të kisha asnjë shoqe!»​—Nikoleta.

Megjithëse të rinjtë shpesh s’para i kanë qejf rregullat që vënë prindërit, shumica e tyre e pranojnë se disa rregulla nevojiten që shtëpia të mos bëhet han. Por, nëse rregullat e shtëpisë duhen, pse disa prej tyre janë kaq të bezdisshme?

«S’jam më bebe!»

Ndoshta rregullat ta sjellin në majë të hundës, sepse të duket sikur po të trajtojnë si kalama. Të vjen të bërtasësh: «S’jam më bebe!» Mirëpo, prindërit nga ana tjetër mund të mendojnë se rregullat që vënë janë të domosdoshme për të të mbrojtur e përgatitur për përgjegjësitë që do të mbash kur të rritesh.

Megjithatë, ndoshta mendon se ti je rritur, por rregullat kanë mbetur po ato. Mund të ndihesh aq i kufizuar, sa një vajzë me emrin Briel, që u shpreh kështu për prindërit e saj: «E kanë harruar fare ç’do të thotë të jesh në moshën time. S’duan të kem mendimin tim, të bëj zgjedhjet e mia ose të rritem.» Një vajzë tjetër me emrin Alisa mendon po njësoj. «Prindërit e mi s’arrijnë ta kuptojnë se nuk jam më 10 vjeçe, por 18,—thotë ajo.—Duhet të kenë më shumë besim tek unë.»

Rregullat e shtëpisë mund të jenë edhe më të padurueshme kur duket sikur prindërit janë më pak striktë me motrën a vëllanë. Për shembull, kur kujton vitet e adoleshencës, një i ri me emrin Mateo thotë për motrat e tij më të vogla dhe për kushërirat: «Ato mund të bënin ç’të donin dhe ia hidhnin pa u lagur!»

Më mirë pa rregulla?

Kuptohet, ndoshta e ke ëndërr të jetosh i lirë nga rregullat e prindërve. Por, a do të ishte vërtet më mirë pa kufizimet e tyre? Mbase njeh të rinj të moshës sate që mund të kthehen në shtëpi kur të duan, të vishen si të kenë qejf dhe të dalin me shokët kur dhe ku t’u teket. Ndoshta prindërit e tyre janë shumë të zënë dhe nuk e vënë re se çfarë bëjnë fëmijët. Sidoqoftë, Bibla tregon se kjo mënyrë e rritjes së fëmijëve s’ka rezultat. (Proverbat 29:15) Mungesa e dashurisë që sheh përreth, kryesisht vjen nga njerëzit egoistë, e shumë prej tyre janë rritur në familje pa rregulla.​—2 Timoteut 3:1-5.

Në vend që t’i kesh zili të rinjtë që mund të bëjnë ç’të duan, përpiqu t’i shohësh rregullat që të vënë prindërit si provë të dashurisë e të merakut që kanë për ty. Duke vënë disa kufij të arsyeshëm, ata po imitojnë Perëndinë Jehova, i cili u tha adhuruesve të tij: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.»​—Psalmi 32:8.

Megjithatë, nganjëherë mund të të duket sikur rregullat të kanë zënë frymën. Çfarë mund të bësh në një situatë të tillë?

Komunikim që sjell dobi

Nëse dëshiron të kesh më tepër liri ose të mos mërzitesh shumë me kufizimet që të vënë prindërit tani për tani, sekreti është komunikimi i mirë. Dikush mund të thotë: «Sa jam munduar të flas me prindërit, por s’kam nxjerrë gjë në dritë!» Nëse mendon edhe ti kështu, pyet veten: «A mund ta përmirësoj mënyrën si komunikoj?» Komunikimi është një mjet i domosdoshëm që të ndihmon (1) t’ua bësh më të lehtë të tjerëve të të kuptojnë ose (2) të kuptosh pse nuk të jepet ajo që do. Që të fitosh të drejtat e një të rrituri, është më se e arsyeshme të mësosh të komunikosh si i rritur. Si mund ta bësh këtë?

Mëso të kontrollosh ndjenjat. Komunikimi i mirë kërkon vetëkontroll. Bibla thotë: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por kush është i mençur, mban një frymë të qetë deri në fund.» (Proverbat 29:11) Prandaj, mos u bëj qaraman, mos rri buzëvarur dhe mos bëj si fëmijë i tërbuar. Dihet që të vjen të përplasësh dyert ose të përplasësh këmbët gjithë nerva nëpër shtëpi kur prindërit të vënë ndonjë kufizim. Megjithatë, një qëndrim i tillë mund të të sjellë më shumë kufizime sesa liri.

Përpiqu të kuptosh pikëpamjen e prindërve. Trejsi, një e re e krishterë që jeton në një familje me një prind, thotë: «Pyes veten: ‘Çfarë do të arrijë mami me rregullat e saj?’» Ç’përfundim nxjerr Trejsi? «Po mundohet të më ndihmojë të bëhem më e mirë.» (Proverbat 3:1, 2) Një mirëkuptim i tillë mund të ta bëjë më të lehtë të komunikosh më mirë me prindërit.

Për shembull, ta zëmë se prindërit ngurrojnë të të lënë të shkosh në një festë. Në vend që të bësh fjalë me ta, mund të pyesësh: «A do të më linit po të shkoja me një shok a shoqe të pjekur e të besuar?» Prindërit mund të mos të ta plotësojnë përsëri kërkesën, por nëse e kupton merakun e tyre, do ta kesh më të lehtë të gjesh një zgjidhje më të pranueshme.

Fito besimin e prindërve. Ta zëmë se një burrë ka marrë një borxh në bankë. Nëse tregohet i përpiktë me shlyerjen e borxhit, do të fitojë besimin e bankës dhe në të ardhmen ajo mund t’i besojë një kredi më të madhe. Njësoj është edhe në shtëpi. Ia ke borxh bindjen prindërve. Nëse je i besuar edhe për gjëra të vogla, prindërit do të të besojnë më shumë në të ardhmen. Por nëse i zhgënjen vazhdimisht, mos u çudit nëse ata bëhen më dorështrënguar ose ta presin «kredinë» fare.

Kur shkel një rregull . . .

Herët a vonë, do ta shkelësh një rregull​—mund të lësh ndonjë punë shtëpie pa bërë, mund të flasësh gjatë në telefon ose të kthehesh vonë në shtëpi. (Psalmi 130:3) E tani, duhet t’u japësh shpjegime prindërve. Si t’ia bësh që gjendja të mos keqësohet?

Thuaj të vërtetën. Mos trego përralla me bisht. Përndryshe do të humbësh edhe atë besim që prindërit kanë ende te ti. Prandaj, fol hapur dhe tregoji gjërat me hollësi. (Proverbat 28:13) Mos u justifiko dhe mos e minimizo gabimin. Dhe mos harro asnjëherë se «përgjigjja e butë e largon tërbimin».​—Proverbat 15:1.

Kërko falje. Të shprehësh keqardhje për shqetësimin, mërzinë ose punën që u ke hapur prindërve është me vend dhe mund ta zbutë disi dënimin. Megjithatë, kjo s’do të thotë të shtiresh kur thua se të vjen keq.

Prano pasojat. (Galatasve 6:7) Reagimi i parë mund të jetë kundërshtimi i dënimit, sidomos nëse të duket i padrejtë. Megjithatë, të pranosh gabimin është shenjë pjekurie. Gjëja më e mirë është të përpiqesh të fitosh sërish besimin e prindërve.

Shkruaj në cilën nga tri pikat e mësipërme duhet të punosh më shumë. ․․․․․

Asnjëherë mos harro se prindërit kanë përgjegjësinë të kontrollojnë në masë të arsyeshme veprimet e tua. Ja pse, Bibla flet për «urdhërimin e atit tënd» dhe «ligjin e nënës sate». (Proverbat 6:20) Sidoqoftë, s’ka pse t’i shohësh rregullat e shtëpisë si diçka që të nxijnë jetën. Përkundrazi, po t’u bindesh prindërve, Jehovai premton se në të ardhmen ‘do të të vejë mbarë’.​—Efesianëve 6:1-3.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 3

NË KAPITULLIN TJETËR:

A e ka ves ndonjëri nga prindërit drogën ose alkoolin? Shih si mund ta përballosh këtë situatë.

SHKRIMI KYÇ

«Ndero atin dhe nënën tënde . . . që të të vejë mbarë.»​—Efesianëve 6:2, 3.

KËSHILLË

Nëse do që prindërit të të japin më shumë liri, trego më parë se u bindesh rregullave të tyre. Nëse njihesh si fëmijë i bindur, ata do të jenë më të prirur të t’i plotësojnë dëshirat.

A E DIJE . . . ?

Studiuesit thonë se fëmijët, prindërit e të cilëve vënë rregulla me dashuri, ka më shumë të ngjarë të shkëlqejnë në mësime, të dinë të komunikojnë dhe të jenë të lumtur.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse thyej një rregull, do të them ․․․․․

Mund të fitoj besimin e prindërve duke ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Pse ndonjëherë mund të të duket sikur prindërit e teprojnë me kujdesin që tregojnë për ty?

Pse ndonjëherë reagon në mënyrë të tepruar ndaj kufizimeve?

Si mund ta përmirësosh komunikimin me prindërit?

[Diçitura në faqen 183]

«Kur je e re të duket sikur di gjithçka. Kur prindërit të vënë kufizime, është e lehtë të mërzitesh me ta. Por rregullat që të vënë janë vërtet për të mirën tënde.»​—Megani

[Kutia në faqen 186]

A mbajnë vërtet me hatër?

A e ke pyetur ndonjëherë veten: «Pse prindërit s’na trajtojnë njësoj?» Nëse po, mendo pak për këtë: trajtimi i njëllojtë s’është gjithmonë i drejtë, dhe trajtimi i drejtë s’është gjithmonë i njëllojtë. Në të vërtetë, pyetja duhet shtruar kështu: a po lihen pas dore nevojat e tua? Për shembull, a të gjenden pranë prindërit kur ke nevojë për këshillën, ndihmën ose mbështetjen e tyre? Nëse po, a mund të thuash me të vërtetë se nuk po tregohen të drejtë me ty? Përderisa ti dhe motra ose vëllai yt keni karaktere dhe nevoja të ndryshme, është e pamundur që prindërit t’ju trajtojnë gjithmonë njësoj. Këtë kuptoi Beti. Tani që është 18 vjeçe, ajo thotë: «Unë dhe vëllai jemi krejt të ndryshëm dhe kemi nevojë të trajtohemi ndryshe. Kur sjell ndër mend të kaluarën, habitem si s’e kuptoja këtë kur isha më e vogël.»

[Kutia dhe figura në faqen 189]

Fletë pune

Fol me prindërit!

Në dy kapitujt e fundit kemi parë si të reagosh kur prindërit të kritikojnë ose të vënë rregulla. Çfarë mund të bësh nëse mendon se ata po tregohen tepër të rreptë qoftë në njërën, qoftë në të dyja fushat? Si të flasësh me ta për këtë gjë?

Gjej kohën kur vetë je i qetë dhe prindërit nuk janë tepër të zënë.

Hapu zemrën, por mbaji nën kontroll ndjenjat. Fol me respekt me ta.

Nëse mendon se prindërit janë tepër kritikues, mund t’u thuash: «Po bëj të pamundurën të veproj si duhet, por e kam të vështirë kur më duket sikur më kritikojnë gjithë kohës. A mund të flasim për këtë?»

Shkruaj si do t’ua hapje këtë bisedë prindërve.

․․․․․

KËSHILLË: Përdor kapitullin 21 për të thyer akullin. Ndoshta prindërit tregohen të gatshëm ta diskutojnë këtë kapitull me ty.

Nëse mendon se prindërit nuk të japin liri të mjaftueshme, mund t’u thuash: «Dua të tregohem më i përgjegjshëm, që me kalimin e kohës të më jepet më shumë liri. Ku mendoni se duhet të punoj?»

Shkruaj si do t’ua hapje këtë bisedë prindërve.

․․․․․

KËSHILLË: Rishiko kapitullin 3 në vëllimin 1. Titullohet «Si mund të fitoj më shumë liri nga prindërit?» Pastaj bëj një listë me pyetjet që të lindin.

[Figura në faqet 184, 185]

T’u bindesh rregullave të prindërve, është si të paguash një borxh në bankë; sa më i besuar të jesh, aq më shumë do të të besohet