Gjykatësit 11:1-40
11 Jefteu,+ galaditi, ishte luftëtar i fuqishëm. Ai ishte djali i një prostitute dhe i ati ishte Galadi.
2 Por Galadit i lindi djem edhe e shoqja. Kur u rritën, djemtë që i lindi e shoqja e dëbuan Jefteun dhe i thanë: «Ti nuk do të kesh trashëgimi në shtëpinë e atit tonë, sepse je djali i një gruaje tjetër.»
3 Prandaj Jefteu ia mbathi prej vëllezërve të tij dhe u vendos me banim në vendin e Tobit. Me të u bashkuan njerëz të papunë që i shkonin pas.
4 Pas njëfarë kohe, amonitët luftuan kundër Izraelit.+
5 Gjatë luftës së tyre kundër Izraelit, pleqtë e Galadit shkuan e thirrën menjëherë Jefteun nga vendi i Tobit.
6 Ata i thanë Jefteut: «Eja e bëhu komandanti ynë, që të mund të luftojmë kundër amonitëve.»
7 Por Jefteu ua ktheu pleqve të Galadit: «A nuk ishit ju që më urryet kaq shumë sa më dëbuat nga shtëpia e babait tim?+ Pse vini tek unë tani që gjendeni ngushtë?»
8 Pleqtë e Galadit iu përgjigjën: «Është e vërtetë, por nëse vjen me ne dhe lufton kundër amonitëve, do të bëhesh prijësi i tërë banorëve të Galadit.»+
9 Kështu Jefteu u tha pleqve të Galadit: «Nëse po më ktheni për të luftuar kundër amonitëve dhe Jehovai i mund ata për mua, atëherë unë do të bëhem pa diskutim prijësi juaj!»
10 Pleqtë e Galadit ia kthyen: «Jehovai le të jetë dëshmitar* mes nesh, po nuk bëmë si the!»
11 Kështu, Jefteu shkoi me pleqtë e Galadit dhe populli e bëri atë prijësin e komandantin e vet. Në Mizpah, Jefteu përsëriti para Jehovait fjalët që kishte rënë dakord.+
12 Më pas Jefteu i dërgoi lajmëtarë mbretit të amonitëve+ për t’i thënë: «Ç’ke me mua* që paske ardhur të sulmosh vendin tim?»
13 Kështu mbreti i amonitëve u tha lajmëtarëve të Jefteut: «Kur doli nga Egjipti,+ Izraeli mori tokën time nga Arnoni+ deri në Jabok e në Jordan.+ Tani, ktheje me të mirë.»
14 Por Jefteu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të amonitëve
15 që t’i thoshin:
«Kështu thotë Jefteu: “Izraeli nuk mori vendin e moabitëve+ dhe vendin e amonitëve,+
16 sepse kur doli nga Egjipti, Izraeli mori rrugën e shkretëtirës deri në Detin e Kuq+ dhe mbërriti në Kadesh.+
17 Pastaj Izraeli i dërgoi lajmëtarë mbretit të Edomit+ për t’i thënë: ‘Të lutemi, na lër të kalojmë përmes vendit tënd’, por mbreti i Edomit nuk dëgjoi. I dërgoi fjalë edhe mbretit të Moabit,+ por ai nuk pranoi. Kështu Izraeli qëndroi në Kadesh.+
18 Tek ecnin nëpër shkretëtirë, ata i ranë anës e anës vendit të Edomit+ dhe të Moabit. Udhëtuan në lindje të vendit të Moabit+ dhe e ngritën kampin në rajonin e Arnonit; nuk e shkelën kufirin e Moabit,+ sepse Arnoni ishte kufiri i Moabit.
19 Pas kësaj, Izraeli i dërgoi lajmëtarë Sihonit, mbretit të amoritëve, mbretit të Heshbonit, dhe i tha: ‘Të lutemi, na lër të kalojmë përmes vendit tënd që të shkojmë në vendin tonë.’+
20 Por Sihoni nuk kishte besim ta linte Izraelin të kalonte nëpër territorin e tij. Prandaj ai mblodhi tërë popullin, ngriti kampin në Jahaz dhe luftoi kundër Izraelit.+
21 Atëherë Jehovai, Perëndia i Izraelit, e dha Sihonin dhe tërë popullin e tij në duart e Izraelit. Kështu Izraeli e mundi dhe shtiu në dorë tërë tokën e amoritëve që banonin në atë vend.+
22 Pra, ata shtinë në dorë gjithë territorin e amoritëve nga Arnoni deri në Jabok dhe nga shkretëtira deri në Jordan.+
23 Ishte Jehovai, Perëndia i Izraelit, ai që i dëboi amoritët para syve të popullit të tij, Izraelit,+ kurse tani ti dashke ta dëbosh Izraelin?
24 A nuk zotëron ti çfarëdo që të jep Kemoshi,+ perëndia yt? Në të njëjtën mënyrë, ne do të marrim në zotërim vendin e kujtdo që Jehovai, Perëndia ynë, dëbon para syve tanë.+
25 Pastaj, mos je ti më i mirë se Balaku,+ bir i Ziporit dhe mbret i Moabit?! A u ndesh ai ndonjëherë me Izraelin?! Luftoi ndonjëherë kundër tij?!
26 Kur Izraeli banoi për 300 vjet në Heshbon e në fshatrat e tij,+ në Aroer e në fshatrat e tij dhe në tërë qytetet buzë Arnonit, pse s’u përpoqe gjatë asaj kohe që t’ia merrje prapë këto prona?+
27 Unë s’kam mëkatuar kundër teje, por ti e ke gabim që po më sulmon. Jehovai që është Gjykatës,+ le të gjykojë sot mes popullit të Izraelit dhe popullit të Amonit!”»
28 Por mbreti i amonitëve nuk e dëgjoi mesazhin që i çoi Jefteu.
29 Atëherë fryma e Jehovait erdhi mbi Jefteun,+ i cili kaloi nëpër Galad dhe Manase që të shkonte në Mizpeh të Galadit+ dhe nga atje doli për të luftuar kundër amonitëve.
30 Pastaj Jefteu i bëri një betim+ Jehovait dhe tha: «Nëse m’i jep në dorë amonitët,
31 atëherë njeriu që do të dalë nga dera e shtëpisë sime për të më takuar kur të kthehem fitimtar nga amonitët, do të të përkasë ty, o Jehova,+ dhe unë do ta paraqes si të ishte një blatim i djegur.»*+
32 Kështu, Jefteu shkoi të luftonte kundër amonitëve dhe Jehovai i dorëzoi në duart e tij.
33 Ai goditi 20 qytete e bëri kërdinë nga Aroeri deri në Minit, derisa arriti në Abel-Keramim. Kështu, izraelitët i mposhtën amonitët.
34 Në fund Jefteu mbërriti në shtëpinë e tij, në Mizpah,+ dhe ja, përpara i doli e bija duke i rënë dajres e duke kërcyer. Ishte i vetmi fëmijë që kishte. Përveç saj, nuk kishte as djalë, as vajzë.
35 Kur e pa, Jefteu shqeu rrobat e tha: «Oh jo, bija ime! Ç’ma copëtove zemrën!* Po të përzë me duart e mia! Kam bërë një betim* para Jehovait, e nuk mund ta kthej pas.»+
36 Por ajo i tha: «Nëse ke bërë një betim para Jehovait, o ati im, bëj me mua siç premtove,+ sepse për hatrin tënd Jehovai u hakmor mbi armiqtë e tu, amonitët.»
37 Pastaj i tha të atit: «Të kërkoj vetëm një gjë: më lër të shkoj në male për dy muaj e të qaj virgjërinë time bashkë me shoqet.»*
38 Atëherë ai i tha: «Shko!» Kështu e la të shkonte për dy muaj e ajo iku në male bashkë me shoqet për të qarë virgjërinë e saj.
39 Në fund të dy muajve, ajo u kthye tek i ati, i cili e mbajti betimin që kishte bërë për të.+ Ajo nuk pati kurrë marrëdhënie me ndonjë burrë. Kështu në Izrael u bë zakon* që
40 vit për vit vajzat e Izraelit të shkonin katër ditë në vit për ta lavdëruar vajzën e Jefteut, galaditit.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «ai që dëgjon».
^ Fjalë për fjalë «Çfarë për mua dhe për ju?»
^ Ka të ngjarë të jetë një figurë letrare që tregon se dikush i përkushtohet vetëm shërbimit ndaj Perëndisë.
^ Ose «Ç’mi këpute gjunjët!»
^ Fjalë për fjalë «Kam hapur gojën».
^ Ose «të qaj bashkë me shoqet, sepse nuk do të martohem kurrë».
^ Ose «rregull».