Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Libri që zbulon njohurinë e Perëndisë

Libri që zbulon njohurinë e Perëndisë

Kapitulli 2

Libri që zbulon njohurinë e Perëndisë

1, 2. Përse kemi nevojë për drejtim nga Krijuesi ynë?

ËSHTË e arsyeshme të mendojmë që Krijuesi ynë i dashur të ketë siguruar një libër udhëzimi dhe drejtimi për njerëzimin. A nuk je dakord që njerëzit kanë nevojë për drejtim?

2 Më shumë se 2.500 vjet më parë, një profet dhe historian shkroi: «Nuk i përket njeriut që ecën as të drejtojë hapin e vet.» (Jeremia 10:23, BR) Sot, vërtetësia e kësaj deklarate është shumë më e dukshme se kurrë. Prandaj, profesori Uilliam H. Meknill vëren: «Aventura e njeriut mbi faqen e këtij planeti ka qenë pothuajse një seri e pandërprerë me kriza dhe prishje të rregullit të vendosur të shoqërisë.»

3, 4. (a) Si duhet ta shohim studimin e Biblës? (b) Si do të vazhdojmë me shqyrtimin e Biblës?

3 Bibla i plotëson të gjitha nevojat tona për drejtim të mençur. Ç’është e vërteta, shumëkush ndihet i dërmuar kur shqyrton fillimisht Biblën. Ajo është një libër i madh dhe disa pjesë të saj nuk janë të lehta për t’u kuptuar. Por, sikur të të jepnin një dokument zyrtar, i cili të theksonte se ç’duhet bërë për të marrë një trashëgimi të çmuar, a nuk do të merrje kohë për ta studiuar me kujdes? E sikur të gjeje ca pjesë të vështira për t’u kuptuar në atë dokument, ka të ngjarë të kërkoje ndihmën e dikujt që ka përvojë në çështje të tilla. Përse të mos i afrohesh edhe Biblës me një qëndrim të tillë? (Veprat 17:11) Bëhet fjalë për shumë më tepër se një trashëgimi materiale. Siç kemi mësuar në kapitullin e shkuar, njohuria e Perëndisë mund të çojë në jetën e përhershme.

4 Le të shqyrtojmë librin që zbulon njohurinë e Perëndisë. Së pari, do t’i hedhim një vështrim të shkurtër Biblës. Më pas, do të diskutojmë mbi arsyet se përse shumë njerëz të arsimuar besojnë që ajo është Fjala e frymëzuar e Perëndisë.

PËRMBAJTJA E BIBLËS

5. (a) Cila është përmbajtja e Shkrimeve Hebreje? (b) Çfarë përmbajnë Shkrimet Greke?

5 Bibla përmban 66 libra në dy pjesë, të cilat shpesh quhen Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. Tridhjetë e nëntë libra të Biblës u shkruan kryesisht në hebraisht dhe 27 në greqisht. Shkrimet Hebreje, duke filluar nga Zanafilla deri te Malakia, merren me krijimin dhe me 3.500 vjetët e parë të historisë njerëzore. Duke shqyrtuar këtë pjesë të Biblës, mësojmë se si ka vepruar Perëndia me izraelitët: që nga lindja e tyre si komb, në shekullin e 16-të p.e.s., deri në shekullin e 5-të p.e.s. * Shkrimet Greke, që përmbajnë librat nga Mateu deri te Zbulesa, përqendrohen mbi mësimet dhe aktivitetin e Jezu Krishtit dhe të dishepujve të tij gjatë shekullit të parë e.s.

6. Përse duhet ta studiojmë të gjithë Biblën?

6 Disa pohojnë se «Dhiata e Vjetër» është për hebrenjtë, ndërsa «Dhiata e Re» është për të krishterët. Por, sipas 2. Timoteut 3:16, «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm». Për këtë arsye, një studim i saktë i Shkrimeve duhet të përfshijë të gjithë Biblën. Në fakt, të dyja pjesët e Biblës plotësojnë njëra-tjetrën, të lidhura në harmoni për të zhvilluar një temë të përgjithshme.

7. Cila është tema e Biblës?

7 Ti mund të kesh ndjekur për vite me radhë shërbesat fetare dhe mund të kesh dëgjuar disa fragmente të Biblës tek lexoheshin me zë të lartë. Ose mund të kesh lexuar ti vetë disa pjesë të saj. A e di se Bibla ka një temë të vetme nga Zanafilla deri te Zbulesa? Po, një temë e harmonishme përshkon Biblën. Cila është kjo temë? Është shfajësimi i së drejtës së Perëndisë për të sunduar njerëzimin dhe realizimi i qëllimit të tij të dashur me anë të kësaj Mbretërie. Më vonë, do të shohim se si do ta plotësojë Perëndia këtë qëllim.

8. Çfarë zbulon Bibla në lidhje me personalitetin e Perëndisë?

8 Përveç qëllimit të përgjithshëm të Perëndisë, Bibla zbulon edhe personalitetin e tij. Për shembull, nga Bibla mësojmë se Perëndia ka ndjenja dhe se zgjedhjet që ne bëjmë i interesojnë atij. (Psalmi 78:40, 41; Proverbat 27:11; Ezekieli 33:11) Psalmi 103:8-14 thotë se Perëndia është «i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur». Ai na trajton me dhembshuri, ‘duke mos harruar se jemi bërë nga pluhuri’ i thjeshtë dhe se pas vdekjes kthehemi në pluhur. (Zanafilla 2:7; 3:19) Sa cilësi të mrekullueshme shfaq ai! A nuk do të doje të adhuroje një Perëndi të tillë?

9. Si na jep Bibla një pamje të qartë të standardeve të Perëndisë dhe si mund të përfitojmë nga një njohuri e tillë?

9 Bibla na jep një pamje të qartë të standardeve të Perëndisë. Në disa raste ato shpallen si ligje. Por më shpesh, ato pasqyrohen në parime të nxjerra nga shembuj praktikë. Perëndia i ka shkruar disa ngjarje të izraelitëve të lashtë për dobinë tonë. Këto tregime të thjeshta tregojnë se çfarë ndodhte kur populli vepronte në harmoni me qëllimin e Perëndisë, si edhe pasojat e trishtueshme kur ata vepronin në mënyrë të pavarur. (1. Mbretërve 5:4; 11:4-6; 2. Kronikave 15:8-15) Leximi i këtyre tregimeve nga jeta e vërtetë, pa dyshim që do të ndikojë mbi zemrat tona. Nëse përpiqemi t’i shohim me sytë e mendjes ngjarjet e shkruara, mund të vihemi në mes të njerëzve të përfshirë në to. Në këtë mënyrë, mund të nxjerrim dobi nga shembujt e mirë dhe mund të shmangim kurthet që zënë në grackë keqbërësit. Sidoqoftë, kjo pyetje jetësore kërkon përgjigje: Si mund të jemi të sigurt se ajo që lexojmë në Bibël është me të vërtetë e frymëzuar nga Perëndia?

A MUND TË BESOSH TE BIBLA?

10. (a) Përse disa mendojnë se Biblës i ka kaluar koha? (b) Çfarë na thotë 2. Timoteut 3:16, 17 në lidhje me Biblën?

10 Ndoshta mund të kesh vërejtur se shumë libra që japin këshilla, mbas disa vitesh përditësohen. Po Bibla? Ajo është shumë e vjetër dhe kanë kaluar gati 2.000 që kur u shkruan fjalët e saj të fundit. Prandaj, disa mendojnë se ajo nuk mund të zbatohet në epokën tonë moderne. Por, nëse Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, këshillat e saj duhet të jenë gjithmonë të përditësuara, pavarësisht nga mosha e saj e vjetër. Shkrimi duhet të jetë ende «i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë».​—2. Timoteut 3:16, 17.

11-13. Përse mund të themi se Bibla është praktike për ditët tona?

11 Një shqyrtim më nga afër zbulon se parimet e Biblës zbatohen shumë më tepër sot, se kur u hodhën fillimisht me shkrim. Për shembull, kur bëhet fjalë për natyrën njerëzore, Bibla pasqyron një kuptueshmëri të qartë që zbatohet për çdo brez të njerëzimit. Këtë mund ta shohim me lehtësi në predikimin që Jezui mbajti në mal, në kapitujt 5 deri 7 të Mateut. Ky predikim i bëri kaq përshtypje ish-udhëheqësit indian, Mohandas K. Gandi, saqë i tha një zyrtari britanik: «Kur vendi yt dhe imi të kuptohen së bashku në bazë të mësimeve që dha Krishti në Predikimin e tij në Mal, ne do të zgjidhim jo vetëm problemet midis vendeve tona, por edhe ato të botës mbarë.»

12 S’ka dyshim që njerëzve u kanë lënë përshtypje mësimet e Jezuit! Në Predikimin në Mal, ai na tregoi rrugën për nga lumturia e vërtetë. Ai shpjegoi se si duhen sheshuar mosmarrëveshjet. Jezui dha udhëzime mbi mënyrën se si duhet të lutemi. Ai theksoi qëndrimin më të mençur që duhet të mbajmë në lidhje me nevojat materiale dhe na dha Rregullën e Artë për të pasur marrëdhëniet e duhura me të tjerët. Midis pikave që trajtoi në atë predikim ishin edhe si të zbulojmë mashtrimet fetare dhe si të kemi një të ardhme të sigurt.

13 Në Predikimin në Mal, si edhe në pjesën tjetër të faqeve të saj, Bibla na thotë në mënyrë të qartë se çfarë duhet të bëjmë e çfarë duhet të shmangim, në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen dhe kushtet tona në jetë. Këshillat e saj janë aq praktike, saqë një arsimtar tha: «Edhe pse jam këshilltar në një shkollë të mesme, me diplomat e shkollës së lartë e të specializimit dhe megjithëse kam lexuar një numër të madh librash mbi shëndetin mendor dhe psikologjinë, kam zbuluar se këshillat e Biblës në çështje të tilla si suksesi në martesë, parandalimi i kriminalitetit midis të rinjve dhe gjetja e mbajtja e miqve, tejkalojnë çdo gjë që kam lexuar apo studiuar në universitet.» Përveçse praktike dhe e përditësuar, Bibla është edhe e besueshme.

E SAKTË DHE E BESUESHME

14. Nga duket se Bibla është e saktë shkencërisht?

14 Edhe pse nuk është një libër shkencor, Bibla është e saktë shkencërisht. Për shembull, në një kohë kur njerëzit besonin se toka ishte e sheshtë, profeti Isaia e quante një «rruzull» (hebraisht chugh, që këtu jep idenë e «sferës»). (Isaia 40:22) Ideja e një toke sferike nuk ishte e pranuar gjerësisht deri mijëra vjet pas Isaisë. Për më tepër, Jobi 26:7, i shkruar më shumë se 3.000 vjet më parë, pohon se Perëndia «e mban tokën pezull mbi hiçin». Një studiues i Biblës thotë: «Se si arriti Jobi të njihte të vërtetën e provuar nga astronomia, se toka rri e varur pa asnjë mbështetje të dukshme në hapësirën boshe, është një problem që nuk mund të zgjidhet kollaj nga ata që mohojnë frymëzimin e Shkrimeve të Shenjta.»

15. Në ç’mënyrë forcohet besimi te Bibla, duke parë mënyrën e të treguarit?

15 Edhe mënyra e të treguarit që gjejmë në Bibël, forcon besimin tonë në këtë libër të vjetër. Në ndryshim me mitet, ngjarjet e Biblës lidhen me persona dhe data specifike. (1. Mbretërve 14:25; Isaia 36:1; Luka 3:1, 2) Dhe ndërsa historianët e lashtësisë i zmadhonin pothuajse gjithmonë fitoret e sundimtarëve të tyre dhe fshihnin disfatat e gabimet, shkrimtarët e Biblës ishin të sinqertë e të ndershëm, madje edhe në lidhje me mëkatet e tyre serioze.​—Numrat 20:7-13; 2. Samuelit 12:7-14; 24:10.

LIBËR ME PROFECI

16. Cila është dëshmia më e fortë se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia?

16 Profecitë e përmbushura japin një dëshmi përfundimtare se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Bibla përmban shumë profeci që janë plotësuar me hollësi. Është e qartë se njerëzit e thjeshtë nuk mund të jenë përgjegjës për këtë. Çfarë gjendet, pra, prapa këtyre profecive? Vetë Bibla thotë se: «Asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë», ose nga forca aktive e Perëndisë. (2. Pjetrit 1:21) Le të shqyrtojmë disa shembuj.

17. Cilat profeci parathanë rënien e Babilonisë dhe si u plotësuan ato?

17 Rënia e Babilonisë. Isaia dhe Jeremia parathanë të dy rënien e Babilonisë nga ana e medevë dhe persëve. Vlen të përmendet se profecia e Isaisë në lidhje me këtë ngjarje u shkrua gati 200 vjet para pushtimit të saj! Aspektet vijuese të kësaj profecie janë tashmë të dokumentuara mirë nga ana historike: tharja e lumit Eufrat, duke devijuar ujërat e tij në një liqen artificial (Isaia 44:27; Jeremia 50:38); një ulje e pakujdesshme e sigurisë në portat e Babilonisë që gjendeshin mbi lum (Isaia 45:1); dhe pushtimi nga ana e një sundimtari të quajtur Kir.​—Isaia 44:28.

18. Si u plotësua profecia e Biblës me ngritjen dhe rënien e «mbretit të grekëve»?

18 Ngritja dhe rënia e «mbretit të grekëve». Në një vizion, Danieli pa një cjap që goditi një dash, duke thyer dy brirët e tij. Më pas, briri i madh i cjapit u thye dhe katër brirë të tjerë dolën në vend të tij. (Danieli 8:1-8) Danielit iu dha ky shpjegim: «Dashi që e pe se ka dy brirë: janë mbretërit e medëve e të persianëve, kurse cjapi është mbreti i grekëve. Briri i madh, që e kishte ndërmjet syve është mbreti i parë. Çka pe se u thye briri e në vend të tij dolën katër të tjerë: janë katër mbretëritë që do të dalin prej popullit të tij, por s’do ta kenë fuqinë e tij.» (Danieli 8:20-22, DSF) Në përputhje me këtë profeci, dy shekuj më vonë, «mbreti i grekëve», Aleksandri i Madh, përmbysi perandorinë dybrirëshe Medo-Perse. Aleksandri vdiq në vitin 323 p.e.s. dhe u zëvendësua nga katër gjeneralë të tij. Megjithatë, asnjëra nga mbretëritë e mëvonshme nuk krahasohej me fuqinë e perandorisë së Aleksandrit.

19. Cilat profeci u plotësuan në Jezu Krishtin?

19 Jeta e Jezu Krishtit. Shkrimet Hebreje përmbajnë me dhjetra profeci të përmbushura me lindjen, shërbimin, vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit. Për shembull, më shumë se 700 vjet përpara se të ndodhte, Mikea paratha se Mesia, ose Krishti, do të lindte në Bethlehem. (Mikea 5:2; Luka 2:4-7) Bashkëkohësi i Mikeas, Isaia, paratha se Mesian do ta rrihnin dhe do ta pështynin. (Isaia 50:6; Mateu 26:67) Pesëqind vjet përpara plotësimit, Zaharia profetizoi se Mesia do të tradhëtohej për 30 pjesë argjendi. (Zaharia 11:12; Mateu 26:15) Më shumë se një mijë vjet më parë, Davidi paratha rrethana që lidheshin me vdekjen e Jezu Mesisë. (Psalmi 22:7, 8, 18; Mateu 27:35, 39-43) Dhe pesë shekuj përpara, profecia e Danielit zbuloi se kur do të shfaqej Mesia, kohëzgjatjen e shërbimit të tij dhe kohën e vdekjes. (Danieli 9:24-27) Kjo është vetëm një pjesë e vogël e profecive të përmbushura në Jezu Krishtin. Mund të gjesh shumë kënaqësi po të lexosh më shumë për të edhe më pas.

20. Çfarë besimi duhet të na japin tregimet e përsosura të Biblës për profecitë e plotësuara?

20 Edhe shumë profeci të tjera të Biblës, me shtrirje të gjatë, tashmë janë plotësuar. Por ti mund të pyesësh: «Si ndikon kjo mbi jetën time?» E pra, nëse dikush të ka thënë të vërtetën për shumë vite, a do të dyshoje papritur po të të thoshte diçka të re? Jo! Perëndia ka thënë të vërtetën në të gjithë Biblën. A nuk do ta ndërtonte kjo besimin tënd në premtime të tilla të saj, siç janë profecitë në lidhje me një parajsë të ardhshme tokësore? Në të vërtetë, mund të kemi të njëjtin besim si Pavli, një nga dishepujt e Jezuit në shekullin e parë, i cili shkroi se Perëndia ‘nuk mund të gënjejë’. (Titit 1:2) Për më tepër, kur lexojmë Biblën dhe zbatojmë këshillat e saj, ushtrojmë atë mençuri që njerëzit nuk mund ta arrijnë vetë, pasi Bibla është libri që zbulon njohurinë e Perëndisë, e cila çon në jetën e përhershme.

«DËSHIRONI FORT» NJOHURINË E PERËNDISË

21. Çfarë duhet të bësh nëse disa gjëra që mëson nga Bibla duken të vështira?

21 Ndërsa studion Biblën, ka mundësi të mësosh gjëra të cilat ndryshojnë nga ato që ke mësuar në të kaluarën. Ndoshta mund të shohësh se disa nga zakonet e tua të çmuara fetare, nuk i pëlqejnë Perëndisë. Do të mësosh se standardet e Perëndisë në lidhje me të drejtën e të gabuarën, janë shumë më të larta nga ato që janë të zakonshme në këtë botë toleruese. Fillimisht, kjo mund të duket e vështirë. Por ki durim! Shqyrtoji me kujdes Shkrimet për të gjetur njohurinë e Perëndisë. Ji i gatshëm të pranosh mundësinë se këshillat e Biblës mund të kërkojnë rregullime në mënyrën tënde të të menduarit dhe të vepruarit.

22. Përse po e studion Biblën dhe si mund t’i ndihmosh të tjerët për ta kuptuar këtë?

22 Duke u nisur nga qëllime të mira, miqtë apo të afërmit mund ta kundërshtojnë studimin tënd të Biblës, por Jezui tha: «Kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej. Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.» (Mateu 10:32, 33) Disa mund të kenë frikë se mos ngatërrohesh me ndonjë sekt apo se mos shndërrohesh në fanatik. Por, në realitet, ti vetëm po përpiqesh të gjesh njohurinë e saktë të Perëndisë dhe të vërtetën e tij. (1. Timoteut 2:3, 4) Për t’i ndihmuar të tjerët që të kuptojnë këtë, ji i arsyeshëm dhe mos jep argumente, kur flet me ta për sa je duke mësuar. (Filipianëve 4:5) Mos harro se shumë veta janë “fituar pa fjalë”, kur kanë parë dëshmi se njohuria e Biblës me të vërtetë mund t’u sjellë dobi njerëzve.​—1. Pjetrit 3:1, 2.

23. Si mund ta «dëshirosh fort» njohurinë e Perëndisë?

23 Bibla na nxit: «Posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës.» (1. Pjetrit 2:2) Një foshnje varet nga ushqimi që merr prej nënës dhe është këmbëngulës derisa ta plotësojë atë kërkesë. Në mënyrë të ngjashme, edhe ne jemi të varur në njohurinë e Perëndisë. «Dëshironi fort» Fjalën e tij, duke vazhduar studimin. Në fakt, vëri synim vetes që të lexosh çdo ditë Biblën. (Psalmi 1:1-3) Kjo do të të sjellë bekime të pasura, sepse për ligjet e Perëndisë thuhet: «Kush i zbaton ato, merr shpërblim të madh.»​—Psalmi 19:12, ECM.

[Shënimi]

^ par. 5 p.e.s. do të thotë «para erës sonë», që është më e saktë se P.K. (para Krishtit); e.s. do të thotë «erës sonë», që shpesh përdoret A.D. (anno Domini) e që do të thotë «në vitin e Zotërisë tonë».

PROVO NJOHURINË

Në ç’mënyrë ndryshon Bibla nga librat e tjerë?

Përse mund të kesh besim te Bibla?

Çfarë prove ke ti se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 14]

BËHU I AFËRT ME BIBLËN TËNDE

Nuk është e vështirë të bëhesh i afërt me Biblën. Përdore tabelën e përmbajtjes për të mësuar radhën dhe vendndodhjen e librave të Biblës.

Librat e Biblës kanë kapituj dhe vargje për referime të lehta. Ndarja me kapituj u shtua gjatë shekullit të 13-të dhe në shekullin e 16-të një botues francez me sa duket i ndau Shkrimet Greke në vargjet që njohim sot. Bibla e parë e plotë, që kishte kapituj dhe numra vargjesh, ishte një botim francez i vitit 1553.

Kur citohen shkrime në këtë libër, numri i parë tregon kapitullin dhe tjetri vargun. Për shembull, citimi «Proverbat 2:5», do të thotë libri i Proverbave, kapitulli 2, vargu 5. Duke kërkuar shkrimet e cituara, së shpejti do ta kesh më të lehtë për të gjetur tekstet biblike.

Mënyra më e mirë për t’u bërë i afërt me Biblën është leximi i përditshëm i saj. Fillimisht, kjo mund të duket si një sfidë. Por, nëse lexon nga tre deri në pesë kapituj në ditë, në varësi të gjatësisë së tyre, do ta përfundosh leximin e të gjithë Biblës brenda një viti. Përse të mos fillosh që sot?

[Kutia në faqen 19]

BIBLA: NJË LIBËR I VEÇANTË

• Bibla është «e frymëzuar nga Perëndia». (2. Timoteut 3:16) Edhe pse fjalët u shkruan nga njerëzit, mendimet e tyre u drejtuan nga Perëndia, pra Bibla është me të vërtetë «fjalë e Perëndisë».​—1. Selanikasve 2:13.

• Bibla u shkrua në një periudhë prej 16 shekujsh dhe për këtë kontribuan 40 veta që vinin nga ambiente të ndryshme. Megjithatë, e gjithë Bibla është e harmonishme nga fillimi deri në fund.

• Bibla ka mbijetuar kundërshtimet më të ashpra se çdo libër tjetër. Gjatë periudhës së Mesjetës, njerëzit u dogjën në turrën e druve vetëm sepse kishin një kopje të Shkrimeve.

• Bibla renditet e para ndër librat më të shitur në botë. Ajo është përkthyer tërësisht apo pjesërisht në më shumë se 2.000 gjuhë. Janë shtypur qindra miliona kopje të saj dhe vështirë të gjendet një vend në tokë ku të mos gjendet një kopje e Biblës.

• Pjesa më e vjetër e Biblës mban datën e shekullit të largët të 16-të p.e.s. Kjo ka ndodhur para shfaqjes së përmbledhjes indiane me himne dhe lavde, e quajtur Rig-Veda (rreth vitit 1300 p.e.s.), ose kanunit budist, i quajtur «Kanuni i tri shportave» (shekulli i pestë p.e.s.), ose Kuranit islamik (shekulli i shtatë p.e.s.), ose veprës shintoiste Nihongi (viti 720 e.s.).

[Figura që zë gjithë faqen 20]