Numrat 35:1-34
35 Jehovai i tha akoma Moisiut në rrafshinat e shkreta të Moabit, afër Jordanit,+ pranë Jerikosë:
2 «Udhëzoji izraelitët që, nga trashëgimia që do të zotërojnë,+ t’u japin levitëve qytete banimi dhe kullotat rreth e qark qyteteve.+
3 Ata do të banojnë në qytete, ndërsa kullotat do të jenë për mbarështimin e bagëtisë dhe për gjithë kafshët e tjera.
4 Për kullotat e qyteteve që do t’u jepni levitëve, do të llogaritni 1.000 kute* nga të katër këndet e mureve të qytetit.
5 Kështu do të matni jashtë qytetit 2.000* kute në lindje, 2.000 kute në jug, 2.000 kute në perëndim dhe 2.000 kute në veri. Qyteti do të ndodhet në mes. Këto do të jenë kullotat e qyteteve të tyre.
6 Levitëve do t’u jepni 6 qytete strehimi,+ që atje të ikë me të shpejtë ai që i shkakton vdekjen dikujt,+ si edhe 42 qytete të tjera.
7 Levitëve do t’u jepni gjithsej 48 qytete bashkë me kullotat e tyre.+
8 Qytetet që do t’u jepni, do të jenë nga pronat e izraelitëve.+ Nga grupet më të mëdha do të merrni shumë, dhe nga grupet më të vogla do të merrni pak.+ Secili grup do t’u japë levitëve disa nga qytetet e tij, në përpjesëtim me trashëgiminë që do të marrë.»
9 Më pas Jehovai i tha Moisiut:
10 «Thuaju izraelitëve: ‘Kur të kaloni Jordanin për të hyrë në vendin e Kananit,+
11 zgjidhni qytete të volitshme për ju që t’ju shërbejnë si qytete strehimi, ku të ikë me të shpejtë ai që vret pa dashje dikë.+
12 Këto qytete do t’ju shërbejnë si strehim nga gjakmarrësi,+ që kushdo që i shkakton vdekjen dikujt, të mos vdesë derisa t’i bëhet gjyqi para asamblesë.+
13 Gjashtë qytetet e strehimit që do të jepni, do të shërbejnë për këtë qëllim.
14 Do të jepni tri qytete në lindje të Jordanit+ dhe tri qytete në vendin e Kananit.+ Ato do të shërbejnë si qytete strehimi.
15 Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si strehim për izraelitët, për të ardhurin+ dhe për atë që është shpërngulur e ka vajtur mes tyre, që atje të ikë me të shpejtë kushdo që vret pa dashje dikë.+
16 Por nëse ai e godet me një vegël hekuri dhe tjetri vdes, ai është vrasës, dhe vrasësi duhet të ekzekutohet patjetër.+
17 Nëse e godet me një gur që mund t’i shkaktojë vdekjen dhe tjetri vdes, ai është vrasës, dhe vrasësi duhet të ekzekutohet patjetër.
18 Nëse e godet me një vegël druri që mund t’i shkaktojë vdekjen dhe tjetri vdes, ai është vrasës, dhe vrasësi duhet të ekzekutohet patjetër.
19 Do të jetë vetë gjakmarrësi që do ta ekzekutojë vrasësin. Kur t’i dalë përpara, ai do ta vrasë.
20 Nëse personi vdiq ngaqë tjetri e shtyu nga urrejtja, e goditi me diçka i nxitur nga qëllime të liga,*+
21 ose ngaqë e goditi me dorë i shtyrë nga urrejtja, ai që e goditi, do të ekzekutohet patjetër; ai është vrasës. Gjakmarrësi do ta ekzekutojë vrasësin kur t’i dalë përpara.
22 Por nëse e shtyu pa dashje dhe pa e urryer më parë, ose e goditi me diçka pa qëllime të liga,*+
23 ose pa e parë rrëzoi ndonjë gur mbi të, ndonëse nuk kishte armiqësi me të dhe nuk po kërkonte t’i bënte keq, dhe ai vdiq,
24 atëherë asambleja duhet të gjykojë mes atij që e goditi dhe gjakmarrësit, sipas këtyre parimeve gjyqësore.+
25 Asambleja duhet ta mbrojë nga duart e gjakmarrësit atë që i shkaktoi vdekjen dikujt dhe ta kthejë në qytetin e tij të strehimit, aty ku kishte shkuar me të shpejtë. Ai duhet të banojë atje derisa të vdesë kryeprifti i mirosur* me vajin e shenjtë.+
26 Por nëse ai që i shkaktoi vdekjen dikujt del jashtë kufirit të qytetit të strehimit ku ka shkuar,
27 dhe gjakmarrësi e gjen jashtë kufirit të qytetit të strehimit dhe e vret, ky nuk mban faj gjaku,
28 sepse ai që i ka shkaktuar vdekjen dikujt duhet të banojë në qytetin e strehimit derisa të vdesë kryeprifti. Pas vdekjes së kryepriftit, mund të kthehet në tokën që ka si pronë.+
29 Këto do t’ju shërbejnë si ligje për gjykim brez pas brezi, kudo që të banoni.
30 Kushdo që vret një njeri, duhet të ekzekutohet si vrasës+ nga dëshmia* e disa dëshmitarëve.+ Por askush nuk mund të ekzekutohet nga dëshmia e një dëshmitari të vetëm.
31 Mos merr asnjë shpërblesë për jetën e një vrasësi që meriton të vdesë, sepse ai duhet të ekzekutohet patjetër.+
32 Mos merr shpërblesë për këdo që ka ikur në qytetin e strehimit, që ta lejosh të kthehet prapë të banojë në pronën e vet para vdekjes së kryepriftit.
33 Mos e ndotni vendin ku jetoni, sepse gjaku e ndot vendin,+ dhe nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për gjakun që është derdhur në vend, përveçse me gjakun e atij që e derdhi.+
34 Mos e përdhosni vendin ku banoni, mes të cilit qëndroj unë, sepse unë, Jehovai, banoj mes izraelitëve.’»+
Shënimet
^ Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
^ Ka të ngjarë të llogaritej nga njëri kënd i murit në tjetrin përgjatë perimetrit të tij, pa përfshirë gjatësinë e vetë qytetit.
^ Fjalë për fjalë «ndërsa i kishte zënë pritë».
^ Fjalë për fjalë «pa i zënë pritë».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «goja».