Veprat e Apostujve 7:1-60
7 Por kryeprifti tha: «A është vërtet kështu?»
2 Stefani iu përgjigj: «Burra, vëllezër dhe etër, dëgjoni! Perëndia i lavdisë iu shfaq paraardhësit tonë, Abrahamit, kur ishte në Mesopotami, para se të vendosej në Haran,+
3 dhe i tha: ‘Largohu nga vendi yt e nga farefisi yt dhe shko në vendin që do të të tregoj.’+
4 Atëherë ai doli nga vendi i kaldeasve dhe u vendos në Haran. Pasi i vdiq i ati,+ Perëndia bëri që të shpërngulej në vendin ku banoni tani.+
5 E megjithatë nuk i dha asnjë trashëgimi në të, jo, as një pëllëmbë tokë,* por premtoi t’ia jepte atë vend si pronë atij dhe pasardhësit* të tij+ kur ende nuk kishte fëmijë.
6 Veç kësaj, Perëndia i tha se pasardhësit* e tij do të ishin të huaj në një vend që nuk ishte i tyre dhe do të skllavëroheshin e do të mundoheshin* për 400 vjet.+
7 ‘E unë do ta gjykoj atë komb, të cilit ata do t’i shërbejnë si skllevër,+—tha Perëndia.—Pas kësaj, do të dalin e do të më bëjnë shërbim të shenjtë në këtë vend.’+
8 Ai bëri një besëlidhje rrethprerjeje me të,+ dhe atij i lindi Isaku,+ që e rrethpreu ditën e tetë;+ Isakut i lindi* Jakobi, e Jakobit, 12 krerë familjesh.*
9 Krerët e familjeve u bënë xhelozë për Jozefin+ dhe e shitën në Egjipt.+ Por Perëndia ishte me të+
10 dhe e shpëtoi nga të gjitha vështirësitë. Ai i dha mençuri dhe pëlqimin e faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi të qeveriste Egjiptin dhe gjithë shtëpinë e tij.+
11 Por në tërë Egjiptin dhe Kananin ra një zi buke, po, një shtrëngim i madh, dhe paraardhësit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë.+
12 Mirëpo Jakobi dëgjoi se kishte ushqime* në Egjipt dhe dërgoi për herë të parë paraardhësit tanë.+
13 Kur i dërgoi për herë të dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të tij, dhe faraoni njohu familjen e Jozefit.+
14 Kështu, Jozefi urdhëroi t’ia sillnin të atin, Jakobin, e gjithë farefisin,+ gjithsej 75 veta.*+
15 Jakobi zbriti në Egjipt+ dhe më pas vdiq atje,+ e po kështu edhe paraardhësit tanë.+
16 Ata i çuan kufomat në Sikem dhe i vunë në varrin që Abrahami e kishte blerë për një shumë monedhash argjendi nga djemtë e Hamorit në Sikem.+
17 Kur po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte bërë Abrahamit, populli u rrit e u shumua në Egjipt,
18 derisa atje doli një mbret tjetër, i cili nuk e njihte Jozefin.+
19 Ky veproi me dinakëri kundër popullit tonë dhe i keqtrajtoi etërit tanë, duke i detyruar të braktisnin foshnjat që të mos mbeteshin gjallë.+
20 Në atë kohë, lindi Moisiu, që kishte bukuri hyjnore.* Për tre muaj, e ushqyen* në shtëpinë e të atit.+
21 Por, kur e braktisën,+ vajza e faraonit e mori dhe e rriti si djalin e vet.+
22 Kështu, Moisiu mësoi gjithë mençurinë e egjiptianëve dhe ishte shumë i zoti në fjalë e në vepra.+
23 Kur arriti moshën 40-vjeçare, vendosi* të shihte si ishin* vëllezërit e tij, bijtë e Izraelit.+
24 Kur pa se një egjiptian po keqtrajtonte njërin nga vëllezërit e tij, e mbrojti të vëllanë dhe mori hak për të, duke e vrarë egjiptianin.
25 Mendonte se vëllezërit do ta kuptonin që Perëndia po u jepte shpëtimin me anë të dorës së tij, por ata nuk e kuptuan.
26 Të nesërmen shkoi tek ata ndërkohë që po ziheshin dhe u përpoq të vinte paqen mes tyre, duke u thënë: ‘Burra, ju jeni vëllezër. Pse e goditni njëri-tjetrin?’
27 Por ai që po keqtrajtonte tjetrin,* e shtyu dhe ia ktheu: ‘Kush të vuri ty qeveritar dhe gjykatës mbi ne?
28 Mos do të më vrasësh edhe mua si vrave egjiptianin dje?’
29 Me të dëgjuar këtë, Moisiu ia mbathi dhe banoi si i huaj në vendin e Midianit, ku i lindën dy djem.+
30 Pasi kaluan 40 vjet, në shkretëtirën afër malit të Sinait, atij iu shfaq një engjëll në një flakë zjarri, në mes të një shkurreje me gjemba.+
31 Moisiu u mrekullua nga kjo, por, teksa po afrohej për ta parë me vëmendje, u dëgjua zëri i Jehovait:*
32 ‘Unë jam Perëndia i paraardhësve të tu, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit.’+ Duke u dridhur i tëri, Moisiu nuk guxoi të shikonte më.
33 Jehovai* i tha: ‘Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po rri, është tokë e shenjtë.
34 Sigurisht që e kam parë shtypjen e popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre+ dhe kam zbritur që t’i çliroj. Eja tani, do të të dërgoj në Egjipt.’
35 Këtë njeri, Moisiun, që ata e mohuan me fjalët: ‘Kush të vuri ty qeveritar dhe gjykatës?’,+ Perëndia e dërgoi,+ jo vetëm si qeveritar, por edhe si çlirimtar, nëpërmjet engjëllit që iu shfaq te shkurrja.
36 Ky njeri i nxori që andej+ duke bërë shenja e mrekulli* në Egjipt,+ në Detin e Kuq+ dhe në shkretëtirë gjatë 40 vjetëve.+
37 Ky është Moisiu që u tha bijve të Izraelit: ‘Perëndia do të nxjerrë një profet si unë nga vëllezërit tuaj.’+
38 Ky është ai që ndodhej mes kongregacionit në shkretëtirë me engjëllin+ që i foli+ në malin Sinai e me paraardhësit tanë, dhe që mori thënie të shenjta të gjalla për të na i dhënë ne.+
39 Paraardhësit tanë nuk pranuan t’i bindeshin atij, përkundrazi e hodhën tej+ dhe me zemër u kthyen në Egjipt,+
40 duke i thënë Aronit: ‘Na bëj perëndi që të na prijnë, se nuk e dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiut që na nxori nga Egjipti.’+
41 Kështu, ato ditë bënë një viç, i ofruan një flijim idhullit dhe gëzuan me veprat e duarve të tyre.+
42 Atëherë, Perëndia i braktisi dhe i la të adhuronin ushtrinë e qiellit,+ siç është shkruar në librin e Profetëve: ‘A më bëtë mua vallë blatime dhe flijime për 40 vjet në shkretëtirë, o shtëpi e Izraelit?!
43 Përkundrazi mbajtët tendën e Molokut+ dhe yllin e perëndisë Refan, shëmbëlltyra* që i bëtë për t’i adhuruar. Prandaj do t’ju dëboj matanë Babilonisë.’+
44 Paraardhësit tanë kishin tendën e dëshmisë* në shkretëtirë, siç kishte urdhëruar Ai kur i tha Moisiut që ta bënte sipas modelit që pa.+
45 Atë tendë e trashëguan paraardhësit tanë dhe bashkë me Josiun e çuan në vendin që e zotëronin ato kombe,+ të cilat Perëndia i përzuri para paraardhësve tanë.+ Këtu qëndroi deri në ditët e Davidit.
46 Ai fitoi miratim në sytë e Perëndisë dhe shprehu dëshirën t’i ndërtonte një banesë Perëndisë së Jakobit.+
47 Mirëpo ishte Solomoni që ndërtoi një shtëpi për të.+
48 Sidoqoftë, Më i Larti nuk banon në shtëpi të bëra me dorë,+ siç thotë edhe profeti:
49 ‘Qielli është froni im,+ dhe toka është stoli im i këmbëve.+ Çfarë shtëpie do të më ndërtoni?!—thotë Jehovai.*—Ku është vendbanimi im?!
50 A nuk i bëri dora ime tërë këto?!’+
51 O njerëz kokëfortë dhe të parrethprerë në zemër e në veshë! Ju gjithmonë i kundërviheni frymës së shenjtë! Siç bënë paraardhësit tuaj, ashtu bëni edhe ju.+
52 Cilin nga profetët nuk përndoqën paraardhësit tuaj?!+ Po, vranë ata që shpallën që më parë ardhjen e të drejtit,+ tradhtarë dhe vrasës të të cilit tani jeni bërë ju,+
53 po, ju që e morët Ligjin siç u përcoll nga engjëjt,+ por që nuk e zbatuat.»
54 Me të dëgjuar këto fjalë, ata u tërbuan* dhe filluan të kërcëllinin dhëmbët kundër tij.
55 Por ai, plot me frymë të shenjtë, ia nguli sytë qiellit, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezuin që qëndronte në të djathtë të Perëndisë+
56 dhe tha: «Ja, shoh qiejt të hapur dhe Birin e njeriut+ që qëndron në të djathtë të Perëndisë.»+
57 Atëherë, ata bërtitën sa u hante zëri, i zunë veshët me duar dhe u turrën të gjithë së bashku kundër tij.
58 Pasi e nxorën jashtë qytetit, nisën t’i gjuanin me gurë.+ Dëshmitarët+ i lanë rrobat te këmbët e një djali të ri që quhej Saul.+
59 Teksa i gjuanin, Stefani thërriti: «Zotëri Jezu, pranoje frymën* time.»
60 Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të fortë: «O Jehova,* mos ua ngarko atyre këtë mëkat!»+ Pasi tha këtë, ra në gjumin e vdekjes.
Shënimet
^ Ose «një copë tokë ku të vinte këmbët».
^ Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «fara».
^ Ose «do të keqtrajtoheshin».
^ Ose «patriarkë».
^ Një mundësi tjetër «bëri të njëjtën gjë me».
^ Ose «kishte drithë».
^ Ose «shpirt».
^ Ose «e rritën».
^ Ose «që ishte i bukur në sytë e Perëndisë».
^ Ose «i lindi në zemër».
^ Ose «të vizitonte».
^ Ose «të afërmin». Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «çudira».
^ Ose «idhuj».
^ Ose «tabernakullin».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «atyre u therën në zemër».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.