GJEORGJIA
Dashuria e vërtetë e krishterë nuk dështon kurrë
Igori: Të dy ishim pjesë e një grupi Dëshmitarësh në qytetin e Tkvarçelit, Abkazi. Meqë kongregacioni me të cilin shoqërohej grupi ynë ndodhej 85 kilometra larg qytetit të Ivarit, shkoja çdo muaj në Ivar që të merrja botime biblike për grupin. Në vitin 1992, pak pasi Bashkimi Sovjetik u shpërbë, rajoni autonom i Abkazisë u përpoq të ndahej më vete. Mes separatistëve dhe gjeorgjianëve shpërtheu lufta, e cila solli shumë peripeci.
Gizoja: U pagëzova në moshën 21-vjeçare, vetëm një vit pasi filloi konflikti. Kur nisi lufta, për njëfarë kohe vëllezërit i kaploi frika dhe pasiguria. Por Igori, i cili kishte qenë gjithnjë bari i mirë, na dha zemër e na tha: «Njerëzit kanë nevojë për
ngushëllim. Do të jemi të fortë në besim vetëm nëse vazhdojmë predikimin.» Prandaj çdo ditë, duke bërë kujdes, vazhdonim t’u flitnim të tjerëve për mesazhin ngushëllues të Fjalës së Perëndisë.Igori: Për shkak të konfliktit, nuk shkonim e nuk ktheheshim dot nga e njëjta rrugë në Ivar për të marrë literaturë. Por, meqenëse isha rritur atje, arrita të gjeja një shteg të sigurt përmes plantacioneve të çajit dhe maleve. Sidoqoftë ekzistonte gjithnjë rreziku se mos ndeshnim ndonjë grup burrash të armatosur ose se mos shkelnim mbi mina. Nuk doja t’ua rrezikoja jetën vëllezërve, kështu që udhëtoja i vetëm një herë në muaj. Me ndihmën e Jehovait gjithnjë arrija të merrja ushqim besimforcues në kohën e duhur, dhe kjo na ndihmoi ta ruanim të fortë marrëdhënien me Të.
Ndonëse në Tkvarçel nuk kishte luftë, në qytetin tonë shpejt u ngritën postblloqe dhe, si rrjedhojë, patëm të njëjtat vështirësi si të ishim në luftë. Teksa afrohej dimri, ushqimi po na mbaronte dhe kishim merak se si do të mbijetonim. Sa të lumtur ishim kur morëm vesh se vëllezërit tanë në Ivari kishin organizuar ndihma për ne!
Gizoja: Një ditë, Igori e pyeti familjen time nëse shtëpia jonë mund të përdorej si depo për të ruajtur e shpërndarë ndihmat në ushqime që kishin përgatitur vëllezërit. Ai po planifikonte t’i merrte ato nga Ivari. Ishim të merakosur për sigurinë e tij, pasi i duhej të kalonte në disa postblloqe, si dhe mund të haste njerëz të armatosur e hajdutë.—Gjoni 15:13.
Sa u lehtësuam kur Igori u kthye shëndoshë e mirë ca ditë më vonë, me një makinë plot me ushqime për muajt e dimrit! Në ato kohë të rrezikshme kuptuam më së miri se dashuria e krishterë e vërtetë nuk dështon kurrë.—1 Kor. 13:8.