Letra drejtuar hebrenjve 10:1-39

  • Flijimet në kafshë—të pamjaftueshme (1-4)

    • Ligji—një hije (1)

  • Flijimi i Krishtit u ofrua një herë e mirë (5-18)

  • Udha e re e hyrjes që të çon në jetë (19-25)

    • Të mos lëmë pas dore mbledhjet tona (24, 25)

  • Paralajmërim kundër mëkatit me dashje (26-31)

  • Guxim dhe besim për të qëndruar (32-39)

10  E meqë Ligji është një hije+ e gjërave të mira që do të vijnë,+ por jo vetë realiteti i tyre, ai* nuk mundet kurrë që, nëpërmjet të njëjtave flijime që paraqiten vazhdimisht, vit për vit, t’i bëjë të përsosur ata që i afrohen Perëndisë.+  Përndryshe, a nuk do të kishin pushuar paraqitjet e flijimeve, përderisa ata që i paraqitin* nuk do të ishin më të vetëdijshëm për mëkatet e tyre njëherë që pastroheshin?  Përkundrazi, me anë të këtyre flijimeve, mëkatet kujtohen vit për vit,+  sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve t’i heqë mëkatet.  Prandaj, kur erdhi në botë, Krishti tha: «Flijime dhe blatime nuk deshe, por më përgatite një trup.  Ti nuk miratove blatime të plota të djegura dhe as blatime për mëkatin.+  Prandaj unë thashë: ‘Ja, unë kam ardhur (në rrotull* është shkruar për mua) të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.’»+  Siç shohim, pasi thotë: «Ti nuk deshe dhe as nuk miratove flijime, blatime, blatime të plota të djegura dhe blatime për mëkatin»​—flijime që bëhen sipas Ligjit—​  ai shton: «Ja, unë kam ardhur të bëj vullnetin tënd.»+ Kështu, ai i jep fund të parës, që të vendosë të dytën. 10  E prej këtij «vullneti»+ jemi shenjtëruar një herë e mirë nëpërmjet blatimit të trupit të Jezu Krishtit.+ 11  Gjithashtu, çdo prift paraqitet ditë për ditë në vendin e vet, që të kryejë shërbim të shenjtë*+ dhe të bëjë shpesh të njëjtat flijime,+ të cilat nuk mund t’i heqin kurrë plotësisht mëkatet.+ 12  Kurse ky njeri paraqiti një herë e mirë një flijim të vetëm për mëkatet dhe u ul në të djathtën e Perëndisë,+ 13  e që nga ajo kohë po pret derisa armiqtë t’i vihen si stol për këmbët.+ 14  Vërtet, me anë të një flijimi të vetëm, ai i ka bërë përgjithmonë të përsosur ata që po shenjtërohen.+ 15  Për më tepër, edhe fryma e shenjtë dëshmon për këtë, sepse, pasi thotë: 16  «Kjo është besëlidhja që do të bëj me ta pas atyre ditëve,—thotë Jehovai.*—Do t’ua vë ligjet e mia në zemër dhe do t’ua shkruaj në mendje»,+ 17  ajo shton: «Nuk do t’i sjell më ndër mend mëkatet dhe veprat e tyre të paligjshme.»+ 18  Prandaj, nëse këto falen, nuk nevojitet më një blatim për mëkatin. 19  Prandaj, vëllezër, përderisa kemi siguri të plotë se falë gjakut të Jezuit mund ta përdorim udhën e hyrjes për në vendin e shenjtë,*+ 20  të cilën ai e hapi* për ne si një udhë të re që çon në jetë nëpërmjet perdes,*+ domethënë trupit* të tij, 21  dhe përderisa kemi një prift të madh në krye të shtëpisë së Perëndisë,+ 22  le t’i afrohemi me zemër të sinqertë e me besim të plotë, sepse na janë pastruar* zemrat nga një ndërgjegje e keqe+ dhe na janë larë trupat me ujë të pastër.+ 23  Le të vazhdojmë të dëshmojmë publikisht për shpresën tonë pa u lëkundur,+ sepse Ai që e premtoi, është besnik. 24  E le të interesohemi* për njëri-tjetrin, që të nxitemi* për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera,+ 25  e të mos i lëmë pas dore* mbledhjet tona,+ siç e kanë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit,*+ aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.+ 26  Tani, nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës,+ s’ka më asnjë flijim për mëkatet,+ 27  por na pret një gjykim i frikshëm dhe indinjata e zjarrtë e Perëndisë, e cila do t’i përpijë ata që i kundërvihen.+ 28  Kush shpërfill Ligjin e Moisiut, dënohet me vdekje pa mëshirë, me dëshminë e dy ose tre vetave.+ 29  Ç’mendoni, pra, a nuk meriton një ndëshkim më të ashpër ai që e shkel me këmbë Birin e Perëndisë, që e konsideron si të zakonshëm gjakun e besëlidhjes,+ me anë të të cilit u shenjtërua, dhe që e nëpërkëmb me përbuzje frymën* nëpërmjet së cilës Perëndia tregon mirësi të pamerituar?!+ 30  Faktikisht, ne e njohim Atë që tha: «Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj», dhe: «Jehovai* do ta gjykojë popullin e tij.»+ 31  Sa e tmerrshme është të biesh në duart e Perëndisë së gjallë! 32  Megjithatë, mos harroni ditët e mëparshme kur përballuat një betejë të madhe mes shumë vuajtjesh, pasi Perëndia ju kishte ndriçuar mendjet.+ 33  Ndonjëherë ju ekspozuan publikisht* para fyerjeve dhe vuajtjeve,* e herë të tjera ju vetë iu bëtë krahë atyre* që po i provonin këto në kurriz. 34  Ju treguat se ju vinte keq për vëllezërit që ishin në burg dhe pranuat me gëzim t’jua plaçkitnin zotërimet,+ sepse e dini që keni një zotërim të qëndrueshëm e më të mirë.+ 35  Prandaj, mos e humbni guximin,* sepse falë tij do të shpërbleheni me bollëk.+ 36  Vërtet, ju keni nevojë për qëndrueshmëri,+ që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të shijoni përmbushjen e premtimit, 37  sepse «edhe pak fare»+ dhe «ai që po vjen, do të mbërrijë e nuk do të vonojë».+ 38  «Por i drejti do të jetojë falë besimit»+ dhe «nëse ai sprapset, unë nuk kënaqem me të».+ 39  Megjithatë, ne nuk jemi lloji që sprapset e shkon drejt shkatërrimit,+ por lloji që ka besim dhe e shpëton jetën.

Shënimet

Një mundësi tjetër «njerëzit».
Ose «ata që kryejnë shërbim të shenjtë».
Fjalë për fjalë «në rrotullën e librit».
Ose «shërbim publik».
Ose «Më të Shenjtën».
Fjalë për fjalë «e përuroi».
Fjalë për fjalë «mishit».
Fjalë për fjalë «janë spërkatur», pra, janë spërkatur me gjakun e Jezuit.
Ose «le të kujdesemi; le të kemi merak».
Ose «të motivohemi».
Fjalë për fjalë «të mos i braktisim».
Ose «të inkurajojmë njëri-tjetrin».
Fjalë për fjalë «ju ekspozuan si në teatër».
Ose «shtrëngimeve».
Ose «vuajtët si ata».
Ose «mos e flakni tej lirinë e fjalës».