Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një libër që është keqparaqitur

Një libër që është keqparaqitur

Një libër që është keqparaqitur

«Doktrina e lëvizjes së dyfishtë të tokës rreth boshteve të saj dhe rreth diellit është e rreme dhe plotësisht në kundërshtim me Shkrimet e Shenjta.» Kështu deklaroi Kongregacioni i Treguesit të Kishës Katolike Romake në një dekret të vitit 1616.1 A bie me të vërtetë në kundërshtim Bibla me faktet shkencore? Apo është keqparaqitur?

NË DIMRIN e viteve 1609-1610, Galileo Galilei e ktheu teleskopin e tij të saposhpikur drejt qiejve dhe zbuloi katër hëna, të cilat rrotulloheshin rreth planetit Jupiter. Ajo që ai pa, tronditi bindjen mbizotëruese se të gjithë trupat qiellorë duhet të lëvizin në orbitë rreth tokës. Kohë më parë, në vitin 1543, astronomi polak Nikolla Koperniku, kishte teorizuar se planetet rrotullohen rreth diellit. Galileo vërtetoi se kjo ishte një e vërtetë shkencore.

Megjithatë, për teologët katolikë kjo ishte herezi. Për shumë kohë, kisha kishte përkrahur idenë se toka ishte qendra e universit.2 Kjo pikëpamje ishte bazuar mbi një interpretim fjalë për fjalë të shkrimeve, të cilat e portretizojnë tokën si të ngulur «mbi themelet e saj, të patundur kurrën e kurrës». (Psalmi 104:5, The Jerusalem Bible) I thirrur në Romë, Galilei doli përpara Inkuizicionit. Pasi iu nënshtrua shqyrtimeve të rrepta, ai u detyrua të mohonte gjetjet e tij dhe pjesën tjetër të jetës e kaloi në arrest shtëpie.

Në vitin 1992, pothuajse 350 vjet pas vdekjes së Galileit, Kisha Katolike e pranoi më në fund se tek e fundit ai kishte pasur të drejtë.3 Por, nëse Galilei kishte pasur të drejtë, atëherë kishte gabuar Bibla?

Gjetja e kuptimit të vërtetë të vargjeve biblike

Galileo besonte se Bibla ishte e vërtetë. Kur zbulimet e tij kundërshtuan interpretimin mbizotërues të disa vargjeve të Biblës, ai arsyetoi se teologët s’kishin arritur të kapnin kuptimin e vërtetë të vargjeve. Në fund të fundit, «dy të vërteta s’mund ta kundërshtojnë kurrë njëra-tjetrën», shkroi ai.4 Ai sugjeroi se termat e saktë të shkencës nuk kundërshtojnë fjalët e përditshme të Biblës. Por teologët nuk lejuan që t’u mbushej mendja. Ata ngulën këmbë se të gjitha deklaratat biblike mbi tokën duhen marrë fjalë për fjalë. Si rrjedhojë, ata jo vetëm hodhën poshtë zbulimet e Galileit, por edhe s’arritën të kapnin kuptimin e vërtetë të shprehjeve të Shkrimeve.

Vërtet, gjykimi i thjeshtë, por i shëndoshë, duhet të na tregojë se kur Bibla u referohet «katër këndeve të tokës», kjo nuk do të thotë se shkrimtarët e Biblës kujtonin se toka ishte fjalë për fjalë katrore. (Zbulesa 7:1) Bibla është shkruar në gjuhën e njerëzve të zakonshëm, duke përdorur shpesh figura të gjalla letrare. Prandaj, kur ajo thotë se toka ka «katër kënde», një «themel» të qëndrueshëm, «piedestale» dhe një «gur qosheje», Bibla nuk është duke ofruar një përshkrim shkencor të tokës; duket qartë se është duke folur në mënyrë metaforike, siç bëjmë ne shpesh në të folurin e përditshëm *Isaia 51:13; Jobi 38:6, BR.

Në librin e tij Galileo Galilei, biografi L. Geimonat vërejti: «Teologët mendjengushtë që deshën ta kufizonin shkencën në bazë të arsyetimeve biblike, s’bënë gjë tjetër, veçse diskredituan vetë Biblën.»5 Në fakt, ashtu bënë. Në të vërtetë, ishin interpretimet e teologëve mbi Biblën dhe jo vetë Bibla, që vunë kufizime të paarsyeshme mbi shkencën.

Në mënyrë të ngjashme, fondamentalistët e sotëm fetarë e shtrembërojnë Biblën, kur këmbëngulin se toka u krijua në gjashtë ditë 24-orëshe. (Zanafilla 1:3-31) Një pikëpamje e tillë nuk përputhet as me shkencën, as me Biblën. Në Bibël, si edhe në të folurin e përditshëm, fjala «ditë» është një term elastik dhe shpreh njësi të kohës me gjatësi të ndryshme. Në Zanafillën 2:4, për të gjashtë ditët krijuese flitet si për një «ditë» që përfshin të gjitha. Fjala hebraike e përkthyer në Bibël «ditë», mund të nënkuptojë thjesht «një kohë të gjatë».6 Prandaj, nuk ka asnjë arsye biblike për të këmbëngulur se ditët e krijimit ishin secila 24 orë. Duke mësuar të kundërtën, fondamentalistët keqparaqesin Biblën.—Shiko edhe 2. Pjetrit 3:8.

Përgjatë historisë, teologët e kanë shtrembëruar shpesh Biblën. Shqyrtoni disa mënyra të tjera, në të cilat fetë e të ashtuquajturit krishterim kanë keqparaqitur thëniet e Biblës.

E keqparaqitur nga feja

Veprimet e atyre që thonë se ndjekin Biblën, shpesh e ndotin reputacionin e librit që ata pohojnë se nderojnë. Të ashtuquajturit të krishterë kanë derdhur gjakun e njëri-tjetrit në emër të Perëndisë. Ndërsa Bibla i nxit ithtarët e Krishtit që ‘ta duan njëri-tjetrin’.—Gjoni 13:34, 35; Mateu 26:52.

Disa klerikë i rrjepin kopetë e tyre, duke u marrë me lajka paratë që ata i vënë me mund; diçka krejt e ndryshme nga udhëzimi i Shkrimeve: «Falas morët, falas jepni.»—Mateu 10:8; 1. Pjetrit 5:2, 3.

Qartë, Bibla nuk mund të gjykohet në bazë të fjalëve dhe veprave të atyre që thjesht e citojnë atë apo që pohojnë se jetojnë sipas saj. Prandaj, një person me mendje të hapur mund të dëshirojë të zbulojë vetë se çfarë thotë Bibla dhe përse është një libër kaq i jashtëzakonshëm.

[Shënimi]

^ par. 8 Për shembull, edhe vetë astronomët më striktë, do të flitnin sot për «ngritjen» dhe «uljen» e diellit, të yjeve dhe të kostelacioneve, edhe pse në fakt, ata vetëm duken se lëvizin, për shkak të rrotullimit të tokës.

[Figura në faqen 4]

Dy nga teleskopët e Galileit

[Figura në faqen 5]

Galilei përballë inkuizitorëve