Sipas Lukës 7:1-50
7 Pasi i tha popullit çfarë kishte për të thënë, ai hyri në Kapernaum.
2 Tani, skllavi i një centurioni* ishte sëmurë për vdekje.+ Centurioni e donte aq shumë atë skllav, saqë,
3 kur dëgjoi për Jezuin, dërgoi tek ai disa pleq të judenjve që t’i kërkonin të vinte e t’i shëronte skllavin.
4 Ata vajtën te Jezui dhe nisën t’i përgjëroheshin me gjithë shpirt: «Ai e meriton ta ndihmosh,
5 sepse e do kombin tonë dhe na ndërtoi sinagogën.»
6 Prandaj Jezui shkoi me ta. Ai po i afrohej shtëpisë, por centurioni kishte dërguar tashmë disa miq të tij për t’i thënë: «Imzot, mos u mundo, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time+
7 e për këtë arsye nuk erdha te ti. Por ti thuaj veç një fjalë, dhe shërbëtori im do të shërohet,
8 sepse edhe unë, ndonëse jam nën autoritetin e dikujt, kam ushtarë që janë nën urdhrat e mi. Njërit i them: ‘Shko’, dhe ai shkon. Tjetrit i them: ‘Hajde’, dhe ai vjen. Edhe skllavit tim i them: ‘Bëje këtë’, dhe ai e bën.»
9 Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mahnit me të, u kthye nga turma që e ndiqte dhe u tha: «Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.»+
10 E kur u kthyen në shtëpi, njerëzit që kishte dërguar centurioni, e gjetën skllavin shëndoshë e mirë.+
11 Pak pas kësaj, Jezui udhëtoi për në një qytet që quhej Nain. Bashkë me të po udhëtonin dishepujt e tij dhe një turmë e madhe.
12 Kur iu afrua portës së qytetit, pa që po nxirrnin një të vdekur, djalin e vetëm* të një vejushe.+ Bashkë me nënën e tij ishte edhe një turmë mjaft e madhe nga ai qytet.
13 Sa e vuri re, Zotëria u shty nga keqardhja për të+ dhe i tha: «Mos qaj më!»+
14 Pastaj u afrua dhe preku vigun* e varrimit, ndërsa ata që e mbanin, u ndalën. Më pas vazhdoi: «Djalosh, ty po të them: ngrihu!»+
15 I vdekuri u kthye në jetë, u ngrit e ndenji ulur, dhe nisi të fliste. Jezui ia dha së ëmës.+
16 Atëherë të gjithë mbetën gojëhapur dhe filluan t’i jepnin lavdi Perëndisë e të thoshin: «Na është dhënë një profet i madh mes nesh»,+ dhe «Perëndisë i erdhi keq për popullin e vet».+
17 Fjala për të u përhap në tërë Judenë dhe në gjithë vendin përreth.
18 Tani, dishepujt e Gjonit ia treguan atij të gjitha këto gjëra.+
19 Prandaj Gjoni thirri dy nga dishepujt e vet dhe i dërgoi te Zotëria që ta pyetnin: «A je ti ‘ai që duhet të vijë’,+ apo duhet të presim një tjetër?»
20 Kur vajtën te Jezui, ata i thanë: «Gjon Pagëzori na dërgoi te ti që të të pyesim: “A je ti ‘ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?”»
21 Në atë kohë, Jezui shëroi shumë veta nga sëmundjet,+ lëngatat e rënda dhe nga frymërat e liga,* si dhe u fali dritën e syve shumë të verbërve.
22 Ai iu përgjigj: «Shkoni, tregojini Gjonit çfarë patë dhe dëgjuat: të verbrit tani po shohin,+ të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë,+ të vdekurit po ringjallen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.+
23 Lum ai që nuk gjen arsye të dyshojë për mua!»*+
24 Kur lajmëtarët e Gjonit ikën, Jezui nisi ta pyeste turmën për Gjonin: «Çfarë donit të shihnit kur dolët në shkretëtirë? Një kallam që tundet nga era?+
25 Çfarë donit të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba cilësore?*+ Ata që vishen me rroba madhështore dhe që jetojnë në luks, banojnë në pallate mbretërore.
26 Vërtet, çfarë donit të shihnit? Një profet? E pra, unë po ju them se ai është shumë më tepër se një profet.+
27 Është ai për të cilin është shkruar: ‘Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, i cili do të të përgatitë udhën!’+
28 Unë po ju them: ndër ata që kanë lindur nga gratë, nuk ka asnjë më të madh se Gjoni, e megjithatë, ai që është i vogël në Mbretërinë e Perëndisë, është më i madh se ai.»+
29 (Kur e dëgjuan këtë, gjithë populli dhe taksambledhësit pranuan hapur se Perëndia është i drejtë, sepse ata ishin pagëzuar me pagëzimin e Gjonit.+
30 Por farisenjtë dhe ata që e njihnin mirë Ligjin, e shpërfillën drejtimin* e Perëndisë,+ sepse nuk ishin pagëzuar nga Gjoni.)
31 «Me kë t’i krahasoj njerëzit e këtij brezi dhe me kë ngjajnë?+
32 Ata ngjajnë me fëmijët që rrinë ulur në një shesh pazari dhe i thonë njëri-tjetrit: ‘I ramë fyellit për ju, por ju nuk kërcyet; vajtuam, por ju nuk qatë.’
33 Po kështu erdhi Gjon Pagëzori që nuk ha bukë e nuk pi verë,+ e megjithatë ju thoni: ‘Ai ka një demon.’
34 Erdhi Biri i njeriut që ha e pi, dhe prapëseprapë ju thoni: ‘Ja, një grykës i dhënë pas verës, mik i taksambledhësve dhe i mëkatarëve.’+
35 Gjithsesi, mençuria del e drejtë* nga gjithë fëmijët e saj.»*+
36 Tani, një farise i lutej të hante me të. Prandaj Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u shtrua në tryezë.
37 Kur ja, erdhi një grua e njohur në qytet si mëkatare. Ajo kishte marrë vesh se ai ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e fariseut, prandaj solli një enë alabastri me vaj aromatik.+
38 Kështu, ajo qëndroi prapa, te këmbët e tij, qau dhe nisi t’ia lagte këmbët me lot dhe t’ia fshinte me flokët e saj. Gjithashtu, ia puthi këmbët dhe ia leu me vajin aromatik.
39 Kur e pa këtë, fariseu që e ftoi, tha me vete: «Po të ishte vërtet profet, ky do ta dinte kush është ajo që po e prek dhe ç’grua është, se është një mëkatare.»+
40 Por Jezui i tha: «Simon, kam diçka për të të thënë.» Ai ia ktheu: «Po, Mësues, më thuaj.»
41 «Dy njerëz i kishin borxh një huadhënësi: njëri 500 denarë* dhe tjetri 50.
42 Meqë nuk kishin t’ia kthenin, ai i fali bujarisht që të dy. Cili nga të dy do ta dojë më shumë?»
43 Simoni iu përgjigj: «Ma ha mendja, ai të cilit i fali më shumë.» Jezui i tha: «Gjykove drejt.»
44 Pastaj u kthye nga gruaja dhe i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde, mirëpo ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët. Kurse kjo grua m’i lau këmbët me lotët e saj dhe m’i fshiu me flokët e vet.
45 Ti nuk më puthe, kurse kjo grua, që kur hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia.
46 Ti nuk më derdhe vaj mbi kokë, kurse kjo grua m’i lau këmbët me vaj aromatik.
47 Për këtë arsye, unë po të them se mëkatet e saj, edhe pse të shumta,* i janë falur,+ sepse tregoi shumë dashuri. Por, kujt i falet pak, tregon pak dashuri.»
48 Pastaj i tha gruas: «Mëkatet e tua janë falur.»+
49 Ata që ishin shtruar me të në tryezë, nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Kush është ky që fal edhe mëkatet?»+
50 Kurse ai i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi.+ Shko në paqe.»
Shënimet
^ Komandant i 100 ushtarëve.
^ Fjalë për fjalë «e vetëmlindur».
^ Ose «shtratin portativ».
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Fjalë për fjalë «që nuk gjen shkak për t’u penguar nga unë!»
^ Fjalë për fjalë «të buta?»
^ Ose «këshillat».
^ Ose «shfajësohet».
^ Ose «nga gjithë rezultatet».
^ Shih Shtojcën B14.
^ Ose «të mëdha».