Zanafilla 24:1-67
24 Tashmë Abrahami ishte plakur, në moshë të shkuar, dhe Jehovai e kishte bekuar në çdo gjë.+
2 Abrahami i tha shërbëtorit më të moshuar të shtëpisë së tij, i cili administronte gjithçka që kishte:+ «Të lutem, vëre dorën nën kofshën time,*
3 dhe betomu për Jehovain, Perëndinë e qiejve dhe Perëndinë e tokës, se nuk do të marrësh për djalin tim një grua nga vajzat e kananitëve, mes të cilëve banoj.+
4 Përkundrazi, duhet të shkosh në vendin tim, te të afërmit e mi,+ dhe atje të marrësh një grua për tim bir, Isakun.»
5 Por shërbëtori i tha: «Po sikur ajo të mos dojë të vijë këtu me mua? A ta kthej djalin tënd në vendin nga erdhe?»+
6 Abrahami ia ktheu: «Sigurohu të mos e çosh tim bir atje!+
7 Jehovai, Perëndia i qiejve, që më mori nga shtëpia e atit tim, nga toka e të afërmve të mi,+ që më foli e m’u betua:+ ‘Pasardhësit* tënd+ do t’ia jap këtë tokë’,+ Ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje,+ dhe me siguri ke për të marrë atje një grua për tim bir.+
8 Megjithatë, sikur ajo të mos dojë të vijë me ty, ti do të jesh i lirë nga betimi që më bëre. Vetëm mos e ço tim bir atje.»
9 Ndërkaq, shërbëtori e vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotërisë së tij, dhe iu betua.+
10 Kështu shërbëtori mori dhjetë deve të zotërisë së tij, u nis me çdo lloj të mire dhe mori rrugën për në Mesopotami, në qytetin e Nahorit.
11 Kur mbërriti, i uli devetë në gjunjë jashtë qytetit, pranë një pusi. Ishte muzg, koha kur gratë dilnin për të nxjerrë ujë.
12 Atëherë ai u lut: «O Jehova, Perëndia i zotërisë tim, Abrahamit, të lutem, ma sill mbarë këtë punë sot dhe tregoji dashuri besnike zotërisë tim, Abrahamit.
13 Ja tek po rri pranë këtij burimi dhe bijat e banorëve të qytetit po dalin për të nxjerrë ujë.
14 Bëj që vajza së cilës do t’i them: ‘Ule pak shtambën, të lutem, që të pi’ dhe që do të më thotë: ‘Pi, dhe do t’u jap ujë edhe deveve’, të jetë ajo që do të zgjedhësh për shërbëtorin tënd, Isakun. Nga kjo do ta marr vesh se i ke treguar dashuri besnike zotërisë tim.»
15 Ai ishte ende duke u lutur, kur ja, doli me shtambë në sup Rebeka, vajza e Betuelit,+ birit të Milkës,+ gruas së Nahorit,+ vëllait të Abrahamit.
16 Vajza ishte shumë e bukur, virgjëreshë, asnjë burrë s’kishte pasur marrëdhënie me të. Ajo zbriti deri te burimi, mbushi shtambën dhe pastaj u kthye prapë.
17 Menjëherë shërbëtori vrapoi ta takonte dhe i tha: «Të lutem, më jep të pi pak ujë nga shtamba jote.»
18 Rebeka ia ktheu: «Pi, imzot.» Pastaj e uli shtambën me të shpejtë dhe, ndërsa e mbante në dorë, i dha të pinte.
19 Pasi i dha të pinte, i tha: «Do të nxjerr ujë edhe për devetë e tua derisa të ngopen.»
20 Kështu e boshatisi me të shpejtë shtambën në lugun e ujit dhe vrapoi shumë herë te pusi që të nxirrte ujë për të gjitha devetë e tij.
21 Gjatë gjithë kohës, shërbëtori e vështronte në heshtje i mrekulluar dhe pyeste veten nëse Jehovai ia kishte bërë të mbarë udhëtimin apo jo.
22 Kur devetë u ngopën, shërbëtori nxori një unazë hunde të artë që peshonte gjysmë sikle,* dy byzylykë ari që peshonin dhjetë sikla*
23 dhe e pyeti: «Të lutem, më thuaj, bijë e kujt je? A ka vend në shtëpinë e babait tënd që të kalojmë natën?»
24 Ajo iu përgjigj: «Jam e bija e Betuelit,+ birit të Milkës, që ajo i lindi Nahorit.»+
25 Pastaj shtoi: «Kemi shumë kashtë dhe tagji, si edhe vend për të kaluar natën.»
26 Atëherë shërbëtori u përkul me fytyrë përtokë para Jehovait
27 dhe tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i zotërisë tim, Abrahamit, sepse ka treguar vazhdimisht dashuri* dhe besnikëri ndaj zotërisë tim. Jehovai më ka drejtuar për në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim.»
28 Pastaj vajza iku me vrap që t’ua tregonte këto gjëra nënës dhe të tjerëve.
29 Rebeka kishte një vëlla, me emrin Laban,+ i cili u nis me vrap për tek ai burrë, që ishte jashtë, te burimi.
30 Në të vërtetë, pasi kishte parë unazën e hundës, byzylykët në duart e së motrës dhe pasi e kishte dëgjuar Rebekën të thoshte: «Kështu më tha ai burrë», Labani shkoi ta takonte dhe e gjeti atë burrë tek rrinte në këmbë pranë deveve, te burimi.
31 Menjëherë i tha: «Eja, o i bekuar i Jehovait! Pse rri jashtë? Kam bërë gati shtëpinë dhe vendin për devetë.»
32 Kështu shërbëtori hyri në shtëpi, dhe ai* çmbrehu devetë e u dha kashtë e tagji. Pastaj solli ujë që të lanin këmbët ai dhe burrat që ishin me të.
33 Megjithatë, kur i vunë përpara diçka për të ngrënë, shërbëtori tha: «Nuk do të ha pa ju thënë më parë atë që kam për t’ju thënë.» Prandaj Labani i tha: «Urdhëro, fol.»
34 Kështu ai tha: «Unë jam shërbëtor i Abrahamit.+
35 Jehovai e ka bekuar shumë zotërinë tim dhe e ka bërë shumë të pasur duke i dhënë gjedhë, dhen, argjend, ar, shërbëtorë e shërbëtore, deve e gomarë.+
36 Për më tepër, Sara, gruaja e zotërisë tim, i lindi atij një djalë kur ishte e shkuar në moshë,+ dhe ai do t’i japë djalit çdo gjë që ka.+
37 Prandaj zotëria im më vuri në be dhe më tha: ‘Nuk duhet të marrësh për djalin tim një grua nga vajzat e kananitëve, në vendin e të cilëve banoj.+
38 Por duhet të shkosh në shtëpinë e tim eti, në familjen time,+ dhe atje të marrësh një grua për tim bir.’+
39 Por unë e pyeta zotërinë: ‘Po sikur ajo të mos dojë të vijë me mua?’+
40 Ai më tha: ‘Jehovai, të cilit i kam shërbyer,*+ do të dërgojë engjëllin e tij+ me ty, e pa dyshim do të ta bëjë të mbarë udhën, dhe ti duhet të marrësh një grua për tim bir nga familja ime e nga shtëpia e tim eti.+
41 Megjithatë, nëse shkon te familja ime dhe ata nuk ta japin vajzën, do të jesh i lirë nga betimi që më bëre. Vetëm kështu do të jesh i lirë nga betimi që më bëre.’+
42 Kur arrita sot te burimi, u luta: “O Jehova, Perëndi i zotërisë tim, Abrahamit, ma sill mbarë këtë udhë.
43 Ja tek po rri pranë këtij burimi, prandaj bëj që vajza+ që do të dalë për të mbushur ujë së cilës do t’i them: ‘Të lutem, lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote’,
44 e që do të më thotë: ‘Pi, dhe do të nxjerr ujë edhe për devetë e tua’, të jetë gruaja që ti, o Jehova, ke zgjedhur për djalin e zotërisë tim.”+
45 Pa mbaruar lutjen që po bëja në heshtje, doli Rebeka me shtambën në sup, që zbriti te burimi dhe nisi të nxirrte ujë. Atëherë i thashë: ‘Më jep pak ujë, të lutem.’+
46 Kështu ajo e uli me të shpejtë shtambën nga supi dhe tha: ‘Pi,+ dhe do t’u jap edhe deveve të tua.’ Unë piva, dhe ajo u dha ujë edhe deveve.
47 Pastaj e pyeta: ‘Bijë e kujt je?’ Ajo më tha: ‘Jam e bija e Betuelit, birit të Nahorit dhe të Milkës.’ Atëherë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në duar.+
48 U përkula me fytyrë përtokë para Jehovait dhe e lëvdova Jehovain, Perëndinë e zotërisë tim, Abrahamit,+ i cili më kishte drejtuar në udhën e duhur, që të merrja vajzën e vëllait të zotërisë tim për të birin.
49 Tani, më thoni nëse doni të tregoni dashuri* dhe besnikëri ndaj zotërisë tim. Nëse jo, ma thoni gjithsesi, që të di ç’rrugë të marr.»*+
50 Atëherë Labani dhe Betueli u përgjigjën: «Kjo gjë vjen nga Jehovai, dhe ne s’mund të të themi as po, as jo.
51 Ja ku e ke Rebekën. Merre dhe shko, e ajo u bëftë gruaja e djalit të zotërisë tënd, ashtu si ka thënë Jehovai.»
52 Me të dëgjuar fjalët e tyre, shërbëtori i Abrahamit u përkul menjëherë me fytyrë përtokë para Jehovait.
53 Pastaj filloi të nxirrte sende argjendi, ari e rroba dhe ia dha Rebekës. I dha gjëra të çmuara edhe vëllait dhe nënës së saj.
54 Pas kësaj ai dhe burrat që ishin me të, hëngrën e pinë dhe e kaluan natën atje.
Kur u ngrit në mëngjes, ai tha: «Më lini të shkoj te zotëria im.»
55 Atëherë vëllai dhe nëna e saj ia kthyen: «Lëre vajzën të rrijë me ne së paku edhe dhjetë ditë. Pastaj le të vijë.»
56 Por ai u tha: «Mos më vononi, se Jehovai ma ka sjellë mbarë udhën. Më lini të shkoj te zotëria im.»
57 Prandaj ata thanë: «Le të thërrasim vajzën dhe ta pyesim.»
58 Kështu e thirrën Rebekën dhe e pyetën: «A do që të shkosh me këtë njeri?» Ajo ua ktheu: «Po, dua.»
59 Atëherë ata e nisën motrën e tyre, Rebekën,+ dhe tajën*+ e saj, bashkë me shërbëtorin e Abrahamit e me njerëzit e tij.
60 Ata e bekuan Rebekën dhe i thanë: «O motra jonë, u bëfsh nëna e mijërave e dhjetëra mijëve! Pasardhësit* e tu le të shtien në dorë portën* e atyre që i urrejnë!»+
61 Pastaj Rebeka dhe shërbëtoret e saj u ngritën, hipën në deve dhe shkuan pas atij burri. Kështu shërbëtori e mori Rebekën dhe u largua.
62 Tani, Isaku banonte në vendin e Negebit+ dhe po vinte nga rrethinat e Ber-Lahai-Roit.+
63 Në mbrëmje ai kishte dalë në fushë për t’u menduar*+ dhe, kur ngriti sytë, pa devetë që po vinin.
64 Edhe Rebeka ngriti sytë e vuri re Isakun, dhe zbriti menjëherë nga deveja.
65 Pastaj e pyeti shërbëtorin: «Kush është ai burri që po ecën në fushë dhe po na del përpara?» Shërbëtori i tha: «Është imzot.» Atëherë ajo mori vellon që të mbulohej.
66 Pastaj shërbëtori i tregoi Isakut gjithçka që kishte bërë.
67 Atëherë Isaku e çoi Rebekën në tendën e Sarës, nënës së tij.+ Kështu e mori Rebekën për grua, ra në dashuri me të+ dhe gjeti ngushëllim pas humbjes së nënës.+
Shënimet
^ Ka të ngjarë të ishte një zakon i lashtë për të vërtetuar një betim.
^ Fjalë për fjalë «Farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
^ Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
^ Ose «dashuri besnike».
^ Ka të ngjarë t’i referohet Labanit.
^ Fjalë për fjalë «para të cilit kam ecur».
^ Ose «dashuri besnike».
^ Fjalë për fjalë «të kthehem djathtas a majtas».
^ Domethënë, tajën që tani ishte shërbyesja e saj.
^ Fjalë për fjalë «Fara».
^ Ose «qytetet».
^ Ose «për të medituar».