Sipas Markut 7:1-37
7 Tani, farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi, u mblodhën rreth tij+
2 dhe panë disa nga dishepujt që hanin bukë me duar të ndotura, të palara.*
3 (Faktikisht farisenjtë dhe të gjithë judenjtë, ngaqë ruajnë me fanatizëm traditat e të parëve, nuk hanë po të mos i lajnë duart deri në bërryl
4 dhe, kur kthehen nga pazari, nuk hanë pa u larë më parë. Ata ruajnë me fanatizëm edhe shumë tradita të tjera, si zhytjen në ujë* të kupave, të brokave dhe të enëve prej bakri.)+
5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: «Pse dishepujt e tu nuk ruajnë traditat e të parëve, por hanë me duar të ndotura?»+
6 Ai iu përgjigj: «Mirë profetizoi Isaia për ju, o hipokritë, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë.+
7 Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse doktrinat që mësojnë, janë veçse urdhërime njerëzish.’+
8 Ju lini pas dore urdhërimet e Perëndisë, por ruani me fanatizëm traditat e njerëzve.»+
9 Ai u tha akoma: «Ju i shpërfillni me marifet urdhërimet e Perëndisë, që të ruani traditat tuaja.+
10 Për shembull, Moisiu tha: ‘Ndero babanë dhe nënën tënde’+ dhe ‘Ai që shan* babanë ose nënën, do të vdesë.’+
11 Kurse ju thoni: “Nëse dikush i thotë babait ose nënës: ‘Gjithçka me të cilën mund të të ndihmoja, është kurban (domethënë, dhuratë kushtuar Perëndisë)’”,
12 ju nuk e lini më të bëjë asgjë për babanë ose nënën.+
13 Kështu e zhvleftësoni fjalën e Perëndisë për shkak të traditave që përcillni,+ dhe bëni edhe shumë gjëra të ngjashme me këto.»+
14 Ai e thirri përsëri turmën pranë dhe u tha: «Më dëgjoni të gjithë dhe kapni kuptimin e asaj që po ju them.+
15 Njeriun nuk e ndot asgjë që hyn tek ai, por e ndotin gjërat që dalin prej tij.»+
16 *——
17 Tani, kur hynë në një shtëpi, larg turmës, dishepujt filluan ta pyetnin për ilustrimin.+
18 Prandaj u tha: «As ju nuk jeni në gjendje ta kuptoni?! A nuk e kuptoni se njeriun nuk e ndot asgjë që hyn tek ai,
19 sepse nuk hyn në zemrën e tij, por në stomak, dhe pastaj del jashtë?!»* Kështu ai i shpalli të pastra të gjitha ushqimet.
20 Përveç kësaj u tha: «Njeriun e ndot çfarë del nga ai,+
21 sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve,+ dalin arsyetime të dëmshme, të cilat çojnë në imoralitet seksual,* vjedhje, vrasje,
22 kurorëshkelje,* lakmi, veprime të liga, mashtrime, sjellje të pacipë,* sy ziliqar, blasfemi,* fodullëk dhe paarsyetueshmëri.
23 Të gjitha këto gjëra të liga burojnë nga brenda dhe e ndotin njeriun.»
24 Nga aty, ai u çua e shkoi në rajonin e Tirit dhe të Sidonit.+ Hyri në një shtëpi, mirëpo nuk donte ta merrte vesh njeri, e prapëseprapë e vunë re.
25 Sapo dëgjoi për të, një grua erdhi dhe i ra ndër këmbë, sepse vajza e saj e vogël kishte një frymë të ndyrë.*+
26 Gruaja ishte greke, por kishte lindur në Sirofeniki.* Ajo i kërkoi me ngulm që të dëbonte demonin nga e bija.
27 Mirëpo ai i tha: «Më parë të ngopen fëmijët, se nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh të vegjëlve të qenve.»+
28 Megjithatë ajo iu përgjigj: «Po, imzot, por edhe të vegjlit e qenve hanë poshtë tryezës nga thërrimet e fëmijëve të vegjël.»
29 Atëherë ai i tha: «Meqë the këtë, shko, demoni ka dalë nga vajza jote.»+
30 Kështu ajo iku në shtëpi dhe e gjeti fëmijën të shtrirë në shtrat, kurse demoni kishte dalë prej saj.+
31 Kur po kthehej nga rajoni i Tirit, Jezui shkoi përmes Sidonit drejt detit të Galilesë, mes për mes rajonit të Dekapolit.*+
32 Në atë vend i çuan një njeri të shurdhër e që i mbahej goja+ dhe iu përgjëruan të vinte dorën mbi të.*
33 Ai e mori veçmas, larg turmës. Pastaj i futi gishtat në veshë dhe, pasi pështyu, i preku gjuhën.+
34 Ngriti sytë nga qielli, psherëtiu thellë dhe i tha: «Éffatha», që do të thotë «hapu».
35 Menjëherë veshët iu hapën+ e gjuha iu zgjidh, dhe ai filloi të fliste normalisht.
36 Jezui urdhëroi të mos i tregonin askujt,+ mirëpo, sa më shumë që i urdhëronte, aq më shumë flitnin për të.+
37 Në të vërtetë, ata ishin jashtëzakonisht të mahnitur+ dhe thoshin: «Të gjitha veprat e tij janë të mrekullueshme. Ai i bën edhe të shurdhrit të dëgjojnë dhe të pagojët të flasin.»+
Shënimet
^ Domethënë, të papastruara ceremonialisht.
^ Fjalë për fjalë «pagëzimi». Shih Fjalorthin.
^ Ose «mallkon».
^ Shih Shtojcën A3.
^ Ose «përfundon në nevojtore?!»
^ Shumësi i fjalës greke porneía. Shih Fjalorthin.
^ Ose «tradhti bashkëshortore».
^ Ose «sjellje e paturp; përbuzëse». Greqisht, asélgeia. Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Ose «ishte me kombësi sirofenikase».
^ Ose «rajonit me dhjetë qytete».
^ Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».